Japonia ka kaluar për herë të parë kufirin e 100 mijë personave që kanë mbushur 100 vjeç, duke shënuar një rekord të ri për vendin që prej dekadash njihet për jetëgjatësinë e popullsisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë japoneze të Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale, në shtator numërohen 107,677 persona të moshës 100 vjeç e lart, rreth 8 mijë më shumë se një vit më parë.
Numri i njëqindvjeçarëve në Japoni është rritur tashmë për 56 vite radhazi.
Gratë përbëjnë shumicën dërrmuese të tyre. Plot 94,298, ose rreth 88% e njëqindvjeçarëve, janë gra.
Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, e cilësoi zhvillimin pozitiv, duke u shprehur i kënaqur që kaq shumë njerëz arrijnë të mbeten aktivë dhe të shëndetshëm për një kohë kaq të gjatë.
Japonia renditet prej vitesh ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore të cituara nga CNN, jetëgjatësia mesatare ishte rreth 84 vjeç në vitin 2024, krahasuar me 79 vjeç në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit e kanë lidhur jetëgjatësinë japoneze me një kombinim faktorësh, përfshirë ushqyerjen, sistemin e avancuar shëndetësor dhe mënyrën e jetesës. Në kulturën japoneze njihet edhe koncepti “ikigai”, i lidhur me gjetjen e një qëllimi dhe kënaqësie në jetën e përditshme.
Mes njerëzve më të moshuar në vend janë Fuyo Kishimoto, 114 vjeçe, nga Kioto, dhe Hikaru Kato, 112 vjeç, nga Kumamoto, sipas ministrisë.
Por rekordi ka edhe anën tjetër të medaljes. Ndërsa japonezët jetojnë gjithnjë e më gjatë, vendi po përballet me një krizë të fortë demografike. Popullsia prej rreth 123 milionë banorësh vazhdon të tkurret, lindshmëria ka rënë në nivele rekord dhe fuqia punëtore po zvogëlohet.
Kjo do të thotë se gjithnjë e më pak njerëz në moshë pune duhet të mbështesin një numër në rritje të të moshuarve, ndërsa shtohen kostot për pensionet, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale.
Kështu, shifra historike prej mbi 100 mijë njëqindvjeçarësh është njëkohësisht dëshmi e jetëgjatësisë së jashtëzakonshme të japonezëve dhe tregues i sfidës së madhe demografike që Japonia ka përpara.
Burimi: CNN





