Kasandra ishte vajza e mbretit të Trojës, Priamit. Ajo u mallkua nga Apolloni, i biri i zotit suprem, Zeusit, të thoshte të vërtetën pa u besuar kurrë.
Elisa Spiropali u shfaq mbrëmë në Top Story me Grida Dumën.
Pas përjashtimit “pa gjyq” në Asamblenë e Partisë Socialiste, Spiropali nuk ishte prononcuar.
Gjithë çfarë mendonte për realitetin politik të familjes socialiste, që prej përjashtimit të saj nga qeveria, ku së fundi, mbante postin e Ministres së Punëve të Jashtme, e përjashtuara Spiropali i shpalosi në prime time të Top Channel.
Znj. Spiropali, ka pretenduar gjithnjë përmes fjalimeve apo daljeve publike ose statuseve në Facebook se, është e aftë dhe posedon një narrativë të veçantë ligjërimi. Fjalitë e gjata, me fillime që shpesh nuk lidhen me mbarimet e humbura nëpër shtigjet gjysmë letrare dhe metafora të pakalkuluara, e kanë bërë Elisa Spiropalin, një “peshë” të pamatshme nga kandari i thjeshtë socialist. Ku më i afti në ligjërim është Edi Rama.
Risia e daljes së Spiropalit, ishte artikulimi shkoqur i emrit të armikes së saj, Belinda Balluku. Por edhe një element që pa dashje ose jo, ajo e përmendi në fundin e intervistimit.
“Kam shkëmbyer edhe këto ditë mesazhe me Edi Ramën, por që nuk kanë lidhje me çfarë qëndrimi po mbaj sot” – tha ajo.
Në qëndrimin diplomatik për Edi Ramën, që nuk ishte aspak i tillë për Belinda Ballukun, në dyorëshin e mesazhit të saj publik, Spiropali u rrotullua te ideja paralajmëruese: Lëshoje sa nuk është vonë!
Askush nuk mund ta dijë të vërtetën e Spiropalit, apo të paralajmërimit që ajo lëshoi mbrëmë, si Profeteshë e partisë së Edi Ramës, përveç asaj vetë, apo kryeministrit, i cili, u zbulua nga të gjithë se, shkëmbe(n)ka mesazhe me të përjashtuarën prej tij.
A ishte lojë “përjashtimi” i Spiropalit, apo është një gënjeshtër komunikimi i saj me Edi Ramën, pas tij?
Ndoshta, kryeministri Rama, pasi të kthehet nga loja “Hapa do-lla-pa” me kryeministrin e Belgjikës dhe liderët e tjerë evropianë në Berlin, do duhet ta qartësojë pozicionin e tij, në raport me Elisa Spiropalin dhe Belinda Ballukun.
Sepse Spiropali, foli për presionet që i ishin bërë familjes së saj, me urdhër të Belinda Ballukut, përmes “ushtarëve” të tatimeve, ku kryesori ishte ministri i Financave, Petrit Malaj.
Foli për pozicionin e Partisë Socialiste, që s’mund të kthehej në “bunker” për të fshehur nga drejtësia, Belinda Ballukun.
Spiropali, deklaroi mbrëmë publikisht se, nuk i dinte arsyet e shkarkimit të saj të papritur, nga detyra e ministres së Punëve të Jashtme.
Nëse “shkarkimi”, “bunkeri” dhe “tatimet” bashkë me “përjashtimin” nga forumet drejtuese të PS janë të vërteta, që i ka prodhuar çifti Rama-Balluku, atëherë çfarë mesazhesh kanë shkëmbyer në privatësi, kryeministri dhe e përjashtuara publikisht prej tij? Për më tepër që natyra e tyre nuk lidhet me qëndrimin që mbajti Elisa Spiropali, mbrëmë në televizion.
Askush nuk do besonte se shkëmbimet “WhatsApp” mes tyre, do kishin një natyrë tjetër, përveç se asaj politike dhe të ngurtë ideologjike, ku meraku kryesor me siguri është rrugëtimi i mbetur i Shqipërisë për në BE.
A e dinte Belinda Balluku që pasi rivalja e saj, u shkarkua e më pas u përjashtua, përsëri ajo komunikonte në telefon me Skënderbeun e “çkurorëzuar”? Apo me këtë lajm therës u njoh si të gjithë shqiptarët, përmes Grida Dumës?
Versioni tjetër është që, aleanca “Skënderbeu-Mamica” është çështje gjaku dhe jo çështje politike, ndaj dhe nuk zhbëhet kurrë.
Në këtë rast, loja politike me një dëshmi të tillë publike bëhet shumë e rëndë, sa e rrezikshme.
Përmes Spiropalit, Edi Rama, do të “heqë qafe” Belinda Ballukun, duke e dobësuar dhe demaskuar atë në sy të publikut deri në arritjen e qëllimit….
Kjo skemë ka filluar të përpunohet në formën e një skenari të mirëmenduar, pas tentativës së largimit të Belinda Ballukut me arrestimin e saj, që pasi dështoi, ka vijuar të përpunohet përgjatë gjithë 2026-ёs, me skenarin rezervë “Spiropali”.
Këtu lind një pyetje: A e ka kuptuar Balluku këtë skenar? Apo është e kundërta? Edi Rama në aleancë me Belinda Ballukun, kërkon të eliminojë kasandrën Spiropali, që në një çast kritik emocional, mund t’i jetë hakërryer: Kujdes Skënderbe, se nga dashuria për Partinë dhe Shqipërinë, bëj çudira!
Në luftën për mbijetesë politike, Edi Rama, përveç flamingove dhe dronëve iranianë, që e rrezikojnë çdo ditë nga jashtë zyrës kryeministrore, gjendet para një paralajmërimi të dyfishtë, që vjen nga Profeteshat e besuara të tij.
Ato janë Kasandrat e Partisë Socialiste, paralajmërimet e të cilave ai nuk i shpërfill dot.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






