Për shumicën e shqiptarëve, dalja në pension shoqërohet me llogari të përditshme për ilaçet, ushqimet dhe faturat. Por për disa nga politikanët që kanë kaluar pothuajse gjithë jetën në Parlament, pleqëria mund të jetë shumë më e rehatshme. Erion Braçe dhe Tritan Shehu janë dy shembuj të asaj që mund të konsiderohet aristokracia e pensioneve shqiptare: ish-funksionarë të lartë që, sipas përllogaritjeve të një eksperti, mund të përfitojnë pensione prej disa milionë lekësh të vjetra në muaj.
Në politikën shqiptare ka deputetë që vijnë e ikin, por ka edhe nga ata që duket sikur kanë qenë gjithmonë aty. Ndryshojnë qeveritë, kryeministrat, aleancat dhe legjislaturat, ndërsa ata vazhdojnë të zënë vendet e tyre në sallën e Kuvendit.
Erion Braçe dhe Tritan Shehu janë ndër përfaqësuesit më jetëgjatë të kësaj kategorie politikanësh, të cilët mund të quhen edhe “senatorët” e Parlamentit shqiptar, jo për shkak të ndonjë titulli zyrtar, por për dekadat e kaluara në jetën parlamentare.
Dhe kur të vijë momenti për t’i dhënë fund karrierës politike, duket se nuk do të kenë shumë arsye për t’u shqetësuar për të ardhurat e pleqërisë.
Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha ka bërë në A2 CNN një përllogaritje që nxjerr në pah diferencën e madhe mes pensioneve të mundshme të ish-zyrtarëve të lartë dhe atyre që marrin qytetarët e zakonshëm.
Sipas tij, Erion Braçe mund të përfitojë një pension mujor që tejkalon 4.4 milionë lekë të vjetra, ose 440 mijë lekë të reja.
Bëhet fjalë për një shumë që, sipas vlerësimit të publikuar, i afrohet 4 900 eurove në muaj.
Braçe është pjesë e Parlamentit që prej vitit 1996. Gjatë kësaj periudhe ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, nga viti 2019 deri në vitin 2021.
Pikërisht ky funksion, sipas ekspertit, mund të ndikojë ndjeshëm në llogaritjen e përfitimeve të tij të ardhshme.
“Nëse del normalisht 65 vjeç, Erion Braçe do të jetë rekordi i pensionit dhe pritet ta kalojë 4.4 milionë lekë të vjetra. Sepse ai ka qenë zëvendëskryeministër dhe kur të dalë në pension do të merret si referencë paga e zëvendëskryeministrit në atë kohë”, deklaroi Hoxha.
Por nëse Braçe mund të vendosë një rekord, Tritan Shehu, sipas të njëjtit ekspert, mund ta tejkalojë.
Shehu ka një karrierë politike që nis në fillim të viteve ’90. Ai ka qenë zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Shëndetësisë, përveç mandateve parlamentare.
Aktualisht 77 vjeç, Shehu vazhdon të jetë deputet, megjithëse e ka kaluar prej kohësh moshën e zakonshme të daljes në pension.
“Tritan Shehu po se po, sepse edhe ai ka qenë zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Shëndetësisë. Sipas ligjeve që kemi sot, nisur edhe nga fakti që ka punuar mbi moshën e pensionit, kjo i jep atij bonus tjetër në lidhje me vitet e punës. Tritan Shehu do t’ia kalojë edhe Erion Braçes për pensionin”, u shpreh eksperti.
Pra, sipas këtyre përllogaritjeve, dy politikanët mund të sigurojnë të ardhura mujore gjatë pensionit që për një pjesë të konsiderueshme të pensionistëve shqiptarë përfaqësojnë të ardhurat e shumë muajve, madje të disa viteve.
Në të njëjtën kohë që flitet për pensione të mundshme prej 440 mijë lekësh në muaj për politikanët, qeveria ka parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027 rritjen e bonusit mujor për pensionistët me vite të plota pune në qytet, nga 1 800 në 3 600 lekë.
Për kategoritë e tjera, shtesat e parashikuara janë edhe më të ulëta.
Në total, janë planifikuar 20 miliardë lekë për bonuset mujore të pensionistëve, krahas fondeve të indeksimit.
Kështu, ndërsa një pensionist i zakonshëm pret me interes një shtesë prej disa mijëra lekësh për të përballuar shpenzimet e jetesës, për politikanët me karriera të gjata diskutohet për pensione potenciale prej miliona lekësh të vjetra.
Pikërisht këta politikanë kanë qenë për dekada pjesë e institucioneve që kanë miratuar ligjet, buxhetet dhe politikat që përcaktojnë edhe nivelin e pensioneve në Shqipëri.
Me sa duket, për disa nga veteranët e politikës shqiptare, fundi i karrierës parlamentare nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e privilegjeve financiare.
Ndërsa për shumicën e qytetarëve pensioni mbetet një periudhë ku çdo lek duhet llogaritur me kujdes, për “senatorët” e politikës shqiptare pleqëria mund të vijë me një siguri ekonomike që pak pensionistë në botë mund ta imagjinojnë, përveç ndonjë senatori me shumë dekorata lufte – amerikan.






