Një skemë e trafikut ndërkombëtar të fentanilit, ku kimikatet pararendëse bliheshin në Kinë, hynin fillimisht në Shtetet e Bashkuara, transportoheshin më pas drejt Meksikës dhe riktheheshin në territorin amerikan të shndërruara në drogë, është zbardhur nga autoritetet amerikane pas pranimit të fajësisë nga një prodhues meksikan i lidhur me kartelin Sinaloa.
Hernan Geovani Ojeda Elenes, 48 vjeç, nga Culiacán i Meksikës, pranoi më 27 gusht fajësinë për dy akuza federale për komplot në trafikun e drogës dhe pranoi përgjegjësinë për prodhimin dhe shpërndarjen e të paktën 5 tonëve fentanil, ose rreth 5 mijë kilogramë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Ojeda Elenes blinte sasi të mëdha kimikatesh të nevojshme për prodhimin e fentanilit nga kompani furnizuese në Kinë. Ngarkesat importoheshin fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe dërgoheshin te një kompani transporti dhe ndërmjetësimi mallrash në Arizona, përpara se të kalonin kufirin SHBA-Meksikë.
Pasi mbërrinin në Meksikë, kimikatet përdoreshin në laboratorin e fentanilit që drejtohej nga Ojeda Elenes. Produkti përfundimtar merrte më pas rrugën e kundërt, duke u trafikuar përsëri në Shtetet e Bashkuara për shpërndarje.
Departamenti amerikan i Drejtësisë e përshkruan 48-vjeçarin si prodhues fentanili për kartelin Sinaloa. Ai drejtonte një organizatë trafikimi së bashku me të atin, Hernan Domingo Ojeda Lopez, dhe persona të tjerë në shtetin meksikan të Sinaloas.
Fillimisht, organizata ishte përqendruar te metamfetamina dhe kokaina, por rreth vitit 2019 e zhvendosi aktivitetin kryesisht drejt fentanilit, pasi anëtarët e saj besonin se kjo drogë do të ishte shumë më fitimprurëse.
Dokumentet gjyqësore nuk bëjnë publikë emrat e kompanive kineze që furnizonin kimikatet dhe as emrin e kompanisë së transportit në Arizona.
Hetimet e lidhin organizatën edhe me sasi të konsiderueshme fentanili të sekuestruara në disa shtete amerikane. Në prill 2020 u kapën rreth dy kilogramë në Illinois, ndërsa një muaj më vonë pesë kilogramë të tjerë u sekuestruan në Oklahoma, pasi ishin transportuar nga një kompani kamionësh e drejtuar nga vëllai i Ojeda Elenes, Nefer Ojeda-Elenes.
Në janar 2023, autoritetet sekuestruan edhe rreth 30 kilogramë fentanil në Ohio, ndërsa në fillim të vitit 2024 siguruan rreth 15 kilogramë të tjerë përmes dy blerjeve të fshehta në Kaliforni, të organizuara nga babai i të pandehurit dhe të realizuara me ndihmën e anëtarëve të tjerë të rrjetit.
Prokurorët amerikanë kanë vlerësuar se organizata kishte arritur përmasa shumë më të mëdha nga ato që tregojnë vetëm sekuestrimet. Në një dokument të paraqitur në janar 2026, ata vlerësuan se rrjeti po fuste në Shtetet e Bashkuara rreth 1 mijë kilogramë fentanil në muaj.
Babai i Ojeda Elenes është gjithashtu i pandehur në të njëjtën çështje në Uashington dhe ishte mes 26 personave të transferuar nga Meksika në paraburgimin amerikan në gusht 2025. Vëllai i tij u dënua në Illinois në mars 2025 me 19 vjet burg federal, pasi pranoi fajësinë në një çështje tjetër që përfshinte shtatë kilogramë fentanil.
Vetë Ojeda Elenes ishte akuzuar në mars 2024 dhe u soll nga Meksika në Shtetet e Bashkuara në janar 2026. Ai tashmë ka pranuar fajësinë për komplot për prodhimin dhe shpërndarjen e fentanilit me qëllim importimin e paligjshëm në SHBA, si dhe për komplot për shpërndarjen e kimikateve të përdorura në prodhimin e tij.
Fentanili është një opioid sintetik jashtëzakonisht i fuqishëm, deri në 50 herë më i fortë se heroina dhe 100 herë më i fortë se morfina, sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Droga e prodhuar ilegalisht mund të përzihet me substanca të tjera ose të përdoret në prodhimin e tabletave të falsifikuara, shpesh pa dijeninë e përdoruesve.
Në vitin 2024, 47,735 vdekje nga mbidoza në SHBA përfshinin opioide sintetike si fentanili, nga 72,776 të regjistruara në vitin 2023.
Burimi: The Epoch Times






