Më 1 dhjetor 1958, në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, u shfaq premiera e operës “Mrika”, vepra e parë operistike shqiptare dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e muzikës kombëtare.
E kompozuar nga Prenk Jakova, me libret të Llazar Siliqit dhe regji të Andrea Skanjetit, “Mrika” shënoi lindjen e operës shqiptare dhe hapi një kapitull të ri në zhvillimin e artit skenik në vend. Kjo vepër realizoi ëndrrën e shumë artistëve shqiptarë për krijimin e një opere kombëtare, duke u kthyer në një pikë referimi për brezat e kompozitorëve dhe interpretuesve që do të vinin më pas.
Një vit pas premierës në Shkodër, më 26 nëntor 1959, “Mrika” u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke fituar një vend të rëndësishëm në jetën artistike dhe kulturore të Shqipërisë.
Edhe pse në vitet pasuese u krijuan shumë opera të tjera shqiptare, “Mrika” mbetet pionierja e këtij zhanri. Ajo konsiderohet gur themeli i operës kombëtare dhe një simbol i fillimit të traditës operistike shqiptare.
Suksesi i kësaj vepre u mbështet edhe mbi traditën e pasur muzikore të Shkodrës, qytet që kishte nxjerrë figura të shquara si Palok Kurti, Lec Kurti, Kardinal Mikel Koliqi, Martin Gjoka dhe Shuk Shllaku. Kjo trashëgimi artistike u pasurua më tej nga kompozitorë të njohur si Çesk Zadeja, Tish Daija, Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Pjetër Gaci dhe shumë emra të tjerë që kontribuan në zhvillimin e muzikës profesioniste shqiptare.
Sot, më shumë se gjysmë shekulli pas premierës së saj, “Mrika” vazhdon të vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe si dëshmi e talentit krijues të Prenk Jakovës, kompozitorit që hodhi themelet e operës kombëtare.






