Papa Leo XIV ka publikuar enciklikën e tij të parë madhore kushtuar epokës së Inteligjencës Artificiale, duke paralajmëruar se zhvillimi teknologjik nuk duhet kurrë të vendoset mbi dinjitetin njerëzor dhe marrëdhëniet mes njerëzve.
Dokumenti me titull “Magnifica Humanitas” (“Madhështia e Njerëzimit”) konsiderohet një nga tekstet më të rëndësishme të pontifikatit të parë amerikan në krye të Vatikanit dhe trajton sfidat që Inteligjenca Artificiale pritet të sjellë për njerëzimin në dekadat e ardhshme.
Papa e krahason momentin aktual me Revolucionin Industrial të shekullit XIX dhe e lidh enciklikën e tij me dokumentin historik “Rerum Novarum” të Papa Leo XIII, i cili trajtonte të drejtat e punëtorëve dhe kapitalit në epokën industriale.
“Inteligjenca Artificiale nuk është njerëzore”
Në një nga pjesët më të forta të dokumentit, Papa Leo XIV thekson se Inteligjenca Artificiale nuk duhet ngatërruar me inteligjencën njerëzore, pavarësisht avancimit të saj.
“Këto sisteme thjesht imitojnë disa funksione të inteligjencës njerëzore. Ato nuk përjetojnë eksperienca, nuk kanë trup, nuk ndiejnë gëzim apo dhimbje, nuk piqen përmes marrëdhënieve dhe nuk e njohin nga brenda çfarë do të thotë dashuria, puna, miqësia apo përgjegjësia”, shkruan Papa.
Sipas tij, teknologjia mund të jetë një “mjet i vlefshëm”, por nuk mund të zëvendësojë kurrë shpirtin dhe përvojën njerëzore.
Paralajmërim për tregun e punës
Enciklika ndalet gjatë edhe te ndikimi i AI në punësim dhe automatizim.
Papa paralajmëron se pasiguria në punë, automatizimi masiv dhe zhdukja e vendeve të punës nuk mund të vlerësohen vetëm nga këndvështrimi i efikasitetit ekonomik.
“Dinjteti i punëtorit, paga e drejtë dhe mundësia reale për të marrë pjesë në shoqëri duhet të mbeten në qendër”, thekson ai.
Ai dënon gjithashtu atë që e quan “forma të reja skllavërie” në ekonominë dixhitale, duke përmendur të rinjtë që punojnë me paga minimale në moderimin e përmbajtjeve online apo në etiketimin e të dhënave për sistemet AI.
“Trupat e këtyre njerëzve janë të plagosur dhe të konsumuar që rrjedha e llogaritjeve kompjuterike të vazhdojë pa ndërprerje”, shkruhet në dokument.
“Njerëzit nuk maten nga ajo që prodhojnë”
Një nga mesazhet qendrore të Papës është se vlera e njeriut nuk varet nga produktiviteti apo performanca.
“Ka të drejta që i përkasin çdo personi vetëm sepse është njeri”, thekson ai, ndërsa fjala “dinjitet” përsëritet rreth 100 herë në tekst.
Papa paralajmëron gjithashtu kundër tundimit për të ndërtuar një “Kullë të re Babeli”, duke iu referuar historisë biblike të njerëzve që kërkonin të arrinin qiellin përmes fuqisë së tyre.
Ai e përdor këtë metaforë për të kritikuar uniformitetin global dhe besimin se teknologjia mund të zëvendësojë dimensionin shpirtëror dhe moral të njerëzimit.
Alarm për fëmijët dhe rrjetet sociale
Dokumenti ndalet edhe te efektet psikologjike të teknologjisë mbi fëmijët dhe adoleshentët.
Papa citon studime psikologjike dhe psikiatrike që tregojnë se ekspozimi i hershëm dhe i pakontrolluar ndaj telefonave dhe rrjeteve sociale mund të ndikojë negativisht te gjumi, përqendrimi, kontrolli emocional dhe marrëdhëniet sociale.
Ai paralajmëron se fëmijët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj varësisë dixhitale, bullizmit online dhe shfrytëzimit seksual.
“Njerëzimi nuk duhet të zëvendësohet”
Në përfundim të enciklikës, Papa Leo XIV thekson se progresi teknologjik duhet të shërbejë për të lehtësuar vuajtjen njerëzore, por jo për të zhdukur vetë natyrën njerëzore.
“Mund ta përqafojmë progresin teknologjik që lehtëson vuajtjen dhe hap mundësi të reja, për sa kohë që nuk braktisim thelbin e njerëzimit tonë: aftësinë për marrëdhënie dhe dashuri”, shkruan ai.






