Papa Leo XIV pritet të publikojë të hënën dokumentin e tij të parë madhor si udhëheqës i Kishës Katolike, duke sinjalizuar një ndryshim të fortë në prioritetet e Vatikanit. Enciklika e re, e titulluar “Magnifica Humanitas” (“Njerëzimi Madhështor”), do të fokusohet te drejtësia sociale, inteligjenca artificiale dhe sfidat e epokës digjitale, larg debatit tradicional të Kishës mbi moralin seksual.
Sipas analizës së publikuar nga New York Times, Papa Leo XIV po ndjek linjën e Papa Françeskut për ta larguar Kishën nga ajo që kritikët e kanë quajtur prej dekadash “teologjia e legenit”, pra përqendrimi pothuajse obsesiv mbi abortin, homoseksualitetin apo seksualitetin, veçanërisht në SHBA.
Në vend të kësaj, Papa po e zhvendos debatin drejt çështjeve si dinjiteti njerëzor, drejtësia ekonomike, pabarazia sociale dhe rreziku që inteligjenca artificiale mund të paraqesë për njerëzimin. Vetë Leo XIV ka deklaruar se “kur Kisha flet për moralin, nuk duhet të mendohet vetëm për çështjet seksuale”, duke shtuar se drejtësia, barazia, liria e grave dhe liria fetare janë tema shumë më të rëndësishme.
Dokumenti i ri frymëzohet nga enciklika historike “Rerum Novarum” e Papa Leo XIII në vitin 1891, e konsideruar themeli modern i doktrinës sociale katolike dhe që trajtonte shfrytëzimin e punëtorëve gjatë Revolucionit Industrial. Sipas Leos sё XIV-tё, bota po përballet sot me një “revolucion të ri industrial”, të nxitur nga inteligjenca artificiale dhe transformimi teknologjik.
Papa nuk po ndryshon doktrinën e Kishës mbi abortin apo martesën homoseksuale, por po përpiqet t’i vendosë këto debate në një kontekst më të gjerë moral dhe social. Ai ka mbrojtur, për shembull, vlerësimin e senatorit amerikan Dick Durbin për punën me emigrantët, pavarësisht qëndrimeve të tij pro abortit, duke argumentuar se një person duhet parë “në tërësinë e bindjeve të tij”.
Qasja e re e Papës ka shkaktuar reagime të forta tek konservatorët fetarë, por analistët e shohin si një përpjekje për ta rikthyer Kishën te mesazhi social i Ungjillit dhe larg luftërave kulturore që kanë dominuar dekadat e fundit.
(Burimi: Përshtatur nga NYT)






