Prej ditësh, ndërsa protesta mbush rrugët, faqja e Qendrës së Botimeve Zyrtare ka rënë. Ky është i vetmi vend ku qytetari shqiptar njihet zyrtarisht me ligjet dhe aktet nënligjore që e detyrojnë. Bashkë me të ka rënë edhe Buletini i Njoftimeve Zyrtare, ku publikohet çdo njoftim me peshë, përfshirë ato që prekin drejtpërdrejt buxhetin e shtetit, pra paratë e secilit prej nesh.
Rastësi apo jo, sot askush nuk e di çfarë po miratohet, çfarë po ndryshohet dhe çfarë po gatuhet në zyrat e pushtetit për qytetarët.
Kushtetuta nuk lë vend për interpretim. Neni 117 përcakton se ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave dhe të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Botimi nuk është formalitet burokratik. Është momenti kur pushteti i thotë publikut hapur: ky është rregulli që do të zbatohet ndaj jush.
Mbi këtë logjikë qëndron edhe parimi i vjetër se askush nuk mund të justifikohet me mosnjohjen e ligjit. Ky parim ka kuptim vetëm kur shteti e ka bërë ligjin realisht të arritshëm. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka thënë qysh në vitin 1979, në çështjen Sunday Times kundër Mbretërisë së Bashkuar: norma quhet “e parashikuar me ligj” vetëm nëse është e aksesueshme dhe e parashikueshme për qytetarin. Një rregull që botohet në një faqe që nuk hapet, në praktikë, nuk ekziston për ata që duhet ta zbatojnë.
Neni 23 i Kushtetutës garanton të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare. Ligji për Qendrën e Botimeve Zyrtare e ngarkon këtë institucion të sigurojë akses publik e falas në aktet normative. Kur ky akses pritet, cenohen njëkohësisht siguria juridike, transparenca dhe vetë parimi i shtetit të së drejtës. Avokati nuk mund të këshillojë klientin, gjyqtari nuk ka burimin zyrtar, biznesi nuk e di cili detyrim i ri ka hyrë në fuqi, ndërsa qytetari mbetet i ekspozuar ndaj rregullave që askush nuk ia ka treguar.
Koha e rënies e bën heshtjen edhe më të rëndë. Në ditët e tensionit më të lartë politik, kur publiku ka më shumë nevojë të dijë se si po vendos qeveria dhe ministrat e saj, dritarja zyrtare e informimit mbyllet pa asnjë shpjegim, pa afat rikthimi dhe pa alternativë zyrtare. Nuk ka pasur njoftim nga Ministria e Drejtësisë, nën varësinë e së cilës funksionon Qendra, as ndonjë kanal tjetër publikimi.
Ky është skandal i rëndë institucional qё kërkon përgjigje të menjëhershme.
Ministria e Drejtësisë duhet të shpjegojë publikisht arsyen e rënies dhe kohëzgjatjen e saj. Drejtoresha e QBZ, Etleva Haxhia, duhet tё flasё dhe jo tё heshtё.
Ajo duhet tё publikojë menjëherë, në një kanal alternativ zyrtar, listën e plotë të akteve të botuara gjatë kësaj periudhe.
Duhet t’i shpjegojё gjithashtu publikut e të sqarojë si llogaritet hyrja në fuqi e akteve që, në praktikë, nuk kanë qёnë të arritshme pёr publikun.
Dhe kjo duhet tё bёhet menjёherё, pa asnjё vonesё, qё shkakton jo vetёm dyshim por dhe pasoja tё rёnda.
Aktet e “botuara” në errësirë mbeten të kontestueshme për sa kohë askush nuk ka pasur mundësi t’i njohë apo tё konsultohet me to.
Një shtet që e bën ligjin të padukshëm nuk qeveris me me ligj, por me heshtje.
Dhe nёse Fletorja Zyrtare e Republikёs sё Shqipёrisё hesht, qeverisja ka pushuar se qёnuri legjitime.

Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






