Përplasja publike mes Papa Leo XIV dhe Donald Trump nuk është thjesht një debat i radhës që do të shuhet me ciklin e lajmeve. Ajo është pjesë e një përplasjeje më të thellë që ka vite që po zhvillohet – një konflikt që shkon përtej politikës dhe prek vetë mënyrën si interpretohet krishtёrimi sot.
Në thelb, përballen dy vizione të ndryshme: ai i Jezusit të Ungjijve dhe një version tjetër, i përhapur në disa qarqe konservatore amerikane, i quajtur shpesh “Jezusi MAGA”.
Papa Leo ka zgjedhur të mos sfidojë vetëm Trumpin si figurë politike, por të kritikojë pikërisht këtë interpretim të ri fetar. Sipas këtij vizioni, Jezusi nuk është më figura paqësore që predikon mëshirë dhe përulësi, por një figurë më e ashpër, e lidhur me ide force, përplasjeje dhe fitoreje.
Ky interpretim është shfaqur shpesh në retorikën politike dhe fetare në SHBA vitet e fundit. Në disa raste, ai është përdorur për të justifikuar qëndrime të forta politike apo edhe mbështetje për konflikte ushtarake, duke e lidhur besimin fetar me agjenda politike.
Kritikët e kësaj qasjeje thonë se bëhet fjalë për një deformim të mesazhit të krishterimit. Sipas tyre, feja po përdoret për të mbështetur ide të pushtetit dhe nacionalizmit, duke u larguar nga thelbi i saj etik dhe shpirtëror.
Në këtë sfond, Papa Leo paraqet një qasje tjetër. Ai rikthehet te mesazhi tradicional i Kishës: kujdesi për më të dobëtit, refuzimi i dhunës dhe përpjekja për paqe. Në deklaratat e tij të fundit, ai e ka përshkruar Jezusin si “Mbret i Paqes” dhe ka kritikuar hapur luftërat dhe përdorimin e dhunës në emër të besimit.
Kjo e bën përplasjen edhe më të fortë, pasi nuk është më thjesht politike, por morale dhe teologjike. Nga njëra anë një vizion që e lidh fenë me forcën dhe identitetin politik, nga ana tjetër një interpretim që e vendos theksin te paqja dhe përgjegjësia njerëzore.
Për shumë vëzhgues, kjo përballje mund të ndikojë jo vetëm në debatin publik në SHBA, por edhe në mënyrën si feja do të përdoret në politikë në vitet në vijim.
(Burimi: CNN)





