Shtetet e Bashkuara po përgatiten të reduktojnë ndjeshëm avionët luftarakë dhe asetet detare që vihen në dispozicion të NATO-s në Evropë, në një lëvizje që sinjalizon tërheqjen graduale të Uashingtonit nga roli tradicional i garantuesit kryesor të sigurisë evropiane.
Sipas informacioneve të siguruara nga zyrtarë të lartë evropianë dhe dokumenteve të shpërndara mes aleatëve në fillim të muajit qershor, administrata e presidentit Donald Trump synon të zvogëlojë ndjeshëm kontributin ushtarak amerikan në kuadër të operacioneve të NATO-s në kontinent.
Plani parashikon uljen e numrit të avionëve luftarakë amerikanë F-16 dhe F-15E nga rreth 150 në 100 njësi. Po ashtu do të reduktohen avionët e zbulimit detar nga 26 në 15, ndërsa tetë avionët cisternë për furnizim me karburant në ajër, që deri tani ishin të dedikuar për Evropën, do të tërhiqen plotësisht.
Në kuadër të ristrukturimit, Pentagoni planifikon gjithashtu të zhvendosë një nëndetëse të pajisur me raketa, një aeroplanmbajtëse, disa anije luftarake si dhe një pjesë të bombarduesve strategjikë që deri tani ishin caktuar për mbrojtjen e Evropës.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë publik kalendarin e saktë të këtyre ndryshimeve, por sipas burimeve, ato pritet të hyjnë në fuqi shumë më shpejt sesa kishin parashikuar vendet evropiane.
Ekspertët paralajmërojnë se reduktimi i pranisë amerikane mund të ndikojë në aftësinë e NATO-s për të monitoruar aktivitetin ushtarak rus, përfshirë lëvizjet e nëndetëseve, si dhe për të kryer goditje me rreze të gjatë veprimi në rast krizash.
Presidenti Donald Trump ka kërkuar që vendet evropiane të marrin një barrë më të madhe financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e tyre. Ai ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për varësinë nga SHBA-ja dhe ka paralajmëruar disa herë se Amerika nuk mund të vazhdojë të mbajë e vetme peshën kryesore të NATO-s.
Megjithëse Evropa ka nisur prej kohësh procesin e riarmatimit dhe forcimit të kapaciteteve të veta mbrojtëse, shumë analistë vlerësojnë se një reduktim kaq i madh i pranisë amerikane përbën një sfidë serioze për sigurinë e kontinentit.
Debati bëhet edhe më i ndjeshëm në një moment kur tensionet me Rusinë mbeten të larta.
Ndërkohë, zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë kanë argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të ridrejtojnë burime drejt rajonit Indo-Paqësor, ku Uashingtoni e konsideron konkurrencën strategjike me Kinën si sfidën kryesore të dekadave të ardhshme.
Gjenerali Alexus Grynkewich, komandanti amerikan në Evropë dhe njëkohësisht komandanti i lartë ushtarak i NATO-s, deklaroi se ka ekzistuar një “bashkëvarësi jo e shëndetshme” e Aleancës nga forcat amerikane dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë.
Vendimi shihet nga shumë kryeqytete evropiane si sinjali më i qartë deri tani se administrata Trump synon një transformim të thellë të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe NATO-s, duke i detyruar vendet evropiane të marrin një rol shumë më të madh në mbrojtjen e kontinentit.
Burimi: NYT





