Kur njerëzit mendojnë për mënyrat për të përmirësuar shëndetin mendor, zakonisht u shkon mendja te sporti, meditimi, joga apo ecjet në natyrë. Por ekspertët po tërheqin vëmendjen ndaj një aktiviteti shumë më të thjeshtë, të lirë dhe të arritshëm për këdo: të shkruarit.
Sipas studimeve të psikologjisë dhe neuroshkencës, shkrimi nuk është thjesht një mënyrë për të komunikuar me të tjerët. Ai ndryshon mënyrën se si funksionon truri, ndihmon në përpunimin e emocioneve dhe forcon atë që psikologët e quajnë – aftësia për t’u përballur me vështirësitë dhe për t’u rikthyer pas goditjeve të jetës.
Profesoresha e studimeve të shkrimit Emily Ronay Johnston, nga Universiteti i Kalifornisë, shpjegon se njerëzit përdorin shkrimin për të përpunuar emocionet, për të kuptuar përvojat e tyre dhe për të gjetur qartësi në momentet e vështira.
“Shkrimi ju lejon njëkohësisht t’i jepni emër dhimbjes dhe të krijoni distancë prej saj,” shprehet ajo. “Ai mund t’ju zhvendosë nga dëshpërimi dhe mbingarkesa emocionale drejt qetësisë dhe qartësisë mendore.”
Ekspertët kujtojnë se që në vitet 1980, psikologu amerikan James Pennebaker zhvilloi teknikën e njohur si “shkrimi ekspresiv”, e cila përdorej për të ndihmuar pacientët të përballonin traumat dhe ngjarjet e dhimbshme.
Ideja ishte e thjeshtë: të shkruash vazhdimisht për atë që të mundon. Sipas studimeve, kur emocionet dhe kujtimet transferohen në letër, truri fillon t’i perceptojë ato ndryshe. Dhimbja nuk zhduket, por bëhet më e menaxhueshme.
“Shkrimi i kthen përvojat e vështira në diçka që mund të vendoset simbolikisht në një raft. Truri merr mesazhin se nuk ka më nevojë ta mbajë vazhdimisht atë barrë mbi supe,” shpjegon Johnston.
Nga pikëpamja neurologjike, procesi është shumë më kompleks sesa duket.
Kur shkruajmë, aktivizohen njëkohësisht zonat e trurit që lidhen me kujtesën, planifikimin, gjuhën, vendimmarrjen dhe koordinimin motorik. Ky proces ndihmon në konsolidimin e kujtimeve dhe në riorganizimin e tyre në mënyrë më të shëndetshme.
Madje edhe një listë e thjeshtë detyrash mund të ketë efekt pozitiv. Shkrimi i gjërave që duhet të bëjmë aktivizon zonat e trurit që lidhen me arsyetimin dhe organizimin, duke na ndihmuar të rikthejmë fokusin dhe kontrollin mbi situatën.
Një tjetër efekt i rëndësishëm është ai emocional.
Studimet tregojnë se kur i vendosim emocionet në fjalë, qoftë edhe përmes një fjalie të shkurtër në ditar, aktiviteti në amigdalë – pjesa e trurit që kontrollon reagimet e frikës dhe stresit – fillon të ulet. Në të njëjtën kohë aktivizohet korteksi paraballor, zona që lidhet me vendimmarrjen dhe zgjidhjen e problemeve.
Me fjalë të tjera, emërtimi i emocioneve na ndihmon të kalojmë nga reagimi impulsiv te reflektimi i vetëdijshëm.
Ekspertët japin disa këshilla të thjeshta për ata që duan të përfitojnë nga fuqia e shkrimit.
Ata rekomandojnë që, kur është e mundur, të shkruhet me dorë dhe jo vetëm në telefon apo kompjuter. Shkrimi me stilolaps kërkon më shumë koordinim mendor dhe e ngadalëson procesin e mendimit, duke e bërë më reflektues. Gjithashtu këshillohet të shkruhet çdo ditë, qoftë edhe vetëm disa rreshta për atë që ka ndodhur gjatë ditës.
Një teknikë tjetër është të shkruash para se të reagosh. Kur zemërimi, zhgënjimi apo ankthi janë shumë të forta, ekspertët sugjerojnë që ndjenjat të hidhen fillimisht në letër dhe vetëm më pas të merren vendime apo të jepen përgjigje.
Po ashtu rekomandohet të shkruhen letra që nuk do të dërgohen kurrë. Një letër për dikë që ju ka lënduar, për një situatë të vështirë apo edhe për veten mund të shërbejë si një formë çlirimi emocional pa pasur nevojë për përballje të drejtpërdrejtë.
Në një epokë ku gjithçka po bëhet më e shpejtë dhe më sipërfaqësore, ndoshta një stilolaps dhe disa minuta shkrim në ditë mund të jenë një nga ilaçet më të nënvlerësuara për mendjen.
Burimi: The Independent






