Tedi Malaveci do të vijojë të drejtojë Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë edhe për katër vitet e ardhshme.
Anëtarësia e Dhomës e ka rivotëbesuar për mandatin 2026–2030, në zgjedhjet e zhvilluara këtë të enjte gjatë Asamblesë së Përgjithshme. Në të njëjtin proces u zgjodhën edhe organet e tjera drejtuese që do të funksionojnë gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.
Për Malavecin ky është një tjetër mandat në një detyrë që e mban prej vitit 2014. Ai vjen nga një karrierë e gjatë në fushën juridike dhe të ekzekutimit të detyrueshëm, ku ka ushtruar funksione si në shërbimin përmbarimor shtetëror, ashtu edhe në atë privat.
Prej vitit 2021, Malaveci është gjithashtu Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve.
Me votimin e së enjtes, anëtarësia ka zgjedhur të ruajë të njëjtin drejtim edhe për mandatin e ardhshëm, duke e lënë Malavecin në krye të Dhomës deri në vitin 2030.





