Të paktën 14 foshnja të porsalindura humbën jetën mëngjesin e së mërkurës pasi një zjarr përfshiu repartin e maternitetit të një prej spitaleve më të mëdha publike në Islamabad, në atë që konsiderohet një nga zjarret më vdekjeprurëse në spitale në Pakistan gjatë dekadave të fundit.
Flakët shpërthyen rreth orës 07:00 në Pakistan Institute for Medical Sciences (PIMS), spitali më i madh në kryeqytetin pakistanez, dhe sipas burimeve të ekipeve të shpëtimit, dyshohet se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i kompresorit të një kondicioneri brenda repartit ku po kujdeseshin të porsalindurit.
Punonjësit e spitalit arritën të shpëtonin një foshnjë, ndërsa dëshmitarë të ndryshëm kanë treguar se gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga reparti janë përballur edhe me dyer të kyçura.
Jashtë spitalit, një baba që kishte humbur foshnjën e tij vetëm tre ditëshe përshkroi dhimbjen e familjes. “Askush nuk mund ta kuptojë dhimbjen që po përjetoj”, u tha ai gazetarëve.

Një grua e quajtur Muneeba, e cila ndodhej në spital për të vizituar familjarët, tregoi se kishte arritur të largohej së bashku me kunatën dhe nipin vetëm pak përpara se flakët të përhapeshin. “Falë Zotit, foshnja jonë është e sigurt”, tha ajo.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, deklaroi se ishte “thellësisht i pikëlluar” nga tragjedia dhe urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi, duke premtuar masa të rrepta ndaj kujtdo që rezulton përgjegjës.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim edhe në politikën pakistaneze. Deputetja Sharmila Sahibah Faruqui e cilësoi atë “të turpshme dhe të pafalshme”, duke kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen dhe që rasti të mos përfundojë vetëm me ngritjen e një tjetër komisioni hetimor.
Tragjedia ka rikthyer vëmendjen te gjendja e spitaleve publike në Pakistan, të cilat prej vitesh përballen me mungesë financimi dhe personeli, infrastrukturë të vjetruar dhe probleme me masat e emergjencës. Rasti është veçanërisht i rëndë pasi PIMS ndodhet në Islamabad, ku infrastruktura dhe shërbimet publike përgjithësisht konsiderohen në standard më të lartë se në shumë zona të tjera të vendit.
Pakistani ka regjistruar disa zjarre të rënda vitet e fundit, përfshirë edhe në institucione shëndetësore ku sistemet elektrike të vjetruara mbeten problem. Vetëm në fillim të këtij viti, një zjarr masiv në një qendër tregtare në Karachi shkaktoi të paktën 67 viktima.






