Për vite me radhë, Alexis, Shaina dhe Matthew Broderick jetuan të izoluar nga bota, të bindur se fundi i njerëzimit ishte afër dhe se vetëm një njeri mund t’i shpëtonte: lideri i kultit ku ishin rritur që nga lindja. Ai quhej Tony Alamo, një predikues amerikan që e paraqiste veten si profet i Zotit, por që më vonë do të dënohej për krime seksuale ndaj të miturve.
Historia e tre motrave dhe vëllait, e rrëfyer për CNN pas gati dy dekadash heshtjeje, tregon se si funksionon manipulimi psikologjik brenda kulteve dhe sa e vështirë është të rindërtosh jetën pasi largohesh prej tyre.
Alexis ishte vetëm 10 vjeçe kur pa për herë të parë diçka të pazakontë përtej gardhit të kompleksit ku jetonte në Arkansas. Teksa luante, ajo dalloi burra të armatosur që po rrethonin pronën. Për një çast mendoi se profecitë e Tony Alamos po bëheshin realitet dhe se qeveria kishte ardhur për t’i vrarë. Në kult, fëmijët ishin mësuar të besonin se autoritetet ishin armiku dhe se bota e jashtme ishte e korruptuar dhe e rrezikshme.

Në atë mëngjes të shtatorit 2008, rreth njëqind agjentë federalë të FBI-së bastisën kompleksin e Alamos. Operacioni kishte si qëllim mbledhjen e provave për akuzat e shumta që rëndonin mbi liderin e kultit, përfshirë martesat dhe abuzimet seksuale me vajza të mitura. Alamo kishte ikur pak ditë më herët, por bastisja çoi në shpëtimin e disa fëmijëve, mes tyre edhe tre vëllezërit Broderick.
Jeta e tyre para asaj dite ishte ndërtuar mbi frikën dhe bindjen absolute ndaj liderit. Fëmijët jetonin të ndarë sipas gjinisë, nuk kishin akses normal në televizion, internet apo informacion të jashtëm dhe punonin që në moshë të vogël në bizneset e kultit. Ata prodhonin veshje luksoze që më pas reklamoheshin si produkte të veshura nga figura të famshme si Michael Jackson dhe Elvis Presley.
Tony Alamo i kishte bindur ndjekësit se ishte profet i Zotit dhe se fundi i botës ishte gjithmonë pranë. Matthew kujton se në vitin 1999 mërzitej kur dëgjonte se seria e re e monedhave amerikane do të zgjaste deri në vitin 2008, sepse ishte i bindur se bota do të kishte marrë fund shumë përpara. Motra e tij Shaina e përshkruan fëmijërinë si një gjendje të vazhdueshme ankthi. “Gjithmonë dukej sikur fundi i botës po vinte. Ishte e frikshme”, kujton ajo.

Dhuna ishte pjesë e zakonshme e jetës në kompleks. Matthew kujton se një ditë, ndërsa po hante mëngjes, Alamo iu afrua, e kapi nga këmisha dhe e goditi me grusht në fytyrë duke e akuzuar se po e tallte. Pak sekonda më vonë, pasi e kishte rrahur para të gjithëve, i tha se nuk donte ta bënte këtë, por se Zoti ia kishte urdhëruar. Për një adoleshent të rritur në kult, kjo mjaftonte për ta bindur se faji ishte i tij.
Shaina përjetoi episode edhe më të rënda. Pasi u akuzua se kishte folur për sjelljen e Alamos, ajo u mbajt nga disa gra ndërsa lideri e rrahu brutalisht. Më pas u dërgua në atë që quhej “Shtëpia e Përbuzjes”, ku izoloheshin vajzat që konsideroheshin problematike. Ajo kujton se në ato ditë lutej të vdiste. Ishte vetëm 12 vjeçe.
Ndërkohë Alexis jetonte me frikën se një ditë do të bëhej një nga “gratë” e Alamos. Ajo kishte parë vajza të tjera të martoheshin me të sapo hynin në pubertet. Kur ishte vetëm 8 ose 9 vjeçe, Alamo kishte urdhëruar që t’i bliheshin reçipeta, një sinjal që e trembi edhe më shumë.

Pas bastisjes së FBI-së, fëmijët u dërguan në familje kujdestare. Por liria nuk erdhi menjëherë. Të tre vazhdonin të besonin, të paktën pjesërisht, në atë që u ishte mësuar. Matthew madje përdorte fshehurazi telefona publikë për të komunikuar me anëtarët e mbetur të kultit. Në shkollë ndihej krejtësisht i humbur. Ai kujton momentin kur një mësues i kërkoi klasës të kërkonte diçka në Google. Nuk kishte dëgjuar kurrë për Google.
Shaina e kishte të vështirë të fliste me djemtë. Sa herë që një djalë i afrohej, ajo fillonte t’i predikonte Biblën, sepse nuk dinte si të reagonte ndryshe. Alexis kaloi në disa familje kujdestare dhe përjetoi trauma të reja, por më në fund gjeti një grua që e ndihmoi të jetonte për herë të parë si një fëmijë normal.

Ndërsa ata po përpiqeshin të përshtateshin me botën reale, Tony Alamo u arrestua, u gjykua dhe u shpall fajtor për dhjetë akuza që lidhnin transportimin e të miturve për qëllime seksuale. Gjykata konstatoi se ai kishte marrë si “gra” vajza të mitura, përfshirë një që ishte vetëm tetë vjeçe. Ai u dënua me 175 vite burg dhe vdiq në vitin 2017 në një spital burgu në Karolinën e Veriut.
Sot, Matthew punon si asistent ligjor dhe dëshiron të ndihmojë fëmijët në procese gjyqësore. Shaina studioi psikologji dhe punon me fëmijë, veçanërisht me ata që kanë kaluar trauma. Alexis po përgatitet të ndjekë studimet për infermieri. Të tre kanë rindërtuar marrëdhëniet mes tyre dhe kanë gjetur mënyrën për të vazhduar jetën.
Megjithatë, plagët e së kaluarës nuk zhduken plotësisht. Ata pranojnë se herë pas here kujtimet rikthehen dhe se zëri i Alamos vazhdon të jehonë në mendjen e tyre. Por sot ai nuk ka më pushtet mbi ta.
“Është pjesë e historisë sime”, thotë Matthew. “Por nuk është ajo që më përcakton.”

Burimi: Përshtatur nga CNN





