Pas vitesh presioni diplomatik dhe reagimesh publike, rrjeti i njohur spanjoll i restoranteve “La Mafia se sienta a la Mesa” ka vendosur të ndryshojë emrin në “La Familia se sienta a la Mesa”, duke i dhënë fund përdorimit të një termi që Italia e konsideronte ofendues dhe problematik.
Vendimi erdhi pasi Zyra Spanjolle e Patentave dhe Markave Tregtare e shpalli markën të pavlefshme në mars, duke argumentuar se ajo bie ndesh me rendin publik dhe moralin. Ky hap pasoi kërkesat e vazhdueshme të Ambasadёs Italiane në Madrid dhe u mbështet edhe nga precedentë evropianë, përfshirë një vlerësim të Gjykatёs sё Bashkimit Evropian që në vitin 2018 kishte paralajmëruar se përdorimi i termit “mafia” mund të banalizojë krimin e organizuar duke i dhënë një imazh pozitiv.
Debati nuk mbeti vetëm në planin juridik. Ambasadori italian Giuseppe Buccino Grimaldi ndërhyri drejtpërdrejt edhe në sferën publike, duke kritikuar lidhjen e markës me sponsorizime sportive dhe duke e cilësuar atë “ofenduese” për viktimat e mafies dhe për publikun në përgjithësi.

Zinxhiri i restoranteve, i themeluar në Zaragoza në vitin 2000 nga Javier Floristan, kishte ndërtuar identitetin e tij mbi një imazh ironik dhe provokues të mafies. Por me kalimin e kohës, kjo strategji hasi në reagim të fortë publik dhe një valë kritikash në rrjetet sociale, që kërkonin ndalimin e përdorimit të këtij simbolizmi.
Tashmë, grupi ka vendosur të përshtatet. Ri-brandimi do të përfshijë rreth 90 restorante dhe pritet të përfundojë brenda majit, me prezantimin zyrtar më 5 maj dhe hapjen e parë me emrin e ri në zonën Serrano të Madridit.
Vetë Floristan e ka paraqitur këtë ndryshim si një rikthim tek “thelbi” i projektit, duke u distancuar nga polemikat që, sipas tij, nuk përfaqësojnë identitetin e rrjetit.
Megjithatë, fenomeni mbetet global. Sipas organizatës Coldiretti, rreth 300 restorante në botë vazhdojnë të përdorin emra që lidhen me krimin e organizuar—nga SHBA në Meksikë e deri në Evropë—duke treguar se kjo betejë kulturore dhe simbolike është ende larg përfundimit.

(Burimi: ANSA)






