Me një monolog njëorësh para deputetëve të tij, Edi Rama, mundësoi edhe direkt “onllajn” fjalimin e disatë kundër Protestës Popullore, në ditën e 21-të të saj.
Sot Rama thirri në ndihmë të fjalimit filozofë, mendimtarë, heronj të antikitetit, pa harruar versionin më të avancuar të ChatGPT.
U shpall armiku i ri i kohës sonë: algoritmi.
Ushtria me mercenarë digjitalë, luftoi për një orë me “Bekim Fehmiun” e Shqipërisë, nëpër detrat e Mesdheut për të gjetur Itakën, por thirrjet e sirenave të “korrupsionit” e hodhën në Oqeanin Atlantik, në Detin e Karaibeve, pranë brigjeve të paraardhësve të Maduros.
Rama sulmoi Zuckerbergun dhe shokët e tij modernë për biznesin e ndyrë me algoritmet në internet, më shumë se ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, në sprovën e bujshme “Teknofeudalizmi dhe Algoritmi”.
Odisea e PS-së luftoi për një orë me audiencën që tashmë e sheh si barcaletë, duke përdorur batuta, metafora, krahasime apo dihatje emocionale, tashmë të përfunduara. Pa asnjë efekt për skenën me algoritëm të lartë dhe me efekt dërrmues për atë socialiste.
Algoritmi i pushtetit dhe makineria tekno-digjitale
Kryeministri i Shqipërisë, u orvat ta fuste të vërtetën e revoltës popullore në një “videoklip” që shpërndahet në rrjetet sociale, që sipas tij, e kanë kthyer protestën në spektakël dhe e kanë mbushur hapësirën publike me “analistë pa fakte”, “profetë të fundit të botës”, “revolucionarë virtualë” apo njerëz që jetojnë duke u ushqyer me klikime, emocione dhe zemërim.
“Nuk ka më nevojë të censurosh faktet, mjafton t’i fundosësh në një oqean trillimesh”, deklaroi ai, duke iu futur “detit elektronik” në këmbë. “Se sot – problemi nuk është mungesa e lirisë së shprehjes, por shpërndarja e pakufizuar e informacionit.”
Akili më agresiv i komunikimit digjital në Shqipëri, tashmë ra viktimë e madhështisë elektronike. U plagos në thembër me shigjeta që shumëfishohen digjitalisht deri sa të asgjësojnë figurën e pamposhtur heroike.
Për vite me radhë, Edi Rama ka qenë përdoruesi më i suksesshëm në pushtetin elektronik dhe pronari absolut i algoritmit mediatik.
Qeveria e tij ishte e para që e ktheu Facebook-un në zyrë shtypi, Instagram-in në konferencë qeveritare dhe rrjetet sociale në mjetin kryesor të komunikimit me publikun.
Ministrat e Rilindjes abandonuan konferencat arkaike për shtyp dhe u kthyen në fejsbukistë. Vendimet për vite me radhë shpalleshin online para se të botoheshin në Fletoren Zyrtare.
Debatet dhe sulmet politike fillonin online dhe digjitalizoheshin dhe shumëfishoheshin më pas nëpër studio TV me rezolucion dhe përhapje të madhe brenda dhe jashtë vendit.
Në qendër të kësaj makinerie tekno-digjitale për një dekadë pushtetërim qëndroi “indoneziani” Endri Fuga, njeriu që vetë socialistët e kanë përshkruar si arkitektin e transformimit digjital të komunikimit politik të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Z. Fuga u kthye në aset të pushtetit absolut të Ramës, si strategu i fushatave moderne dhe prestigjatori që shpiku përdorimin masiv të rrjeteve sociale në politikën shqiptare.
Ishte Fuga që krijoi edhe Agjencinë për Media dhe Informim, duke e drejtuar për vite me radhë dhe duke centralizuar komunikimin institucional të qeverisë dhe marrëdhëniet me publikun deri në “palcën digjitale”. Kjo lëvizje, asokohe, u kritikua ashpër nga disa organizata mediatike dhe vëzhgues të lirisë së shtypit, si një përqendrim i pazakontë i kontrollit mbi informacionin publik.
Por Fuga i Pushtetit, nuk arriti ta bindte “Bekim Fehmiun” e Qeverisë, se ky cunam elektronik do përmbyste edhe atë vetë, një ditë të ardhshme. Ndaj dhe nxitoi të hidhej nga anija e “Odisesë” së tij, duke i thënë heroit se nuk e kishte emrin Joseph Goebbels, por Endri Ikanaku.
Edi Rama e ka të vështirë të pranojë kurthin e madh të Fugës së vogël.
Kur algoritmi ishte i dobishëm për të promovuar videot e qeverisë së tij, sukseset e reformave, takimet e tij ndërkombëtare dhe fushatat me dajre elektorale, ai konsiderohej shenjë modernizimi. Sot që i njëjti algoritëm shpërndan revoltën unike popullore, protestat mbarëbotërore, memet epike, të vërtetën e një korrupsioni emblematik, nga Xhakarta në Michigan, Napoli e Siri, ai paraqitet si kërcënim për të vërtetën.
Është e vërtetë, algoritmi nuk ka bindje politike. Ai shpërndan pa mundësi frenimi, atë që njerëzit shohin, komentojnë dhe ndajnë. Atë që Zuckerbergu dhe bosat e algoritmit shohin se pëlqehet më shumë, dhe nga kjo bëhen trilionerë më shpejt.
Nëse sot protestat kundër projekteve në Sazan, Zvërnec, Rrjoll, Porto Palermo apo çështjeve të tjera arrijnë të prodhojnë algoritëm frenetik, kjo ndodh sepse ka një interes të pashoq publik për to. Po aq sa kur, publiku digjital kombëtar dhe ndërkombëtar mahnitej me fjalimet e Fugës së paarratisur, videot turistike dhe fushatat me algoritëm të lartë pushteti të qeverisë.
Ndaj problemi nuk është algoritmi por rrëmbimi i makinerisë tekno-digjitale nga turma e revoltuar që nga 1 qershori kërkon kokën e “Odisesë”.
Itaka në brigjet e Arubës
Edi Rama i thirri dëshpërimisht sot, Homerit dhe Odisesë së tij. Krahasimi i udhëtimit të Shqipërisë dhe PS-së për në Evropë, me luftën mitike të Uliksit për t’u kthyer në mbretërinë e tij të Itakës, është sa haluçinant dhe qesharak si “Skënderbeu” i Spiropalit.
Dikush ia ka shtënë në mendje shefit hero se, si udhëtimi i tij heroik në krye të Shqipërisë, është i njëjtë me udhëtimin 10-vjeçar të Odisesë, për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Ashtu si Uliksi i Homerit përballoi çikllopët, magjistaret dhe zemërimin e perëndisë në udhëtimin mitik për në shtëpi, edhe kryeministri i Shqipërisë fitoi të gjitha betejat ndaj çikllopit opozitë, zemërimit amerikan dhe magjistricave të rajonit. Ai po lundron i sigurt drejt destinacionit që papritur tregon që s’është Evropë por Karaibe, Venezuelë…
Edi Rama, për të korrigjuar revoltën dhe algoritmin e saj, iu fut të sistemojë edhe vetë eposin e Homerit, kur përmendi krahasimin me sirenat që po e tundonin rrugën e tij dhe Shqipërisë drejt shtëpisë, Evropës.
Nëse Odisea i Homerit urdhëroi shokët e tij të dyllosnin veshët, për të mos dëgjuar thirrjen e ëmbël të sirenave dhe atë vetë ta lidhnin fort pas direkut por me veshë hapur, “Uliksi” ynë i harroi këto pajisje si për veten ashtu dhe për shokët… dhe papritur në vend të Itakës u gjend në bregun e Arubës, Venezuelës, Kolumbisë aty pranë.
Është e vërtetë dhe s’ka nevojë të provohet që Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë në Aruba, Curaçao apo Guayaquil, nuk ka përse të shkojë. Por kullat shumëkatëshe, resortet milionëshe, investimet oligarkike plot me pluhur dhe krim, po.
Nuk mund të ketë fakte dhe barrë faktesh më të provuara se sa ato që shihen në Tiranë ku kullat kanë rrethuar kryeqytetin e Shqipërisë me investime të vendosura në Karaibe dhe të vulosura në anijen e heroit kallp.
Nuk mund të ketë provë dhe tradhti më të madhe se sa ajo që shohin sytë e shqiptarit në Butrint.
Anija e Uliksit tashmë është ankoruar në Aruba, provë që Shqipëria duhet të nxitojë e të ndërtojë një anije tjetër. Dhe të gjejë një tjetër hero, për të lundruar për në “Itakën” e Evropës.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






