Për shumicën e njerëzve duket e pakuptimtë. Të hidhesh nga një avion, të ecësh mbi një litar të tendosur mes maleve apo të fluturosh me parashutё pranë shkëmbinjve duket si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj vdekjes. Por për ata që e jetojnë këtë botë, historia është krejt tjetër.
Vetëm gjatë një fundjave, tre aksidente tragjike tronditën komunitetin e sporteve ekstreme. Në Missouri, një avion me parashutistë u rrëzua pak sekonda pas ngritjes, duke lënë 12 viktima. Në Utah humbi jetën Andy Lewis, kampion i slackline dhe një nga figurat më të njohura të disiplinës. Ndërsa në Brazil, një 21-vjeçare vdiq gjatë një hedhjeje me litar pasi nuk ishte lidhur siç duhet me pajisjet e sigurisë.
Për shumëkënd, pyetja është e natyrshme: pse vazhdojnë?
Jeff Shapiro, sportist profesionist, ka kaluar dekada në ngjitje malore, fluturime me parashutë dhe sporte të tjera me rrezik të lartë. Ai thotë se humbja e miqve është pothuajse pjesë e pashmangshme e kësaj bote.
“Nëse merresh seriozisht me këto sporte, do të humbasësh njerëz. Nëse merresh me disa prej tyre njëkohësisht, do të humbasësh shumë miq”, thotë ai.
Megjithatë, sipas Shapiros, ideja se sportistët ekstremë janë të varur nga adrenalina është një keqkuptim.
“Nëse po e bën vetëm për adrenalinën, po e bën gabim,” shprehet ai.
Sipas tij, ajo që tërheq shumë sportistë nuk është emocionimi i çastit, por ndjesia e përqendrimit absolut. Në ato sekonda kur jeta varet nga një vendim, koha duket sikur ngadalësohet dhe çdo mendim i panevojshëm zhduket.
Psikologu Kenneth Carter nga Universiteti Emory ka studiuar prej vitesh mënyrën se si sportistët ekstremë përpunojnë frikën. Sipas tij, truri i tyre funksionon ndryshe nga ai i shumicës së njerëzve.
Ata prodhojnë më pak kortizol – hormoni i stresit – dhe më shumë dopaminë. Si rezultat, situatat që për shumicën shkaktojnë panik, tek ata krijojnë qartësi mendore.
“Frika nuk zhduket kurrë. Ata nuk duan që ajo të zhduket. Frika është informacion”, shpjegon Carter.
Në vend që ta shmangin, ata mësojnë ta përdorin si mjet orientimi.
Një shembull është historia e Blake Thacker, 25-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin ajror në Missouri. Ai ishte inxhinier softuerësh, kishte kryer praktikë në NASA dhe po trajnohej për t’u bërë instruktor parashutizmi.
Babai i tij këmbëngul se djali nuk ishte aventurier i pamatur.
“Ai nuk kishte motor, nuk bënte skateboard. Nuk ishte tip që kërkonte rrezikun,” thotë ai.
Edhe nëna e tij kujton se Blake i thoshte shpesh: “E di që është sport i rrezikshëm, por unë nuk jam person që merr rreziqe pa menduar.”
Pikërisht kjo filozofi shpjegon edhe një fenomen që për të tjerët duket i pakuptueshëm. Shumë sportistë vazhdojnё aktivitetin menjëherë pas tragjedive.
Ditën kur avioni me parashutistë u rrëzua pranë Kansas City, një prej sportisteve sapo kishte përfunduar hedhjen e saj. Ajo pa me sytë e saj avionin që u ngrit me miqtë brenda dhe u rrëzua pak minuta më vonë.
Po atë mbrëmje, ajo u hodh sërish me parashutë.
Për Jeff Shapiron, kjo nuk është mungesë ndjeshmërie apo sfidё ndaj fatit.
Ai kujton një aksident të rëndë personal në vitin 2005, kur humbi kontrollin e një deltaplani dhe për pak sa nuk humbi jetën. Pas ngjarjes mendoi seriozisht të hiqte dorë.
Por përgjigjja që i dha vetes ndryshoi gjithçka.
“Nëse do të ndalem për shkak të frikës, atëherë duhet të ndalem së bëri gjithçka. Të futem në një cep, të gjej një punë në zyrë dhe të mos bëj më asgjë që përmban rrezik.”
Të nesërmen ai fluturoi përsëri.
Për shumicën, sportet ekstreme duken si sfidë ndaj vdekjes. Për ata që i praktikojnë, janë një mënyrë për të ndjerё më fort jetën.






