Max Weber, sociologu gjerman që në vitin 1922 e përshkroi burokracinë si sistemin ideal për të garantuar drejtësi dhe barazi, ishte vetë gjerman.
Sot, megjithatë, 84% e gjermanëve i lidhin procedurat burokratike me zemërim, frustrim dhe nervozizëm.
Gjermania, vendi më i pasur në Evropë, po përballet me pasoja të rënda nga burokracia e tepërt. Ajo që dikur konsiderohej modeli ideal i administratës, sot për shumë qytetarë është bërë burim frustrimi.
Më poshtë disa fakte që tregojnë deri ku shtrihet burokracia në këtë vend.
Ndërtimi i 2.500 banesave u bllokua nga një fole milingonash
Në korrik 2024, në zonën Lichterfelde-Süd të Berlinit, punimet për një projekt me 2.500 apartamente u pezulluan pasi në kantier u zbulua një fole e një lloji të mbrojtur milingonash. Autoritetet vendosën se zhvendosja e tyre në vjeshtë do t’i dëmtonte, ndaj ndërtimi u ndal, pavarësisht krizës së strehimit në kryeqytet.
Më parë ishin hardhucat
Në të njëjtin kantier, vite më parë, ligji detyroi punonjësit të kapnin me dorë çdo hardhucë rëre, specie e mbrojtur, dhe ta zhvendosnin përpara nisjes së punimeve. Kjo procedurë mund të kryhej vetëm në muaj të caktuar të vitit, duke vonuar projektin për muaj të tërë.
Dokumentet me e-mail, por gjithsesi në letër
Edhe kur qytetarët i dërgojnë dokumentet me e-mail në bashki, në sportel punonjësit i printojnë të gjitha dhe i arkivojnë në dosje fizike. Nuk bëhet fjalë për mungesë teknologjie, por për procedurë zyrtare.
Ndërron landin? Dosja udhëton me postë
Kur një qytetar transferohet nga një land në tjetrin, zyra e vjetër e financave printon të gjithë dosjen dhe e dërgon me postë te zyra e re. Më pas, punonjësit i hedhin të gjitha të dhënat sërish në kompjuter, një nga një.
Frika nga e kaluara
Mosbesimi ndaj digjitalizimit nuk lidhet vetëm me burokracinë, por edhe me historinë. Gjatë regjimit nazist dhe më pas në Gjermaninë Lindore, të dhënat personale u përdorën për të përndjekur qytetarët. Për këtë arsye, edhe sot shumë institucione shmangin ndarjen e informacionit mes tyre.
Pasoja: administratë e ngadaltë dhe kosto miliardëshe
Çdo institucion funksionon si një “ishull” më vete. Nëse ndryshon zyrën, shteti të kërkon sërish të njëjtat dokumente, sepse sistemet nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Sipas kritikëve, kjo zgjedhje ka sjellë një paralizë administrative që i kushton Gjermanisë miliarda euro çdo vit.
Gjithashtu, e njëjta logjikë burokratike pengon shtrirjen e internetit me fibër optike, si dhe vështirëson punën e profesionistëve të lirë, ndërsa Gjermania mbetet i vetmi shtet i madh evropian pa një aplikacion shtetëror plotësisht funksional.
Burimi: BerlinoMagazine






