Shërbimi suedez i Sigurisë, Säpo, njoftoi se ka ndërhyrë për të ndalur një operacion të inteligjencës ruse, i cili, sipas autoriteteve, synonte të ndikonte në vendimmarrjen e Suedisë dhe të dëmtonte besimin ndaj vendit, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Sipas Säpo-s, operacioni ishte planifikuar dhe drejtuar prej një kohe nga SVR, shërbimi rus i inteligjencës së jashtme, ndërsa në të ishte përfshirë edhe një person i përshkruar si “agjent”, i cili punonte pranë një misioni diplomatik të huaj në Suedi.
Autoritetet suedeze nuk kanë bërë publik emrin e personit dhe as misionin diplomatik ku ai punonte.
Qëllimi, sipas kundërzbulimit suedez, nuk ishte vetëm mbledhja klasike e informacionit.
Operacioni dyshohet se kërkonte të siguronte të dhëna mbi mënyrën se si merren vendimet në Suedi dhe më pas t’i përdorte ato për operacione ndikimi mbi çështje që përçajnë opinionin publik.
Synimi përfundimtar, sipas Säpo-s, ishte dobësimi i vendimmarrjes suedeze dhe diskreditimi i Suedisë, NATO-s dhe BE-së.
“Shërbimi suedez i Sigurisë ndërmori masa për të mbrojtur asetet jetike suedeze dhe për të penguar vazhdimin e ndikimit”, deklaroi Christoffer Wedelin, zëvendësdrejtues i operacioneve në Säpo.
Rasti merr një rëndësi të veçantë për shkak të ndryshimit historik të politikës së sigurisë së Suedisë.
Në vitin 2024, vendi i dha fund rreth dy shekujve të mosangazhimit ushtarak dhe u bë anëtar i NATO-s, një vendim i përshpejtuar nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022.
Që prej atëherë, marrëdhëniet e sigurisë mes Stokholmit dhe Moskës janë bërë edhe më të ndjeshme.
Säpo ka paralajmëruar vazhdimisht se Rusia, së bashku me Kinën dhe Iranin, përbën një nga kërcënimet kryesore të inteligjencës ndaj Suedisë.
Rasti i fundit tregon gjithashtu se përplasja mes Rusisë dhe vendeve evropiane nuk zhvillohet vetëm përmes ushtrive apo diplomacisë. Gjithnjë e më shumë, beteja zhvillohet në një terren shumë më pak të dukshëm: informacioni, polarizimi i shoqërisë dhe ndikimi mbi mënyrën se si qytetarët dhe institucionet marrin vendime.






