Gjykata në Holandë i ka ndaluar Lidl-it të shesë modele sandalesh që imitojnë Birkenstock, duke vendosur se zinxhiri gjerman i supermarketeve ka cenuar të drejtat e markës së njohur të këpucëve.
Sipas vendimit, Lidl duhet të ndërpresë shitjen në të gjithë Holandën të modeleve që ngjasojnë me Arizona, Madrid, Gizeh, Boston dhe Florida të Birkenstock. Nëse nuk zbaton urdhrin, kompania rrezikon një gjobë prej 5 mijë eurosh për çdo ditë.
Gjykata vendosi gjithashtu që Lidl t’i dorëzojë Birkenstock të dhënat për shitjet e produkteve në fjalë, të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe ta kompensojë kompaninë për dëmin. Shuma e kompensimit do të përcaktohet në procese të veçanta.
Në qendër të çështjes ishte dizajni karakteristik i shollës së Birkenstock, për të cilin gjykata konstatoi se Lidl kishte cenuar të drejtat e markës. Vendimi mund të apelohet.
Birkenstock e përshëndeti vendimin, duke deklaruar se ai dërgon një mesazh të qartë se kompanitë që kopjojnë produkte nuk duhet të lejohen të përfitojnë nga krijimtaria dhe inovacioni i të tjerëve. Kompania tha se do të vazhdojë të përdorë mjetet ligjore kundër imitimit të produkteve të saj.
Kjo nuk është beteja e parë ligjore e Birkenstock për mbrojtjen e modeleve të saj. Në nëntor 2025, një tjetër gjykatë holandeze ndaloi shitësin Scapino të tregtonte produkte të ngjashme, megjithëse ai vendim është apeluar.
Në dhjetor të të njëjtit vit, gjykata më e lartë e Bashkimit Europian vendosi se edhe produktet e zakonshme tregtare mund të mbrohen nga e drejta e autorit kur përmbajnë zgjedhje krijuese në dizajn. Por Birkenstock kishte marrë më herët një vendim të kundërt në Gjermani, ku gjykata më e lartë e vendit arriti në përfundimin se sandalet e kompanisë janë produkte praktike dhe jo vepra arti.
Përplasjet për kopjimin e dizajneve janë të shpeshta në industrinë e modës. Edhe marka të tjera të njohura, si Dr. Martens dhe Christian Louboutin, kanë zhvilluar beteja të gjata gjyqësore për të mbrojtur elementet karakteristike të produkteve të tyre.






