Më shumë se 45 mijë nxënës në Gjermani lanë mësimin të premten dhe dolën në protesta kundër planeve që, sipas tyre, po e çojnë vendin gradualisht drejt rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Protestat u zhvilluan në më shumë se 100 qytete, pasi Ministria gjermane e Mbrojtjes nisi të thërrasë 18-vjeçarët për kontrolle mjekësore. Organizatorët e nismës “School Strike Against Conscription” deklaruan se thirrje kanë marrë edhe qindra të rinj që në pyetësorin përkatës kishin shënuar 0 nga 10 për interesin për të shërbyer në ushtri.
Ligji i ri për shërbimin ushtarak, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2026, kërkon që të gjithë meshkujt që mbushin 18 vjeç të plotësojnë një pyetësor mbi gjendjen fizike, aftësitë dhe interesin e tyre për t’iu bashkuar Bundeswehr-it. Shërbimi ushtarak aktualisht mbetet vullnetar, por kontrollet mjekësore janë të detyrueshme për meshkujt e lindur në vitin 2008 e më pas dhe po zbatohen gradualisht për shkak të kapaciteteve të kufizuara. Kontrollet në shkallë kombëtare parashikohet të zhvillohen nga mesi i vitit 2027.
Të rinjtë që protestuan kërkojnë ndalimin e kontrolleve të detyrueshme mjekësore dhe shfuqizimin e ligjit të ri, duke argumentuar se masat përbëjnë hapa drejt rikthimit gradual të rekrutimit të detyrueshëm.
Gjermania po përpiqet ndërkohë të zgjerojë ndjeshëm forcat e saj të armatosura. Bundeswehr-i ka aktualisht rreth 186,400 trupa aktive, ndërsa Ministria e Mbrojtjes synon ta çojë numrin në më shumë se 260 mijë deri në vitin 2035, çka do të kërkonte rreth 20 mijë rekrutë të rinj çdo vit.
Nëse rekrutimi vullnetar nuk arrin objektivat e vendosura, çështja do të duhet të rikthehet në parlament, i cili mund të shqyrtojë forma të tjera rekrutimi, përfshirë edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.




