Nga Preç Zogaj
Sot, kur gjithë vëmendjen e publikut e ka marrë superskandali i fshehjes së një të kërkuari në arrati nga vetë kryetarja, tashmë e shkarkuar, e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe nga zyrtarë të tjerë me grada dhe poste në Policinë e Shtetit, është rasti të kuptojmë edhe një herë një gjë të thjeshtë: sa të vështirë e kanë rojtarët besnikë të ligjit dhe shtetit, aq sa janë, në një ekosistem politik të degraduar në ekstrem prej vitesh nga simbioza e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim në shumë segmente të qeverisjes qendrore dhe vendore.
Është e vërtetë se këta rojtarë të ligjit dhe shtetit bëjnë detyrën për të cilën paguhen. Me siguri kështu e mendojnë edhe ata vetë, përndryshe do t’u kishte marrë koka erë me kohë. Por, sado modestë e kokulur të jenë, ata janë heronj. Heronj në kontekstin e tradhtisë që ndeshin në institucione shtetërore që duhet t’i kenë në krah, por që u punojnë prapa krahëve, duke u bërë njësh me krimin dhe kriminelët.
Për një situatë të tmerrshme si kjo, mendjendrituri Monteskie do të thoshte se është helmuar vetë ilaçi – vetë institucioni që ekziston për të luftuar të keqen.
Kush mund ta imagjinonte se i shumëkërkuari E.Agasi fshihej në veturën e shefes së shërbimit sekret të Republikës dhe ishte nën mbrojtjen e saj në çdo hap të ilegalitetit të tij?
Kushdo i merr me mend vështirësitë për t’u rënë në gjurmë një të kërkuari të tillë dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Për fat, jo gjithë institucionet shtetërore janë një ilaç i helmuar. SPAK është kryesori ndër ta që po e lufton të keqen kudo ku shfaqet, pa parë as majtas, as djathtas. Sot është rasti t’u themi një bravo të madhe prokurorëve të këtij institucioni, Altin Dumanit e Bledar Maksutit, që kanë udhëhequr hetimin e një afere korruptive komplekse me përfshirje të gjerë politike si ajo e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit).
Kjo agjenci ishte promovuar si një mrekulli e qeverisjes digjitale, sipas narrativës zyrtare, por ka rezultuar të jetë edhe një depozitë e madhe parash për oktapodët e korrupsionit dhe krimit në sistem, sipas hetimeve të deritanishme.
Një bravo të veçantë gjithashtu për zbulimin dhe vënien nën akuzë së fundmi të ish-kryetares së SHISH, duke qenë në detyrë, për dy vepra penale: përkrahje e autorit të krimit dhe nxjerrje e sekreteve shtetërore.
Dumani, që udhëhoqi si drejtues i SPAK për disa vite normalizimin e hetimit në sferat e larta dhe jetësimin e parimit “askush mbi ligjin” – duke zgjidhur nyjen gordiane të krizës endemike të drejtësisë sonë (pa hetim dhe akuzë s’ka as gjykatë) – shfaqet përsëri po ai që njohim.
Kësaj radhe si prokuror i thjeshtë, që vazhdon të japë shembullin dhe të jetë me kolegun e tij Maksuti dhe gjithë ekipin e SPAK në misionin historik të vendosjes së sundimit të ligjit në Shqipëri.
Tingëllon si parullë kur e dëgjon, por ka vlerën e një ngjarjeje që ndan historinë tonë: para dhe pas xhunglës; para dhe pas pandëshkueshmërisë në sistem; para dhe pas sundimit të bajraktarëve politikë.
I vënë në jetë, i bërë normë e jetës dhe civilizimit tonë, ky parim ka ndërkaq vlerën e kartës “magjike” për të hapur portën e fundit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pa të nuk hapet.
Establishmenti politik Rama-Berisha është në kundërshti dhe hipokrizi kur, nga një anë, predikon me fjalë integrimin në BE dhe, nga ana tjetër – duke qenë vetë ose bashkëpunëtorët e tyre subjekte të hetimeve – janë në një betim të shenjtë nga pozicionet respektive kundër SPAK. Veç mos u rëntë në dorë!
Nuk do t’u bjerë në dorë. As ky që është, e as ai që do të vijë pas tij. Me gjithë mangësitë apo gabimet që bën rrugës, është vetë SPAK që po shënon me hetimet e veta pa tabu dhe me përvojën që fiton, stadin e një pavarësie të pacënueshme e të pakthyeshme. Koha dhe ngjarjet punojnë për këtë pavarësi. Pra, mbështetja e tij nga BE-ja mbetet konstante.
Ardhja dje e ambasadorit të ri të SHBA-së, Eric Wendt, shkon në këtë linjë. Nisur nga prioritetet e tij të shpallura, ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit janë në krye të listës, ka arsye të besohet plotësisht se SPAK do të marrë më shumë forcë e frymëzim nga mbështetja e aleatit strategjik.
Në fakt, ende pa mbërritur ai në Tiranë, SPAK e përshëndeti përfaqësuesin më të lartë të SHBA-së me disa akte të rëndësishme, siç është thellimi i hetimeve ndaj aferave të dyshuara të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo vënia nën akuzë e Vjosa Hysenit, që çoi në shkarkimin e saj.
E ardhmja premton ditë të këqija për korrupsionin dhe krimin. Ditë të mira për vendin.
Burimi: Marrë nga mapo.al






