Më 6 tetor 2025, pak para orës 15:40, gjyqtari Astrit Kalaja lexoi një vendim. Bëri atë që kishte bërë për vite në sallat e Gjykatës së Apelit. Sapo mbaroi së shpalluri verdiktin, një djalë i ri, me një qetësi dhe armë vrastare, nga fare pranë e qëlloi tri herë. Pastaj doli nga salla ku kreu krimin, ia la pistoletën një nëpunësi të gjykatës në sallën ngjitur, zbriti në oborrin e gjykatës dhe priti në sy të të gjithëve dhe kamerave të sigurisë të vinin dhe ta kapnin. Kur mbërritën policët, të hutuar, ai vetë u thirri: jam unë vrasësi.
355 ditë më vonë, Prokuroria e Tiranës njoftoi se “mbylli hetimet” dhe i komunikoi akuzën Elvis Shkambit, vrasësit me pistoletë. Njëmbëdhjetë muaj e njëzet ditë u deshën për të zbardhur dhe hetuar një krim me dëshmitarë okularë: sekretaren, palët dhe avokatët, me armën e sekuestruar ende me fishek në fole, me një autor që tregoi motivin, orën, mënyrën, madje edhe atë që i vloi në kokë kur dëgjoi vendimin.
Çfarë duhet të hetohej në gjithë këtë kohë (1 vit)? Çfarë duhej zbuluar nga një vrasje që u “pa” nga gjithë Shqipëria me autorin që priste si rrallëherë të dorëzohej dhe pranonte krimin te vendi i krimit?
Prokuroria do të thotë: hetuam xhaxhain bashkëpunëtor, dyshimin se Gjon Shkambi (xhaxhai) e nxiti nipin. Dhe ky dyshim ishte serioz. Por Kodi i Procedurës Penale njeh veçimin e procedimeve, një praktikë që prokurorët tanë e përdorin në dhjetëra raste, sa herë u leverdis. Asgjë nuk i pengonte ta dërgonin autorin e vetërrëfyer në gjyq brenda muajit të parë dhe të vazhdonin me xhaxhain sa të duheshin hetime dhe hulumtime. Ndërsa e mbajtën “peng” hetimin dhe gjykimin brenda një telefoni të pasofistikuar celular.
E pastaj vetë telefoni si ekuacion me shumë të panjohura kërkoi shtyrje pas shtyrje hetimesh tremujore. Tetë muaj për të lexuar një celular, në një çështje ku është vrarë një gjyqtar.
Nëse kaq shumë zgjat për të vetët, sa zgjat hetimi apo ekspertimi për të tjerët?
Neni 79/a i Kodit Penal të dënon edhe kur s’ke “paramendim”. Mjafton që viktima të jetë gjyqtar dhe të jetë vrarë për shkak të detyrës dhe dënimi është përnjëmend i garantuar, i rëndë. Dhe gjyqtari Astrit Kalaja u vra pikërisht për vendimin që sapo kishte shpallur në sallën ku u vra. Kualifikimi i veprës penale ishte gati dhe i shkruar që në mbrëmjen e 6 tetorit 2025. Nuk kishte nevojë për “superhetim”.
Ligji e ka diktuar hetimin me afat bazë tre muaj; zgjatja është përjashtim. Dhe përjashtimi nuk lejohet të bëhet rregull, ndërsa rregulli zakon.
Kjo vonesë e stërzgjatur “hetimore” nuk ndihmoi askënd. As familjen Kalaja që vuan pasojën e krimit, dhe as vetë vrasësin Elvis Shkambi, i cili “ka të drejtë” të dijë sa më shpejt se çfarë e pret.
Një drejtësi që nuk respekton afatet e veta nuk i shërben as viktimës, as të pandehurit, por vetëm rrogës së saj.
Vrasja e 6 tetorit 2025 po shkruan një akuzë tjetër brenda akuzës që s’kishte nevojë për hetime.
Ajo akuzon drejtësinë e zvarritur, që zhgërryhet në padrejtësi edhe kur vetë bëhet viktimë e plumbave të saj.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





