Pothuajse tre të katërtat e grave në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të vetëdijshme se menopauza mund të lidhet me shfaqjen e një sëmundjeje të re mendore. Të dhënat vijnë nga një sondazh i YouGov, i porositur nga Kolegji Mbretëror i Psikiatërve (RCPsych), i cili përfaqëson më shumë se 20 mijë psikiatër.
Sipas sondazhit, vetëm 28% e grave janë të ndërgjegjshme se menopauza mund të shoqërohet me zhvillimin e një çrregullimi të ri mendor. Në të kundërt, 93% e lidhin menopauzën me afshe të nxehta dhe 76% me ulje të dëshirës seksuale. Kjo mospërputhje në njohuri, sipas raportit, bën që shumë gra të mos kërkojnë ose të mos marrin ndihmën e nevojshme.
Për shkak të këtij boshllëku informimi, RCPsych ka publikuar njё deklaratё për të rritur ndërgjegjësimin mbi lidhjen mes menopauzës dhe shëndetit mendor.
Dr. Lade Smith, presidente e kolegjit, theksoi se menopauza mund të ketë një ndikim të thellë dhe shpesh të anashkaluar në mirëqenien psikologjike të grave. “Gratë përbëjnë 51% të popullsisë dhe të gjitha do ta përjetojnë menopauzën në një moment të jetës. Ky është një problem shoqëror për të gjithë,” u shpreh ajo.
Raporti nënvizon se gjatë perimenopauzës – periudha tranzitore para menopauzës – rreziqet për shëndetin mendor rriten ndjeshëm. Ankthi dhe ndryshimet e humorit janë të zakonshme për shkak të luhatjeve hormonale, por për disa gra rreziku është shumë më serioz. Gratë në perimenopauzë kanë më shumë se dyfishin e gjasave për të zhvilluar çrregullim bipolar dhe 30% më shumë gjasa për të zhvilluar depresion klinik. Ndryshimet hormonale dhe fizike mund të shkaktojnë gjithashtu rikthim ose shfaqje të çrregullimeve të të ngrënit. Po ashtu, shkalla e vetëvrasjeve është më e lartë tek gratë në moshën e menopauzës.
Dr. Cath Durkin, bashkë-udhëheqëse presidenciale për gratë dhe shëndetin mendor në RCPsych, paralajmëroi se për gratë me çrregullim bipolar ose në rrezik për ta zhvilluar atë, perimenopauza përbën një periudhë veçanërisht të ndjeshme klinike, e cila historikisht ka qenë e nënvlerësuar. Raporti thekson gjithashtu se gratë bipolare që kanë përjetuar depresion pas lindjes ose simptoma të theksuara para ciklit menstrual janë në rrezik më të lartë për rikthim depresiv gjatë menopauzës.
Një tjetër studim nga University College London, i publikuar në revistën “Post Reproductive Health”, zbuloi se 58% e grave me ngjyrë në Mbretërinë e Bashkuar ndiheshin plotësisht të painformuara rreth menopauzës, ndërsa shumë prej tyre e konsideronin përvojën “psikologjikisht të dëmshme”. Më shumë se gjysma (53%) raportuan ankth, por shumë prej tyre u diagnostikuan gabimisht me ankth ose depresion, jo me menopauzë, kur iu drejtuan mjekut të familjes. Si pasojë, vetëm 23% morën terapi zëvendësuese hormonale (HRT) për menaxhimin e simptomave.
Prezantuesja televizive dhe autorja e librit “Menopauza”, Davina McCall, mbështeti qëndrimin e RCPsych, duke theksuar se stigma dhe mungesa e njohurive vazhdojnë të pengojnë bisedat e hapura mes mjekëve dhe pacienteve, në vendin e punës dhe në familje. “Gratë ende po luftojnë për t’u dëgjuar,” u shpreh ajo.
Edhe Janet Lindsay, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Wellbeing of Women, deklaroi se për shumë kohë simptomat e grave janë shpërfillur ose keqkuptuar, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim më të madh, kujdes të integruar, politika më të mira në vendin e punës dhe më shumë kërkime shkencore.
(Burimi: The Guardian)






