Për shqiptarët që porosisin çdo ditë produkte online nga Temu, Shein apo Amazon, lajmet nuk janë të mira. Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme po fillon të ndikojë drejtpërdrejt zinxhirët globalë të furnizimit, duke rritur kostot e transportit dhe duke zgjatur kohën e dërgesave në shumë vende të botës.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe konsumatorët në Shqipëri mund ta ndjejnë këtë efekt, pasi shumica e porosive nga platformat e mëdha të tregtisë elektronike, sidomos nga Temu, kalojnë përmes rrugëve ndërkombëtare të transportit që po preken nga tensionet ushtarake në rajon.
Një nga pikat më kritike është Ngushtica e Hormuzit, rruga më e rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe mallrave. Për shkak të sulmeve dhe tensioneve në Gjirin Persik, transporti në këtë korridor është bërë më i pasigurt, duke rritur tarifat e transportit, sigurimit dhe kohën e tranzitit për shumë dërgesa ndërkombëtare.
Si pasojë, disa kompani po paralajmërojnë se klientët mund të përballen me vonesa dhe çmime më të larta për produktet që porosisin online.
Amazon ka bërë të ditur se po merr masa paraprake për të përshtatur operacionet e saj në rajon, duke theksuar se prioritet mbetet siguria e punonjësve dhe partnerëve. Sipas raportimeve, dy qendra të të dhënave të kompanisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein janë dëmtuar nga sulme me dronë, çka ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të shërbimeve.
Megjithëse Amazon nuk ka konfirmuar zyrtarisht vonesa specifike për dërgesat, raportime të mediave ndërkombëtare tregojnë se kompania ka zgjatur afatet e dorëzimit me të paktën 10 ditë për disa produkte. Në disa raste, koha e dorëzimit që zakonisht ishte më pak se 35 ditë tashmë shfaqet nga 35 deri në 45 ditë.
Ndërkohë, gjigantët e tregtisë online Temu dhe Shein kanë paralajmëruar gjithashtu për vonesa disa ditore në dërgesa, ndërsa kompanitë e mëdha të transportit detar kanë filluar të shtojnë tarifa shtesë për shkak të konfliktit.
Kompania CMA CGM ka vendosur një tarifë të re të quajtur “emergency conflict surcharge” (tarifë shtesë për situatë konflikti), ndërsa Hapag-Lloyd ka shtuar një tarifë të veçantë për “rrezikun e luftës” në transport. Këto kosto shtesë zakonisht përfundojnë duke u reflektuar në çmimin final që paguajnë konsumatorët.
Në të njëjtën kohë, disa kompani të mëdha transporti po ndryshojnë rrugët e anijeve për të shmangur zonat e rrezikut. Disa dërgesa po devijohen përmes Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut, një rrugë shumë më e gjatë që mund të shtojë javë të tëra në kohën e transportit.
Edhe pse Ngushtica e Hormuzit lidhet kryesisht me tregtinë e energjisë, ajo është gjithashtu një pikë kyçe për tregtinë rajonale. Përmes saj kalohet drejt portit Jebel Ali në Dubai, një nga portet më të mëdha të kontejnerëve në botë dhe një qendër shpërndarjeje për shumë vende.
Përmes këtij korridori transportohen jo vetëm nafta, por edhe makina, pajisje industriale, produkte bujqësore, kozmetikë dhe mallra të tjera që më pas shpërndahen globalisht.
Nëse konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon, analistët paralajmërojnë se vonesat në porositë online dhe rritja e kostove të transportit mund të bëhen edhe më të dukshme, duke prekur konsumatorët në mbarë botën – përfshirë edhe ata në Shqipëri, të cilët janë bërë gjithnjë e më të varur nga blerjet online.
(Burimi: The Citizen / AFP)






