Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca dhe partnerët e saj po përgatisin një mision “thjesht mbrojtës” për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Duke folur ditёn e sotme pas një takimi në Qipro me presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, Macron tha se po punohet për krijimin e një misioni shoqërues për anijet tregtare. Sipas tij, operacioni do të jetë plotësisht mbrojtës dhe do të organizohet në bashkëpunim me vende evropiane dhe joevropiane.
Macron theksoi se qëllimi i kësaj nisme është sigurimi i lundrimit në një nga korridoret më strategjike të botës, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm.
Në kuadër të misionit detar të Bashkimit Evropian “Aspides” në Detin e Kuq, Franca do të dërgojë dy anije luftarake për të mbështetur operacionet e sigurisë detare.
Presidenti francez mbërriti në Qipro për të diskutuar çështjet e sigurisë rajonale, ndërsa Parisi ka rritur praninë ushtarake në Mesdhe për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili tashmë ka hyrë në javën e dytë.
Qiproja, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, u godit javën e kaluar nga dronë të prodhimit iranian. Pas sulmit, Macron urdhëroi vendosjen në Mesdhe të aeroplanmbajtëses franceze Charles de Gaulle, së bashku me një fregatë dhe njësi të mbrojtjes ajrore në ishull.
Sipas Pallatit Elysee, aeroplanmbajtësja ndodhet aktualisht pranë brigjeve të Kretës. Macron pritej ta vizitonte atë gjatë pasdites së së hënës për të shprehur solidaritetin me Qipron dhe për të prezantuar masat për forcimin e sigurisë në ishull dhe në Mesdheun Lindor.
Para vizitës, Macron zhvilloi biseda telefonike me presidentin amerikan dhe me drejtuesit iranianë për situatën në rajon. Po ashtu ai foli edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Liban.
Gjatë qëndrimit në Qipro, liderët e Francës, Greqisë dhe Qipros diskutuan edhe për lirinë e lundrimit dhe sigurinë detare në Detin e Kuq dhe në Ngushticën e Hormuzit, ku janë regjistruar sulme të shumta që nga fillimi i luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt.
Zëdhënësi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letymbiotis, tha se vizita e Macronit shërben për të vlerësuar nivelin e lartë të koordinimit mes tre vendeve në përballimin e krizës dhe në forcimin e sigurisë në rajon.
(Burimi: France 24 dhe AFP)






