Në javët e modës gjithçka duket më spektakolare se kurrë: pasarela të transmetuara live, debate të pafundme në rrjetet sociale dhe yje të famshëm të ulur në rreshtat e parë. Por në të njëjtën kohë lind edhe një pyetje gjithnjë e më e shpeshtë: për kë po bëhet moda sot?
Një moment simbolik erdhi gjatë shfaqjes së Prada për sezonin vjeshtë-dimër 2026 në Javën e Modës në Milano, kur në rreshtin e parë u shfaqën Mark Zuckerberg, drejtori i Meta, dhe bashkëshortja e tij Priscilla Chan. Chan mbante një pallto Prada me çmim rreth 11,500 euro, një nga ato veshje që për shumicën e njerëzve mbeten vetëm fantazi.
Industria e modës nuk ka qenë kurrë kaq e pranishme në jetën e përditshme. Sfilatat transmetohen online, markat konkurrojnë për të veshur personazhe të famshëm dhe rrjetet sociale si TikTok apo Instagram e kanë kthyer modën në një temë të përditshme diskutimi për miliona njerëz. Breza të rinj ndjekin çdo lëvizje të markave dhe komentojnë koleksionet në kohë reale.
Por ndërsa moda është bërë më e dukshme se kurrë, ajo është bërë edhe më e paarritshme. Çmimet e produkteve luksoze janë rritur ndjeshëm: një çantë Chanel, për shembull, nga rreth 5,800 dollarë në vitin 2019 ka arritur në mbi 10,800 dollarë në vitin 2024. Ndërkohë, disa fustane nga koleksionet e fundit të markave të mëdha kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë.
Kjo krijon një paradoks të ri në industrinë e modës: publiku i gjerë e ndjek modën më shumë se kurrë, por produktet për të cilat flitet janë të paarritshme për shumicën e njerëzve. Ideja është që brezat e rinj të tërhiqen nga markat përmes rrjeteve sociale dhe më pas të blejnë produkte më të përballueshme si parfume apo kozmetikë. Por shumë të rinj sot janë më skeptikë ndaj këtij modeli.
Kjo ndjesi kontradiktore u bë edhe më e dukshme gjatë shfaqjes së Prada-s, ku koleksioni u fokusua në idenë e shtresëzimit të veshjeve dhe ritmin e shpejtë të jetës moderne të grave. Në pasarelë u prezantuan 60 kombinime veshjesh, ku të njëjtat pjesë ndryshonin vazhdimisht për të krijuar pamje të reja.

Foto: Miguel Medina / AFP / Getty Images
Megjithatë, për shumë të pranishëm, prania e miliarderëve si Zuckerberg në një event të tillë ngriti një tjetër pyetje: a po kthehet moda luksoze gjithnjë e më shumë në një hapësirë të rezervuar për elitën globale të pasurisë?
Sipas revistës Forbes, pasuria e Zuckerberg është rritur nga 72 miliardë dollarë në 177 miliardë dollarë brenda pak vitesh – një shembull i qartë i fuqisë financiare që po hyn gjithnjë e më shumë në botën e modës. Stilistё dhe marka të mëdha tashmë i shohin miliarderët e teknologjisë si klientë të rëndësishëm të luksit.
Edhe vetë stilistja Miuccia Prada e pranon këtë realitet pa shumë iluzione. “Ne stilojmё për njerëz të pasur. Po flasim për rroba shumë të shtrenjta dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë,” tha ajo pas shfaqjes.

Megjithatë, disa stilistё besojnë se moda mund të mbetet një hapësirë më e hapur për publikun. Kreatori Glenn Martens, drejtues artistik i Diesel dhe Maison Margiela, thotë se rrjetet sociale e kanë demokratizuar modën duke i dhënë çdo personi mundësinë të shprehet dhe të kritikojë.
Ndërkohë, disa marka zgjedhin një qasje tjetër: të krijojnë rroba për klientë realë, jo vetëm për spektaklin e rrjeteve sociale. Stilistёt si Simone Bellotti te Jil Sander apo Meryll Rogge te Marni fokusohen tek veshje që mund të përdoren për vite, duke u larguar nga logjika e spektaklit të shpejtë të modës.
Në fund, tensioni mes ideve të mëdha të modës dhe realitetit të çmimeve të saj mund të jetë pikërisht ajo që e bën këtë industri kaq intriguese. Një botë ku moda është kudo në ekranet tona – por shpesh mbetet një luks që vetëm pak njerëz mund ta përballojnë.





(Burimi: CNN)






