Evropa nuk dëshiron të dëgjojë më justifikime nga platformat teknologjike pse nuk mund të verifikojnë moshën e përdoruesve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të martën një aplikacion të ri evropian për verifikimin e moshës, i cili do t’u japë përdoruesve një lloj karte identiteti digjitale për të vërtetuar moshën e tyre në internet — pa ndarë informacionin e tyre personal të ndjeshëm me çdo faqe interneti ose aplikacion që duan të aksesojnë.
Ky veprim vjen në një kohë kur platformat teknologjike përballen me presion global në rritje për të mbrojtur më mirë të rinjtë në internet. Por disa liderë të teknologjisë kanë ngritur shqetësime praktike edhe për privatësinë në lidhje me mbledhjen e informacionit të ndjeshëm të përdoruesve për të verifikuar moshën e tyre. Aplikacioni i ri i Evropës do të ofrojë një zgjidhje të centralizuar që ua heq barrën platformave teknologjike për të verifikuar moshën e përdoruesve.
“Platformat online mund të mbështeten lehtësisht në aplikacionin tonë të verifikimit të moshës. Pra, nuk ka më justifikime”, thanë von der Leyen dhe nënkryetarja ekzekutive e Komisionit të BE-së, Henna Virkkunen, në një deklaratë. “Evropa ofron një zgjidhje falas dhe të lehtë për t’u përdorur që mund t’i mbrojë fëmijët tanë nga përmbajtja e dëmshme dhe e paligjshme.”
Përdoruesit do të verifikojnë moshën e tyre në aplikacionin e ri të Evropës duke ngarkuar një pasaportë ose kartë identiteti, sipas deklaratës. Platformat teknologjike më pas mund të hyjnë në aplikacion për të verifikuar nëse një përdorues është mbi ose nën një moshë të caktuar – për shembull, 16 vjeç ose 18 vjeç, varësisht nga kërkesat lokale – por data e lindjes së përdoruesit dhe informacione të tjera personale nuk do të ndahen. Von der Leyen, në një postim të mërkurën në LinkedIn, shkroi se aplikacioni do të ketë “standardet më të larta të privatësisë në botë”.
Shqetësimet rreth ndikimit të platformave teknologjike, veçanërisht faqeve të mediave sociale, në mirëqenien e të rinjve janë përshkallëzuar që kur një juri e Kalifornisë vendosi muajin e kaluase Meta dhe YouTube ishin përgjegjës për dëmtimin e një vajze të re, duke i krijuar varёsi.
Nga ana tjetёr, një juri e New Mexicos vendosi veҫmas se Meta ishte përgjegjëse për mundësimin e abuzimit seksual të fëmijëve në platformat e saj. Rregullatorët në të gjithë botën i kanë shtyrë kompanitë e teknologjisë të krijojnë më shumë mbrojtje për përdoruesit e rinj ose t’i kufizojnë adoleshentët nga qasja në mediat sociale.
Australia miratoi në dhjetor ligjin e parë në botë që u ndalon fëmijëve nën 16 vjeç të hyjnë në mediat sociale dhe një numër i vogël vendesh të tjera, përfshirë Evropën, duan të ndjekin shembullin.
Në Shtetet e Bashkuara, disa shtete kanë miratuar legjislacion për të detyruar platformat teknologjike të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe të marrin pëlqimin e prindërve kur të miturit krijojnë llogari. Por disa kompani teknologjike kanë ngritur shqetësime praktike për privatësinë në lidhje me kërkesat e verifikimit të moshës.
Drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg, ka mbështetur idenë që dyqanet e aplikacioneve të veprojnë si qendra klerimi të verifikimit të moshës që mund të ndajnë informacionin mbi moshën me operatorët e aplikacioneve; Google dhe Apple kanë argumentuar se propozimi i Zuckerberg do t’i detyronte ata të mblidhnin të dhëna personale të panevojshme edhe nga përdoruesit e rritur që duan të hyjnë në aplikacione të padëmshme.
Aplikacioni i ri i Evropës është “teknikisht gati” dhe së shpejti do të jetë i disponueshëm për qytetarët e BE-së, sipas deklaratës. Shtetet anëtare të BE-së do të jenë në gjendje ta përshtatin aplikacionin sipas ligjeve të tyre të brendshme, duke përfshirë çdo ndalim të mediave sociale që lidhet me moshën, tha për CNN zëdhënësi i teknologjisë së Komisionit Evropian, Thomas Regnier.
Sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, i cili rregullon platformat e mëdha teknologjike, faqet e internetit që duhet të kufizojnë përdoruesit e mitur nuk do të jenë të detyruara të përdorin aplikacionin e ri. Megjithatë, ato duhet të provojnë se mjetet e tyre alternative të verifikimit të moshës janë po aq efektive ose do të përballen me sanksione, tha Regnier. “Ky aplikacion u jep prindërve, mësuesve dhe kujdestarëve një mjet të fuqishëm për të mbrojtur fëmijët”, thanë von der Leyen dhe Virkkunen. “Ne do të kemi tolerancë zero për kompanitë që nuk respektojnë të drejtat e fëmijëve tanë.”
(Burimi: CNN)






