Ndërsa Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) deklaron se ka ndalur pothuajse plotësisht tregtinë detare të Iran, raportimet për anije që vijojnë të kalojnë nëpër Ngushticёn e Hormuzit kanë krijuar konfuzion mbi efektivitetin real të kësaj bllokade.
Sipas admiralit Brad Cooper, bllokada amerikane ndaj porteve iraniane është “zbatuar plotësisht”, duke ndalur brenda më pak se 36 orësh rreth 90% të aktivitetit ekonomik të Iranit, i cili varet nga tregtia detare. Ai theksoi se asnjë anije nuk e ka shkelur bllokadën që nga momenti i vendosjes së saj.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, trafiku tregtar në Ngushticën e Hormuzit – një nga arteriet më të rëndësishme të energjisë globale, përmes së cilës kalon rreth 20% e eksporteve botërore të naftësdhe 80% e eksporteve iraniane të naftës – nuk është ndalur.
Ky paradoks shpjegohet me natyrën e vetë bllokadës. Ajo nuk synon mbylljen fizike të ngushticës, por izolimin e porteve iraniane. Sipas ligjit ndërkombëtar detar, bllokimi i një rruge ujore ndërkombëtare si Hormuzi është i paligjshëm. Për këtë arsye, anijet që nuk kanë lidhje me Iranin lejohen të kalojnë lirshëm.
Në praktikë, kjo do të thotë se një anije mund të kalojë nëpër ngushticë, por të ndalohet më vonë, edhe mijëra kilometra larg, nëse dyshohet se transporton mallra të lidhura me Iranin. Kjo qasje është bërë e mundur falë teknologjisë moderne të gjurmimit dhe mbikëqyrjes.
Sipas analistit dhe ish-kapitenit të Marinës amerikane Carl Schuster, SHBA-të nuk kanë nevojë të vendosin anije brenda Gjirit Persik për të zbatuar bllokadën. Nga mbi një duzinë anijesh që janë në operacion, shumica ndodhen jashtë ngushticës dhe përdorin sisteme të avancuara ajrore dhe hapësinore për të ndjekur objektivat.
Edhe karakteristikat fizike të transportit detar e favorizojnë këtë strategji. Një tanker i mbushur me naftë lëviz me më pak se 32 km/orë, duke e bërë të lehtë ndjekjen për periudha të gjata. Marina amerikane ka kapacitetin të ndjekë çdo anije që largohet nga Gjiri Persik për javë të tëra, kudo në botë.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) thekson se kjo bllokadë nuk ka kufij të qartë gjeografikë dhe SHBA mund të ndalojnë anije në pothuajse çdo pikë të ujërave ndërkombëtare deri në destinacionin final. Një shembull i kësaj strategjie është sekuestrimi i një tankeri venezuelian në Oqeanin Indian, mijëra kilometra larg portit të origjinës.
Po ashtu, disa përjashtime janë bërë: dërgesat humanitare lejohen, ndërsa anijeve neutrale u është dhënë një periudhë e papërcaktuar për t’u larguar nga portet iraniane. Sipas CENTCOM, gjashtë anije që tentuan të shmangnin bllokadën u ndaluan dhe u detyruan të ndryshonin kurs.
Operacioni përfshin një prani të madhe ushtarake: mbi 12 anije luftarake, më shumë se 100 avionë dhe mbi 10,000 trupa. Këto përfshijnë aeroplanmbajtëse, anije sulmi amfibe, anije transporti, shkatërrues dhe anije luftarake bregdetare, secila me role të specializuara nga mbikëqyrja ajrore deri te ndërhyrja direkte dhe sekuestrimi i anijeve.
Pavarësisht kësaj force, hapësira e veprimit të Iranit mbetet e kufizuar. Anijet e vogla sulmuese të Gardës Revolucionare Islamike janë të dizenjuara për operim në ujëra të ngushta si Hormuzi, jo në det të hapur. Edhe pse Teherani mund të disponojë ende raketa balistike dhe anti-anije, nuk ka prova që ato të kenë goditur ndonjë anije luftarake amerikane në Detin Arabik.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi muajin e kaluar se Irani kishte lëshuar 101 raketa drejt aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, por të gjitha u neutralizuan.
Në këtë mënyrë, bllokada amerikane nuk funksionon si një pengesë fizike e dukshme, por si një rrjet global kontrolli që ndjek dhe ndërpret rrjedhën e tregtisë iraniane kudo që ajo të shfaqet.
(Burimi: CNN)






