Regjisori fitues i Oscarit, Christopher Nolan, ka realizuar një nga projektet më ambicioze të karrierës së tij me filmin “The Odyssey”, një adaptim monumental i poemës së Homerit, i cili tashmë po cilësohet si një nga produksionet më spektakolare të viteve të fundit.

Në vend që të mbështetej te efektet kompjuterike, Nolan zgjodhi t’i xhironte skenat në vende reale, duke e kthyer realizimin e filmit në një aventurë 91-ditore plot sfida për aktorët dhe ekipin teknik. Xhirimet u zhvilluan në Islandë, Marok, Itali, Greqi, Skoci dhe në det të hapur, ku aktorët kaluan ditë të tëra në një anije luftarake nordike 35 metra të gjatë.

Filmi ndjek udhëtimin dhjetëvjeçar të mbretit Odise, të interpretuar nga Matt Damon, pas Luftës së Trojës. Rrugëtimi i tij është i mbushur me beteja, perëndi të zemëruara, mallkime, mbytje, stuhi dhe krijesa mitologjike.
Por, sipas vetë aktorëve, edhe prapaskenat ishin po aq të vështira sa historia që rrëfehej në ekran.
Matt Damon tregoi se në sheshxhirim nuk kishte asnjë trajtim të veçantë për yjet e Hollivudit.
“Nëse je në mes të oqeanit dhe të zë stuhia, lagen të gjithë njësoj. Askush nuk merr një pije të ngrohtë që nuk e merr edhe tjetri. Edhe Christopher Nolan ishte po aq i lagur dhe i ftohur sa ne,” tha ai.
Aktori humbi një sasi të konsiderueshme peshe për të interpretuar mbretin luftëtar, ndërsa xhirimet në çdo vend rezultonin më të vështira se të mëparshmet.

“E mendonim se Islanda do të ishte më e lehtë, por na priti me shi horizontal dhe temperatura ngrirëse. Edhe kur u kthyem në studio në Los Anxhelos, Nolan kishte vendosur dy motorë gjigantë që na hidhnin ujë pa pushim,” kujton Damon.
Një pjesë e madhe e filmit u realizua në det të hapur, ku ekipi kaloi rreth katër muaj. Shumë figurantë u sëmurën nga dallgët, por Nolan vendosi ta kthente edhe këtë në pjesë të filmit.
Kur pa se disa prej tyre po villnin nga lëkundjet e anijes, ai u kërkoi leje që t’i filmonte edhe ato momente, me bindjen se do ta bënin historinë më autentike.
“Rezultati ishte i jashtëzakonshëm. Ishte një ditë e tmerrshme për ne, por disa nga skenat më të bukura të filmit dolën pikërisht atë ditë,” tha regjisori.
Edhe aktorët e tjerë u përballën me kushte ekstreme.
Zendaya, e cila interpreton perëndeshën Athena, tregoi se gjatë xhirimeve në Islandë të ftohtit ishte aq i madh sa nuk mund të shqiptonte replikat.
“Goja ime ishte ngrirë plotësisht. Doja të flisja, por nuk dilte asnjë fjalë. Ishte shumë e sikletshme,” tha ajo.
Charlize Theron, e cila luan nimfën Kalipso, u përball me erëra të forta në shkretëtirën e Marokut. Rëra i godiste sytë me shpejtësi rreth 65 kilometra në orë, derisa u detyrua të ndërpriste xhirimet.
Matt Damon kujtoi se aktorja nuk u ankua pothuajse fare.
“Vetëm kur tha se nuk mund t’i mbante më sytë hapur kuptuam sa shumë po vuante. Askush nuk do ta përballonte atë situatë,” tregoi ai.
Ndërkohë Anne Hathaway, e cila interpreton Penelopën, e krahasoi atmosferën në sheshxhirim me një sallë lindjeje.
“Nuk guxoje të ndёrprisje përqendrimin. Ishte sikur po lindte diçka e madhe dhe askush nuk donte ta prishte atë moment,” u shpreh aktorja.
Edhe Robert Pattinson, që iu bashkua xhirimeve më vonë, tha se nuk kishte parë kurrë një ekip kaq të rraskapitur.
“Kur mbërrita, njerëzit dukeshin të shkatërruar. Nuk kam parë kurrë më parë një lodhje të tillë në një produksion filmi,” tha ai.

“The Odyssey”, me një buxhet rreth 185 milionë paund, është filmi i parë artistik i xhiruar plotësisht me kamera IMAX. Christopher Nolan zbuloi se gjatë realizimit janë përdorur mbi dy milionë këmbë film, një sasi rekord për një produksion të këtij lloji.
Sipas kritikëve, rezultati final justifikon çdo sakrificë. Filmi, me kohëzgjatje afro tre orë, po konsiderohet një nga veprat më madhështore të Nolanit, duke kombinuar spektaklin vizual me besnikërinë ndaj mitologjisë së lashtë greke dhe duke u përmendur që tani si një nga kandidatët kryesorë për sezonin e ardhshëm të çmimeve kinematografike.

Burimi: The Sun






