Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin akademik në Florida, ku dy studentë doktorature të Universitetit të Floridës së Jugut (USF) janë viktima të një krimi të dyfishtë, ndërsa shoku i tyre i banesës është arrestuar si i dyshuar kryesor.
Sipas autoriteteve në Hillsborough County, 26-vjeçari Hisham Abugharbieh është akuzuar për dy vrasje të shkallës së parë me paramendim në lidhje me vdekjen e Zamil Limon, 27 vjeç, dhe Nahida Bristy, të dy studentë nga Bangladeshi.
Trupi i Limonit u gjet të premten në urën Howard Frankland në Tampa, ndërsa Bristy rezulton ende e zhdukur. Hetuesit dyshojnë se ajo mund të ketë humbur jetën, duke u bazuar në sasinë e gjakut të gjetur në apartamentin që ajo ndante me viktimën dhe të dyshuarin.
I dyshuari u arrestua pas një incidenti të lidhur me dhunë në familje dhe gjatë hetimeve u lidh me krimin përmes provave materiale. Përveç akuzave për vrasje, ai përballet edhe me akuza për zhvendosje të paligjshme të trupit, fshehje të vdekjes, manipulim provash, burgim të paligjshëm dhe dhunë fizike.

Ai është paraqitur në gjykatë dhe do të qëndrojë në paraburgim deri në seancën e ardhshme më 28 prill, ku prokurorët pritet të kërkojnë mbajtjen e tij në burg deri në gjyq.
Ndërkohë, ekipet e kërkimit po vijojnë operacionet në zonën përreth urës në Tampa për të gjetur trupin e studentes së zhdukur. Autoritetet kanë theksuar se nuk ka rrezik të vazhdueshëm për komunitetin universitar.
Dy viktimat konsideroheshin studentë të talentuar dhe me të ardhme premtuese. Limon studionte gjeografi dhe shkenca mjedisore, ndërsa Bristy ishte në programin e inxhinierisë kimike.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.

(Burimi: CNN)






