• Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Kryefaqja Investigim

E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”

18 Prill, 2026
në Investigim
E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”
5
SHIKIME
Share on FacebookShare on Twitter

Njё investigim nga Boldnews.al

Bankers Petroleum është një emër i rëndë në ekonominë e brishtë shqiptare. Ndaj, edhe hetimi penal kundër kompanisë koncesionare që operon prej 20 vitesh në operimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve në zonën e pasur të Patoz-Marinzës, pranë Fierit, përbër një interes të shtuar publik.

Fillimisht Prokuroria e Fierit e më tej Prokuroria e Posaçme, po kryejnë prej muajsh një hetim për një skemë të dyshuar masive të pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave në rendin e miliona eurove.

Në dosjen hetimore, të lexuar nga “Boldnews.al” përmenden shumë emra, një pjesë e të cilëve ish-politikanë të rëndësishëm ose biznesmenë të fuqishëm. Natyrisht, të gjithë personazhet e përfshirë në këtë shkrim prezumohen të pafajshëm, derisa drejtësia të thotë fjalën e saj.

Gjithësesi, ata kanë një të përbashkët-janë emrat e dukshëm të dosjes “Bankers Petroleum”.

***

Në fund të qershorit 2025, dy prokurorët e Fierit, Elion Mustafaj dhe Jonida Allushi, i drejtuan gjykatës një kërkesë jo shumë të zakontë. Ata kërkonin caktimin e masave të sigurisë për thuajse të gjithë zinxhirin komandues të kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum”.

Pas një hetimi disa-mujor, të mbështetur nga ekspertët e Drejtorisë së Tatimeve, ishin krijuar dyshime të forta se administratori në detyrë, disa ish-administratorë dhe drejtues të financave të shoqërisë që kontrollon fushën naftë-mbajtëse të Patoz-Marinzës, ishin përfshirë në disa vepra penale.

Në listën e prokurorëve ishin renditur krimet e “Fshehjes së të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Në foto: Selia e kompanisë “Bankers Petroleum Albania”

Gjyqtarja e çështjes, Gladiola Bregu, mori më shumë se një javë kohë për të shqyrtuar,kërkesën e Prokurorisë, para se ta pranonte atë, në 2 korrik 2025.

Zinxhiri komandues i Bankers “nën akuzë”

Administratori aktual i “Bankeres Petroleum”, Hongping Xiao dhe ish-administratori në vitet 2010-2015, Leonidha Çobo, u vendosën në “arrest me burg”. Në “arrest në shtëpi” u vendosën Drejtori i Financës, Lianyi Wang, Menaxheri Financiar, Ardit Kero, Drejtorja e Kontrollit Financiar, Flavia Capo, Audituesi Financiar, Kledi Xhani, dhe Doina Doga, Drejtore e Zinxhirit të Furnizimit pranë “Bankers Petroleum”.

Masa më të lehta sigurimi u aplikuan për Drejtoren tjetër të Kontrollit Financiar, Majlinda Thana, Menaxheren Financiare, Matilda Ibraliu dhe juristin Erton Ademaj.

Krahas tyre, u shpallën në kërkim Suneel Krishan Gupta, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2016-2018), Xingyun Sun, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2018-2020), Qing Fang, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2020-2022), dhe Huangqin Xiao, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2022-2024).

Në foto: Leonidha Çobo, ish-administratori i “Bankers Petroleum”

Në vijim, dosja i kaloi për kompetencë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), nën argumentin se e gjithë skema e dyshuar mashtruese është kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.

Nëntë muaj pas caktimit të masave paraprake të sigurimit nga Gjykata e Fierit, thuajse të gjithë personat e dyshuar janë të lirë, në përfundim të afateve paraprake. Ndërkohë, dy prokuroret e SPAK-ut që po shqyrtojnë dosjen, Anita Jella dhe Enkeleda Millonai kanë përfunduar hetimet dhe, duke nisur nga fundi i Marsit 2026, kanë nisur fazën e komunikimit të akuzave për personat e pandehur.

Për momentin, është e paqartë se sa është vlera reale e dëmit financiar që dyshohet se “Bankers Petroleum” i ka shkaktuar Shtetit. Në njoftimin fillestar, në korrik 2025, Prokuroria e Fierit citonte vlera të përgjithshme “miliona euro”. Shifra e saktë pritet të sqarohet në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Bankers, një “patate e nxehtë”

Rasti nuk ishte aspak i lehtë. Një hetim i ngjashëm ishte zhvilluar edhe në vitin 2015. Por, një dekadë më parë ishte një kohë tërësisht tjetër.

Hetimi i nisur nga Prokuroria e Fierit ndaj kompanisë së regjistruar në zonën off-shore të ishujve Cayman u bllokua fuqishëm nga ambasadori amerikan i kohës, Donald Lu, i cili, për shkak të kësaj çështjeje u përfshi në një kurs përplasjeje me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në foto: Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndërhyri për pushimin e hetimeve ndaj “Bankers”, në vitin 2015

Një dekadë më pas, diplomati Lu ka dalë në pension dhe prokuroria e Fierit iu rikthye sërish hetimit të “Bankers”. Hetimet kanë krijuar dyshimet e arsyeshme tek prokurorët se kompania koncesionare është përfshirë në një skemë gjigante mashtrimi financiar përgjatë të gjithë kohës që ka ushtruar aktivitet tregtar në Shqipëri.

Dyshimi kryesor është fakti se “Bankers Petroleum”, në asnjë vit ushtrimor, nuk ka paguar taksa në arkën e Shtetin Shqiptar, nën argumentin se ka dalë me humbje.

Për prokurorët, rezultatet financiare të “Bankers Petroleum” janë të rreme dhe se ajo ka mbuluar fitimet me shpenzime fiktive, abuzive dhe mbi bazën e bilanceve të rreme.

“Mbretëria e faturave fiktive”

Në vitin 2004, kompania publike e naftës, “Albpetrol” nënshkroi marrëveshjen koncesionare me shoqërinë private “Bankers Petroleum” për nxjerrjen dhe përpunimin e hidrokarbureve në fushën e Patoz-Marinzës.

“Bankers Petroleum” u regjistrua në Shqipëri si degë e huaj e kompanisë “Saxon International Energy Ltd”, me seli në ishujt Cayman.

Të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se “Bankers Petroleum”, përgjatë viteve 2004-2024, ka eksportuar naftë brutor në shumën 598.581.754.111 lekë të reja (rreth 6 miliardë dollarë).

Ndërkohë, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshm e Tatimeve tregojnë se, për të njëjtën periudhë, “Bankers Petroleum” ka deklaruar se ka dalë me humbje, “pavarësisht se janë nxjerrë sasi të konsiderueshme hidrokarburesh nga zona Patoz-Marinzës”, citohet në dosjen e Prokurorisë, të lexuar nga “Boldnews.al”.

Në foto: Pjesë nga dosja hetimore

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Fierit ngriti dyshimin fillestar se “Bankers” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim shmangien e pagimit të taksave për Shtetin Shqiptar.

“Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria dhe punonjësit e saj ka dyshime se janë kryer operacione financiare fiktive, me individë si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, thuhet në dosjen hetimore.

Brenda dokumenteve, prokurorët kanë renditur një sërë emra personash dhe kompanish, të cilat dyshohet se janë vënë në shërbim të “Bankers-it”. Bazë fillestare e hetimit ka qenë veprimtaria e dyshimtë e disa kompanive, të lidhura me ish-administratorin Leonidha Çobo. Veprimet e mëtejshme krijuan dyshime edhe për një seri kompanish e studiosh, të cilat kanë përfituar miliona euro nga “Bankers”.

“Tea Co”

Kompania “Tea Co” është në pronësi të Artur Çobo, vëllait të Leonadhi Çobos, administrator i “Bankers” nga viti 2010 deri në vitin 2015, ndërkohë që ka ushtruar funksioneve të tjera brenda shoqërisë deri në 2019.

Në foto: Artur Çobo (foto e marrë në burime të hapura)

Të dhënat hetimore tregojnë se “Tea Co” ka faturuar rreth 45 milionë euro për shërbimet në favor të “Bankers Petroleum”. Prokuroria ka konstuar se “Tea Co” e Artur Çobos ka përfituar shumat më të mëdha gjatë periudhës që vëllai i tij, Leonidha Çobo ishte drejtues i “Bankers”.

“Vihet re se të ardhurat e kompanisë “Tea Co” bien në mënyrë drastike në vitin 2020, menjherë sapo Leonidha Çobo largohet nga pozicionet drejtuese në “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Në vijim, “Tea Co” ka deklaruar vetëm humbje dhe në vitin 2025 ka pezulluar aktivitetin tregtar.

“Mab Oil”

“Mab Oil” Ltd është një shoqëri me kapital italian, e regjistruar në Britaninë e Madhe. Prokuroria dyshon se Leonidha Çobo ka krijuar një skemë pastrim parash me këtë kompani, të specializuar në procese reklamuese. Prokurorët i mbështesin këtë dyshime edhe në një informacion zyrtar që kanë marrë nga pasardhësit e Çobos në “Bankers”.

“Bankers Petroleum, nën drejtimin e Çobo, ka lidhur një marrëveshje me kompaninë italiane të marketingut, MAB OIL Ltd. Kjo kompani u përzgjodh nga Çobo si konsulent për shitjen e naftës bruto në tregun europian. Por për të përfituar këtë kontratë, kompania italiane duhet t’i kthente mbrapsht Loni Çobos, në formë komisioni, vlera të konsiderueshme parash”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Prokurori.

“LC Consulting Albania”

Në vitin 2019, gjatë kohës që Çobo ishte ende pjesë e “Bankers”, regjistron zyrën e konsulencës “Leonidha Çobo-Person Fizik”, me emrin tregtar “LC Consulting”. Prokuroria dyshon se ai e ka përdorur studion për të “shkarkuar” paratë që kompania e vëllait të tij merrte tek “Bankers Petroleum”.

“Për vitin 2019-2020, Leonidha Çobo faturon “Tea Co” për një shumë totale prej 21 milionë lekë të reja. Këto faturime ndërpriten menjëherë pas dhjetorit 2020, kur përfundon kontrata ndërmjet “Tea Co” dhe “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Krahas faturave për “Tea Co”, subjekti Leonidha Çobo ka deklaruar të ardhurave nga konsulenca edhe për disa subjekte të tjera private, në një total prej 155 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) veprime që prokurorët dyshojnë se janë fiktive.

“LC Consulting” e Çobos ka ofruar shërbime në shumën 31 milionë lekë të reja për kompaninë e naftës, “Al. Global Oil”, kjo e fundit në pronësi të “Europetrol Group”, e njohur për pikat e karburantit “Eida” me aksionerë fundorë Asllan, Skënder, Gerian dhe Eno Kuqi.

Në foto: Pikë karburanti e “Europetrol Group”, në pronësi të familjes Kuqi

Gjithashtu, klient i rëndësishëm i Leonidha Çobos është “H2015” shpk, një studio konsulence e lobimi në pronësi të ish-ministrit demokrat, Besnik Mustafaj dhe djalit të tij, Dardanit. Sipas dosjes së Prokurorisë, “H2015” shpk ka paguar për Çobon fatura në vlerë totale 29.5 milionë lekë të reja.

Një kompani me seli në Bullgari, “GreenHouse Smart Technology LTD”, e cila, siç cilësohet nga prokurorët, “nuk ka asnjë lidhje me tregun e hidrokarbureve”, ka faturuar në favor të studios së Leonidha Çobos rreth 1.8 milionë lekë.

Subjekti “LC Consulting” ka faturuar rreth 10 milionë lekë të reja për kompaninë greke “AS Geotechnology” shërbime, të cilat, sipas dosjes hetimore, “nuk lidhen aspak me ekspertizën e Çobos”.

Në vijim, “Leonidha Çobo-Person Fizik” rezulton se ka faturuar rreth 15 milionë lekë të reja subjektin “C.C.S” shpk, me objekt në fushën e pajisjeve teknologjike dhe me pronarë Genc Likoskëndaj, Arjan Bare dhe Blerind Mehmeti.

Në foto: Sipërmarrësi Genc Likoskëndaj

Prokurorët dyshojnë se këto faturime janë fiktive, pasi Çobo nuk ka ekspertizë në fushën e teknologjisë së informacionit. Nga ana tjetër, dyshimet e tyre forcohen edhe nga fakti se Leonidha Çobo dhe një nga aksionerët e “CCS” shpk, Genc Likoskëndaj, janë ortakë në një subjekt tjetër, “TETRA” shpk.

Edhe nga subjekti “Tetra” shpk, ku Çobo rezulton të jetë aksioner me 20 përqind, rezulton se ai ka faturuar 18 milionë lekë të reja për ekspertizë.

Në vitin 2024, Leonidha Çobo regjistron si subjekt më vete tregtar “LC Consulting”. Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se “Leonidha Çobo-Person Fizik” ka faturuar shërbime konsulence për subjektin “LC Consulting”, po në pronësi të tij, shumën 12.5 milionë lekë të reja.

Gjithashtu, me subjektin e ri, “LC Consulting”, Leonidha Çobo faturon shërbime konsulence në shumën totale prej 78 milionë lekë për “Tetra” shpk, ku është vetë aksioner me Genc Likoskëndaj, për ‘CCS” shpk, por edhe për kompaninë “Bolv OIL”, në pronësi të Behar Çukaj, për të cilën prokurorët kanë theksuar në dosje se “është një subjekt nënkontraktor i Bankers Petroleum”.

Në foto: Sipërmarrësi Behar Çukaj, pronar i “Bolv-Oil”

Subjekti “LC Consulting” ka kryer faturime edhe për disa subjekte të tjera, nga të cilat Prokuroria veçon ato që kanë lidhje me shtetasen Emine Themeli dhe familjarë të saj.

Pensionistja 70-vjeçare ka regjistruar subjektin “Emine Themeli” shpk, me objekt “konsulencë për teknologjinë e informacionit”. Për periudhën 2023-2025, Emine Themeli ka kryer shitje të shërbimeve të saj në shumën totale 21.6 milionë euro, kryesisht tek “LC Consulting” në shumën 8 milionë lekë, si edhe tek “C-Proprieties” shpk, “Factvisor Albania” shpk dhe “FactPlus”, në të cilat ka qenë aksioner djali i saj, Idlir Themeli.

Këto tre kompani, si edhe “Leonidha Çobo” shpk rezulton se kanë të njëjtën adresë për ushtrimin e aktivitetit.

Në foto: Leonidha Çobo dhe familja Themeli kanë regjistruar subjektet në të njëjtën adresë, në Tiranë

Leonidha Çobo ka qenë themelues i “C-Proprieties” shpk. Në Prill të vitit 2024, ai ia shet aksionet e kësaj kompanie shtetasve Emirjon Marku, Aristir Stefa dhe Nertila Demiri, të cilët “rezultojnë përfitues nga qiraja e tokës që i kanë dhënë Bankers Petroleum gjatë kohës që Çobi ishte administrator i saj”.

Një prej blerërsve të rinj, Aristir Stefa rezulton se autorizonte Artur Çobon, vëllain e Leonidha Çobos, që të tërhiqte nga banka paratë që përfitonte nga toka që i kishte dhënë me qira kompanisë “Bankers Petroleum”.

Në foto: “Bankers Petroleum” ka marrë toka të ndryshme me qira në Patoz-Marinëz për aktivitetin e saj

Prokurorët kanë identifikuar edhe një situatë të dyshimtë me kompaninë “C-Proprieties”, gjatë kohës që aksioner ka qenë Leonidha Çobo. Të ardhurat e saj kanë qenë rreth 25 milionë lekë të reja, ndërkohë që shpenzimet për “parapagime të ndryshme”, arrinin në shifra shumë herë më të larta, në rreth 200 milionë lekë të reja.

Të dhënat hetimore tregojnë se “C-Proprieties”, gjatë asaj kohe, ka kryer parapagime për pasuri të paluajtshme në shumën 190 milionë lekë. Gjithashtu, “C-Proprieties” rezulton që ka kryer pagesa edhe për “Tea Co” të vëllait të Çobos, Arturit.

Pas largimit të Çobos nga “C-Proprieties” ajo kontrollohet nga Emirjon Marku, të dy bashkëpunëtorë të ngushtë në disa subjekte tregtare. “C-Proprieties” shpk rezulton se ka faturuar prej vitit 2023 në shumën rreth 13 milionë lekë të reja subjektin “IR” shpk. Kjo e fundit është në pronësi të “Alb-Star” shpk, me aksioner Idajet dhe Sadik Ismailaj. “Shoqëria Alb-Star është një nga nënkontraktorët më të mëdhenj të Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në foto (montazh): Sadik dhe Idajet Ismailaj, pronarët e kompanisë “Albstar”

Nga analiza e detajuar e aktivitetit të Leonidha Çobo, prokurorët thonë se ai ka aktivizuar “një model të përsëritur të transaksioneve me dyshim për mungesë thelbi ekonomik dhe vetë-faturime nëpërmjet entiteteve të kontrolluara prej tij apo të afërmëve…Ato krijojnë dyshime të bazuara për transaksione të stimuluara, shmangie tatimore, pastrim parash dhe justifikim të burimeve të pajustifikuara”.

Skema e zgjeruar

Hetimet penale nuk janë fokusuar vetëm tek Leonidha Çobo. Ato përfshijnë edhe drejtues të tjerë të “Bankers Petroleum”, ku konstatohet e njëjta skëmë e dyshuar e mashtrimit financiar.

Raiffeisen Bank

Marrëveshja koncesionare mes “Albpetrol” dhe “Bankers Petroleum” parashikonte mundësinë që kompania private të kishte llogari bankare jashtë Shqipërisë, me kushtin e vetëm që “ta deklaronte atë pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore-AKBN”.

Nga hetimet ka rezultuar se “Bankers Petroleum” nuk ka deklaruar një llogari bankare pranë “Raiffeisen Bank” në Austri.

Në foto: Selia e “Raiffeisen Bank International” në Vjenë (Austri)

Prokurorët thonë se “shoqëria Bankers, nëpërmjet kësaj llogarie dhe të tjera të padeklaruara jashtë Shqipërisë, transferon dhe kryen pagesa preferenciale ndaj disa subjekteve, si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë, pa raportuar tek asnjë institucion, veprim që dyshohet se e ka kryer që prej vitit 2004”.

Një nga kompanitë që ka përfituar “trajtim preferencial” nga Bankers-i, nëpërmjet pagesave nga llogaria në Raiffeisen Bank në Austri, rezulton “Sherwood International Petroleum”. Kjo shoqëri e regjistruar në Shqipëri si “degë e shoqërisë së huaj” të një kompanie me të njëjtin emër me seli në ishujt Cayman dhe me administrator Huanqin Xiao, i cili rezulton se ka qenë përkohësisht edhe titullar i “Bankers Petroleum”.

Sipas grupit hetimor, ky mekanizëm dyshohet se është përdorur për të shmangur pagesat që Bankers Petroleum duhej të kryente në zbatim të urdhërave të ndryshme ekzekutimit të lëshuara nga gjykatat, pasi në bankat shqiptare llogaritë e saj nuk kishin likujditete.

Shefat e tjerë

Pas largimit të Leonidha Çobos si administrator i “Bankers Petroleum”, në vitin 2016, ai u pasua nga Suneel Krishan Gupta, Xingyun Sun, Qing Fang, Huangqin Xiao dhe Hongping Xiao. Për prokurorinë, të gjithë këta dyshohet se kanë dhënë kontributin e tyre për të rritur fiktivisht shpenzimet e kompanisë koncesionare nëpërmjet faturave të rreme, me qëllim mos-pagesën e taksave në favor të Shtetit Shqiptar.

Në foto: Hongping Xiao, administrator i “Bankers Petroleum” në vitin 2025

Një nga skemat që dyshohet se kanë përdorur është faturimi në shuma të mëdha për ekspertiza të ndryshme financiare dhe ligjore, megjithëse rezulton se “Bankers Petroleum” ka të mirë-strukturuara dhe me staf me pagesa shumë të larta për këto shërbime brenda saj.

Ish-deputeti socialist, Alket Hyseni

Studio ligjore “H&A Law Firm”, e drejtuar nga Alket Hyseni, ish-deputet socialist dhe një nga miqtë e afërt të kryeministrit Edi Rama, për periudhën 2014-2025 ka përfituar rreth 6 milionë euro (588 milionë lekë të reja) për shërbimet që ka ofruar për “Bankers Petroleum”.

Në foto: Avokati dhe ish-deputeti socialist, Alket Hyseni

Një kontroll tatimor konstatoi se “për shumë nga këto shërbime të faturuara për ‘H&A Law Firm’, kompania ‘Bankers Petroleum’ nuk disponon kontrata, justifikime për shërbimin e kryer apo dokumentacion teknik”.

 Ish-ministri demokrat, Eduard Halimi

Studio ligjore “Halimi Law & Tax”, e drejtuar nga Eduard Halimi, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Partisë Demokratike, rezulton që për periudhën 2019-2025 ka përfituar rreth 2.6 milionë euro (276 milionë lekë) për shërbimet e ofruara ndaj “Bankers Petroleum”.

Në foto: Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se “shoqëria ‘Halimi Law & Tax’ rezulton me veprimtari të dyshimtë  fiskale dhe financiare gjatë viteve 2019-2025. Gjatë kësaj periudhe ka realizuar të ardhura totale 276.244.000 lekë vetëm nga një klient i vetëm, Bankers Petroleum. Në vitin 2020, kur kjo studio ka realizuar të ardhurat më të mëdhaja nga Bankers, në vlerën 72.3 milionë lekë, ka pasur vetëm 3 punonjës të regjistruar, pa shtim stafi, gjë që nuk justifikon vëllimin e faturave të larta të deklaruara…”.

Po ashtu, Kontrolli Tatimor, për shumë nga këto shërbime, nuk ka gjetur dokumentacionin ligjor dhe teknik për marrëdhëniet financiare mes “Bankers Petroleum” dhe zyrës së Eduard Halimit.

Avokat Besnik Çerekja

Subjekti “Besnik Çerekja-PF” është krijuar në vitin 2017. Gjatë periudhës 2020-2022, studioja ligjore ka faturuar shumën 274 milionë lekë të reja (rreth 2.7 milionë euro) vetëm për subjektin “Bankers Petroleum”.

Studio ligjore ka pasur vetëm një të punësuar dhe për prokurorinë, “volumi i faturimeve (për Bankers Petroleum) është jashtë çdo logjike ekonomike, profesionale dhe tregtare, për një subjekt me kapacitet real të papërfillshëm” dhe se kjo situatë “përbën indikator të qartë të fiktivitetit të marrëdhënies”.

Në foto: Avokati Besnik Çerekja

Në vitin 2022, Besnik Çerekja pezullon aktivitetin e Personit Fizik. Por, raporti financiar me “Bankers Petroleum” transferohet tek “Studio Ligjore Çerekja”, një subjekt i ri tregtar, që menaxhohet nga bashkëshortja e tij, Eridona Çerekja.

Studioja me 7 punonjës rezulton se ka faturuar 162 milionë lekë të reja (rreth 1.6 milionë euro) për shërbimet që i ka ofruar Bankers-it.

Në vitin 2023, “Studio Çerekja” ka krijuar një subjekt të ri tregtar, “VPM-Vlora Property Management”, me aktivitet dhënie me qira dhe funksioni i pasurive të paluajtshme. 

Prokuroria dyshon se, brenda familjes Çerekja, ka ndodhur “një transferim i qëllimshëm dhe i strukturuar i aktivitetit nga bashkëshorti tek bashkëshortja, me ruajtjen e të njëjtin klient, Bankers Petroleum. Kjo marrëdhënie financiare vazhdon edhe sot, duke e shndërruar më tej në një kapital të investuar në sektorin e pasurive të paluajtshme,…veprime që krijojnë dyshimet për pastrim të produkteve të veprës penale…”. 

Ish-drejtori i Albpetrol, Endri Puka

Shoqëria “Aksent L&BC” administrohet nga Endri Puka, i cili ka mbajtur postin e Administratorit të “Albpetrol” sha për periudhën nga Tetor 2013 deri në janar 2018. Në periudhën 2023-2024, shoqëria e Pukës ka arkëtuar 142 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) nga “Bankers Petroleum.

Në foto: Ish-drejtori i “Albpetrol”, Endri Puka

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është “i dyshimtë. Shërbimet e ofruara janë të paqarta, ndërsa mungesa e dokumentacionit të detajuar për aktivitetin e tyre përforcon dyshimet për faturime fiktive. Subjekti ‘Aksent L&BC’ ka deklaruar 6 punonjës, një numër që nuk është në përputhje me shërbimet e ofruara (për llogari të Bankers Petroleum)”.

 Mirgen Dervishi

Subjekti “Mirgen Dervishi-Person Fizik”, një studio kontabiliteti me maksimumi 10 të punësuar, rezulton se ka faturuar për llogari të shërbimeve ndaj “Bankers Petroleum”rreth 393 milionë lekë të reja (rreth 4 milionë euro), gjatë periudhës 2023-2024.

Zyra, e cila nisi aktivitetin në Fier në vitin 2021, është mbyllur në prill 2025, menjëherë pas përfundimit të raportit financiar me “Bankers-in”. Veprimtaria e subjektit “Mirgen Dervishi-PF” ka krijuar dyshimet e prokurorisë se ai është përdorur për shkarkimin e faturave fiktive të kompanisë koncesionare të naftës.

“Business Corporate Tax Consulting”

Zyra e kontabilitetit me seli në Tiranë, “Business Corporate Tax Consulting”, rezulton se ka faturuar për llogari të shërbimeve të ofruara ndaj “Bankers Petroleum” shumë prej më shumë se 60 milionë lekë të reja, në periudhën 2023-2024.

Ky subjekt është në pronësi të Andi Shytit, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur asnjë punonjës të regjistruar gjatë periudhës që ofronte shërbimin për “Bankers-in”.

“PKF Albania” shpk

Subjekti “PKF Albania” është në pronësi të Taulant Asllani dhe ofron shërbime kontabiliteti. Në vetëm dy fatura në periudhën 2023-2024, kjo zyrë ka faturuar “Bankers Petroleum” në total 67 milionë lekë të reja (mbi 650 mijë euro).

Në foto: Sipërmarrësi Taulant Asllani

Sipas dosjes hetimore, “shërbimet e deklaruara nuk janë pjesë e ndonjë projekti specifik dhe mungesa e transparencës për këtë subjekt nënvizon mundësinë e përdorimit të tij për faturime fiktive nga ana e Bankers Petroleum”.

 Paratë që “fluturuan” jashtë

Prokuroria thotë se, gjatë hetimit, ka krijuar dyshime për një tjetër skemë mashtrimi me fatura fiktive, mbi bazën e raporteve financiare të “Bankers Petroleum” me disa kompani të themeluara në Shqipëri e me pronarë nga Kina apo Kazakistani, të cilat kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash jashtë vendit.

“Qinglong Petroleum”

Kompania “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company” është regjistruar në Shqipëri në dhjetor 2023, si degë e huaja e shoqërisë nga Kazakistani “China International Zoom Material Co Limited”, me përfaqësues ligjor Jiang Yijun dhe administrator Junlin Sheng.

Kompania, fillimisht ka pasur të punësuar vetëm administratorin. Në vitin 2024, stafi është shtuar në 24 persona, pjesa më e madhe nga Kina. Prej tyre, 10 persona nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri, megjithëse rezulton se janë paguar rregullisht.

“Qinglong Petroleum” shpk, në vitin 2024, ka siguruar një fitim të madh, rreth 1.3 milionë euro, ndërkohë që klientët e saj janë “Bankers Petroleum” dhe “Albdrilling” sha.

“Albdrilling” e Behar Çukaj

Kompania “Albdrilling” sha kontrollohet nga “Bolv-Oil” sh.a e Behar Çukaj, një nënkontraktore e rëndësishme e “Bankers Petroleum”, e cila shfaqet edhe në faturat e dyshimta me “LC Consulting” e Leonidha Çobos.

Në foto: Logo e kompanisë “Albdrilling”

Prokuroria konstaton se “Albdrilling” sha, e cila më parë ishte nënkontraktore e drejtëpërdrejtë e Bankers-it, tashmë ndërmjetësohet nga “Qinglong Petroleum”. Ky ndërmjetësim ngriti dyshimet e prokurorisë se është “fiktiv dhe që shfrytëzohet për shpenzime dhe pagesa për persona që nuk janë në Shqipëri, por në Kinë, për të faturuar shërbime me vlerë të lartë, pa kryer realisht punën….Kjo skemë krijon mundësi për transferim të paligjshëm të fondeve jashtë vendit, pastrim parash dhe shmangie nga taksat”.

“Petrosolution”

Shoqëria “Petrosolution” shpk është regjistruar në vitin 2021 në Fier, me pronar shtetasin nga Kazakistani, Ramil Kimurov. Në vitin 2023, aksionet e shoqërisë kalojnë në pronësi të “EXE Petroleum ltd”, e regjistruar në zonën off-shore të Singaporit, me aksionerë shtetasit kinez, Hou Joun dhe Chen Xinming.

Të dhënat zyrtare tregojnë se “Bankers Petroleum” ka paguar rreth 1.6 milionë euro për shërbime të ofruara nga “Petrosolution”. Ndërkohë, kjo e fundit, pjesën më të madhe të kësaj shumë, rreth 1.5 milionë euro, e ka deklaruar se e ka shpenzuar për blerje të materialeve të ndryshme në një kompani në Hong Kong, “Hong Loog Saphire Energy Limited”

Sipas prokurorisë, “shoqëria ‘Petrosolution’ shfaq karakteristikat e një kompanie me funksion normal, e krijuar për qarkullim fondesh ndërkombëtare, me dyshime për veprimtari të parregullta financiare, punësim fiktiv dhe dyshime për pastrim parash”.

“Alb Talent Solution”

Subjekti “Alb Talent Solution” shpk është regjistruar në Fier, në vitin 2021, me pronar shtetasin nga Kazakistani, Dauren Zhamabayev dhe me aktivitet “shërbime konsulence për biznesin”.

Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se pronari, Zhamabayev, ka qëndruar në Shqipëri vetëm për një periudhë disa-ditore, mes korrikut dhe gushtit 2021.

Kompania e tij, “Alb Talent Solution”, rezulton se ka përfituar rreth 15 milionë euro nga “Bankers Petroleum” në periudhën 2022-2025. Kjo shumë, sipas prokurorisë, përbën 98% të xhiros që ka zhvilluar “Alb Talent” në Shqipëri, duke ngritur dyshimet se raporti financiar mes të dyjave ka shërbyer si “kanal formal për të gjeneruar fatura me qëllim rimbursim TVSH-je apo zhvendosje të fitimit në subjekte të kontrolluara, shuma të cilat më pas transferoheshin jashtë Shqipërisë dhe shpërndaheshin në drejtime të ndryshme”.

“Global Energy Solution”

Kompania “Global Energy Solution” është një tjetër subjekt në pronësi të shtetasit kazak, Dauren Zhamabayev, e regjistruar në Fier, në vitin 2021, me objekt “Aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës dhe gazit”. Në dy vitet e para, ajo ka deklaruar zero aktivitet dhe zero të ardhura.

Në periudhën 2023-2025, “Global Energy Solution” faturon “Bankers Petroleum” për një total prej 2 milionë euro (199.5 milionë lekë të reja)

Faturat tatimore tregojnë se “Global Energy Solution” ka nisur shitjet drejt “Bankers Petroleum” në nëntor të vitit 2023, megjithëse deri në dhjetor të atij viti nuk kishte deklaruar asnjë blerje për materialet që ka shënuar se i ka shitur kompanisë koncesionare të naftës në Patoz-Marinëz.

“Global Energy Solution” ka deklaruar gjatë vitit 2024 se ka kryer blerje tek dy kompani kineze, “Santacc Energy co Ltd” dhe Zhongtuo Oil Gas”, për një shumë totale prej rreth 600 mijë euro.

Edhe për këtë rast, bazuar në dokumentat e konsultuar gjatë hetimit penal, Prokuroria dyshon se subjekti “Global Energy Solution” është përdorur nga “Bankers Petroleum” si pjesë e skemës për fshehjen e të ardhurave, për pastrim parash dhe mashtrim tatimor.

Reagimi i Bankers

Informacioni i mësipërm ishte një ekstrakt i dosjes hetimore të Prokurorisë. Ndërkohë, kompania “Bankers”, në një reagim të parë që bëri për këto zhvillime në 3 Korrik 2025, deklaroi se “ishte e përkushtuar që të angazhohen në bashkëpunimin e plotë me autoritetet”.

Bankers rikujtoi gjithashtu historinë e saj, duke theksuar se “..që nga blerja nga aksionarët e mëparshëm në vitin 2016, ekipi ynë i rinovuar i menaxhimit ka ngulitur integritetin thellë në operacionet e BPAL. Ne kemi shfaqur angazhimin tonë ndaj partneritetit me anë të prokurimit më transparent, pajtueshmërisë më rigoroze dhe reduktimit të ndjeshëm të mosmarrëveshjeve”.

(Burimi: Marre nga Boldnews)

Postimi i mëparshëm

21 milionë dollarë për një avion privat: kryeministri i Ontarios nën kritika për luks në kohë krize

Postimi i rradhës

Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

Postimi i rradhës
Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

  • Më të fundit
Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

18 Prill, 2026
Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

18 Prill, 2026
Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

18 Prill, 2026
E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”

E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”

18 Prill, 2026

Postimet e fundit

Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

18 Prill, 2026
Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

18 Prill, 2026
Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

Bashkia Gjirokastër reagon: Nuk jemi të infektuar me HIV/AIDS

18 Prill, 2026
E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”

E majta dhe e djathta tё zhytur nё “arin e zi” kinez / Si u dorovitёn 85 milionё euro nga “Bankers Petroleum”

18 Prill, 2026

Na ndiqni në

KontrasT.al

KontrasT.al - Është një platformë mediatike që informon dhe argëton ndjekësit në 24/7. Lajmi, ngjarja dhe opinioni vijnë për lexuesit me ngjyra më të qarta - në tablonë e realitetit dhe kontraditave të tij.

Shfleto sipas kategorive

  • Aktualitet
  • Argëtim
  • Bota
  • Destinacione
  • Drejtësi-Ligj
  • Ekonomi-Biznes
  • Foto-Lajm
  • Horoskopi
  • Investigim
  • Kinema
  • Kosova
  • Kronika e zezë
  • Ku të shkojmë
  • Kuriozitete
  • Kursi këmbimit
  • Lajme
  • Lajme rozë
  • Letërsi
  • Misc
  • Modë
  • Moti
  • Muzikë
  • Opinion
  • Politikë
  • Portret
  • Psikologji
  • Rubrika artistike
  • Satirë
  • Shënim
  • Shkencë-Teknologji
  • Showbiz
  • Shqipëria
  • Sport
  • Stil jetese
  • Të tjera
  • Teatër
  • Video

Lajmet më të fundit

Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

Dikush t’i gjejë një jurist Presidentit! Edhe dekoratat përfundojnë në Fletoren Zyrtare

18 Prill, 2026
Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

Pas Shqipërisë, edhe në SHBA domatet kthehen në luks – por për arsye krejt të tjera

18 Prill, 2026
  • Rreth nesh
  • Reklamo
  • Politikat e privatësisë
  • Na kontaktoni

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.