Finlanda ka arritur të ulë me rreth 80% numrin e personave të pastrehë gjatë katër dekadave të fundit, duke zbatuar një model që e vendos strehimin e përhershëm përpara trajtimit të problemeve të tjera sociale.
Rreth 40 vjet më parë, vendi kishte afro 20 mijë të pastrehë në një popullsi prej më pak se pesë milionë banorësh, një nga nivelet më të larta në Europë në raport me popullsinë. Sot numri ka zbritur në rreth 4,500 persona, ndërsa në vitin 2023 kishte arritur deri në 3,500.
Në themel të këtij ndryshimi qëndron modeli “Housing First” – “Së pari strehimi”, i zbatuar që nga viti 2008. Në vend që personat e pastrehë të kalojnë fillimisht në strehim të përkohshëm dhe të rrezikojnë të rikthehen përsëri në rrugë, atyre u sigurohet një banesë e përhershme, ndërsa më pas ofrohet mbështetje për problemet ekonomike, sociale apo personale me të cilat përballen.
Sipas specialistes së Ministrisë finlandeze të Mjedisit, Hanna Kettunen, personat e pastrehë kanë përparësi në marrjen e apartamenteve të subvencionuara nga shteti. Finlanda ka investuar gjithashtu në ndërtimin e banesave të përballueshme për qytetarët pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Sektori publik zotëron rreth 11% të të gjithë stokut të banesave në vend, ndërsa kompania publike e strehimit e Helsinkit është një nga pronarët më të mëdhenj të banesave në Finlandë. Për familjet dhe individët me të ardhura të ulëta, ndihma për strehimin përshtatet me nevojat dhe mundësitë e tyre financiare.
Megjithatë, Finlanda ka regjistruar së fundmi një rritje të të pastrehëve me rreth 20% brenda një viti. Kettunen e lidhi këtë me ngadalësimin ekonomik dhe rënien e ndërtimeve.
Modeli finlandez po diskutohet edhe në Irlandë, një vend me popullsi të ngjashme. Finlanda ka rreth 5.65 milionë banorë dhe 4,500 të pastrehë, ndërsa Irlanda, me rreth 5.5 milionë banorë, numëron aktualisht 17,500 persona të pastrehë. Irlanda është zotuar, së bashku me vendet e tjera të BE-së, të synojë përfundimin e fenomenit të të pastrehëve deri në vitin 2030.






