Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti që ka detyruar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme në mbarë vendin, pikërisht në ditën kur festohet tradicionalisht “Fête de la Musique”, festa kombëtare e muzikës që mbledh miliona njerëz në rrugë, sheshe dhe ambiente publike.
Rreth një e treta e territorit francez, përfshirë edhe Parisin, është vendosur nën nivelin më të lartë të alarmit meteorologjik, të ashtuquajturin “alarm i kuq”, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Meteorologët paralajmërojnë se dita e hënë mund të jetë edhe më e nxehtë.
Përballë rrezikut të shtuar për shëndetin publik, qeveria franceze ka ndaluar konsumimin e alkoolit në hapësirat publike në zonat e prekura nga alarmi maksimal. Organizatorëve të aktiviteteve muzikore u është kërkuar të kufizojnë përdorimin dhe shitjen e alkoolit për të mos mbingarkuar shërbimet e emergjencës, të cilat duhet të fokusohen tek personat më të rrezikuar nga temperaturat ekstreme.
Në Paris dhe qytete të tjera janë vendosur pika freskimi me spërkatës uji, ndërsa autoritetet kanë shtuar patrullimet dhe kontrollet për të ndihmuar personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe njerëzit që jetojnë në rrugë.
Njëkohësisht, ushtria dhe shërbimet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut të zjarreve. Qeveria ka urdhëruar gjithashtu monitorim të shtuar të rezervave ujore dhe të sistemeve që furnizojnë me ujë reaktorët bërthamorë të vendit.
Shqetësimi i autoriteteve franceze lidhet edhe me kujtimin e verës tragjike të vitit 2003, kur një valë e fortë të nxehti shkaktoi vdekjen e rreth 15 mijë personave, kryesisht të moshuar.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se gjatë katër viteve të fundit mbi 200 mijë persona në Evropë kanë humbur jetën për shkaqe të lidhura me temperaturat ekstreme, ndërsa shumica e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar me masa të hershme mbrojtëse.
Valët e të nxehtit nuk po godasin vetëm Francën. Italia ka zgjeruar gjithashtu alarmin maksimal për temperaturat e larta në disa qytete të mëdha, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se vera e vitit 2026 mund të jetë ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Evropë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka mbledhur dy herë brenda fundjavës kabinetin e krizës për të koordinuar masat emergjente dhe ka kërkuar përgatitjen e një strategjie afatgjatë për përshtatjen e vendit ndaj temperaturave gjithnjë e më ekstreme, përfshirë zgjerimin e përdorimit të sistemeve të kondicionimit aty ku është e nevojshme.
Në vendin që tradicionalisht feston muzikën dhe jetën në rrugë gjatë natës më të gjatë të verës, këtë vit sfida kryesore nuk janë koncertet, por mbrojtja e qytetarëve nga një vapë që autoritetet e cilësojnë si “të gjerë, të zgjatur dhe intensive”.






