Një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian. Komisioni Europian ka nisur zyrtarisht negociatat me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përfshirë në sistemin europian “Roam Like at Home”, i cili u mundëson përdoruesve të telefonisë celulare të komunikojnë dhe të përdorin internetin gjatë udhëtimeve pa tarifa shtesë roaming, sipas kushteve të paketave të tyre.
Sipas një njoftimi të Komisionit Europian, negociatat dypalëshe kanë nisur me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Synimi është që qytetarët e këtyre vendeve të mund të përdorin telefonat e tyre në territorin e Bashkimit Europian pa kostot shtesë që aktualisht lidhen me shërbimin roaming. E njëjta lehtësi do të vlente edhe për qytetarët e BE-së që udhëtojnë në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, heqja e tarifave shtesë nuk hyn menjëherë në fuqi. Fillimisht duhet të përfundojnë marrëveshjet dypalëshe dhe vendet partnere duhet të përafrojnë plotësisht rregullat e tyre me legjislacionin europian për roaming-un.
“Pasi marrëveshjet të jenë finalizuar dhe partnerët të jenë përafruar plotësisht me rregullat e BE-së për roaming-un, Komisioni do t’i kërkojë Këshillit zgjerimin përkatës të zonës europiane të roaming-ut”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Për Shqipërinë, përfshirja në këtë sistem do të përbënte një lehtësim të rëndësishëm financiar për qytetarët që udhëtojnë, punojnë apo qëndrojnë përkohësisht në vendet e BE-së.
Nisma ka edhe rëndësi politike, pasi synon afrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian, përpara anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.





