Samir Mane është prezantuar si miliarderi i parë, në renditjen e më të pasurve të Shqipërisë. President i konglomeratit “BALFIN Group”, Manes i pëlqen të prezantohet si filantropist.
Por duket se “filantropistët” e vërtetë që kanë financuar suksesin e tij, janë një grup i rrezikshëm kriminal shqiptarësh që trafikonin tonelata kokaine nga Amerika Latine në portet e njohura të Evropës. Paratë e tyre Samir Mane, sipas SPAK, dyshohet se i ka futur në biznesin e ndërtimit.
Një episod nga dosja e hetimit tregon se janë kërkuar të paguhen 3 milionë euro nga Artur Koçeku dhe Alfredo Hamzai, me ndërmjetësimin e Ilir Shtufit, për ndërtimin e 40 vilave në resortin “Green Coast”, në bregun e Palasës në Dhërmi të Vlorës, ku 20% e tyre do t’i përkisnin grupit kriminal.
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), sipas burimeve, dje kanë ushtruar gjatë gjithë ditës kontrolle në zyrat e biznesmenit që ndodhen në Qendrën Tregtare TEG (Tirana East Gate) dhe vende të tjera të aktivitetit të tij, duke e shoqëruar më pas Manen për kontroll banese në rezidencën elitare “Rolling Hills”, ku ai me familjen banon prej tetë vjetësh.
BKH sot ka vijuar me kontrolle intensive edhe në ambientet e resortit Green Coast në Palasë, ku përveç Samir Manes, zyrave dhe pronave të tij, janë kontrolluar edhe disa biznesmenë të tjerë të lidhur me grupin kriminal.
Me dosjen “Bombë”, ku përfshihet Samir Mane dhe biznesmenë të kalibrit të lartë, ka disa vite që merret dyshja e prokurorëve Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, që me kontrollet dhe arrestimet e dy ditëve të fundit duket se kanë hapur “Kutinë e Pandores” në Shqipëri. Kutia që mbante të fshehur për shumë vite brenda saj një përzierje të rrezikshme të politikës, biznesit dhe krimit të organizuar.
Shënim i Redaksisë: Informacioni i publikuar në këtë artikull është bazuar në burime gazetareske të disponueshme në momentin e publikimit. Deri në kohën e botimit të këtij shkrimi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka bërë një konfirmim zyrtar publik lidhur me lajmet e publikuara në media për kontrollet e përmendura në artikull. Në respekt të standardeve profesionale të raportimit dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, ky sqarim i shtohet artikullit për të informuar në mënyrë të plotë lexuesin. Redaksia mbetet e hapur për të pasqyruar çdo informacion apo qëndrim zyrtar të institucioneve kompetente ose të palëve të interesuara.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






