Këshilli i Dhomave dhe Shoqatave të Avokatëve të Europës (CCBE) i është drejtuar zyrtarisht kryeministrit Edi Rama për rastin e avokatit Gentian Sejrani, pas deklaratave publike të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari për mundësinë e ndjekjes penale dhe procedimit disiplinor ndaj tij.
Letra që mban datën 10 gusht 2026, është dërguar nga Brukseli dhe është firmosur nga presidenti i CCBE-së, Roman Završek.
Në të, organizata europiane kërkon që autoritetet shqiptare të garantojnë që Sejrani të mund të ushtrojë profesionin e tij “pa frikësim ose ndërhyrje të papërshtatshme” dhe të përmbahen nga masa penale, disiplinore apo administrative që burojnë nga ushtrimi legjitim i detyrës së tij si avokat.
Gentian Sejrani është avokat, me aktivitet të fokusuar edhe në ndihmën juridike dhe mbrojtjen e kategorive vulnerabël. Emri i tij u vendos në qendër të debatit publik në fillim të korrikut, pasi bëri publike pretendimet e një klienti të ndaluar nga policia gjatë protestave të 2 korrikut në Tiranë, i cili pretendonte se ishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht gjatë qëndrimit në polici. Sejrani kërkoi hetimin e pretendimeve nga autoritetet kompetente.
Pikërisht ajo që ndodhi pas deklarimeve të avokatit është objekti i letrës që CCBE i ka dërguar Ramës.
Organizata, e cila përfaqëson dhomat dhe shoqatat e avokatëve të 46 vendeve dhe përmes tyre më shumë se një milion avokatëve europianë, i shkruan kryeministrit se po ndjek me shqetësim situatën e avokatëve në rrezik dhe se rasti i Sejranit lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës së tij profesionale.
“CCBE dëshiron të shprehë shqetësimin e saj lidhur me kërcënimet e pretenduara publike për ndjekje penale dhe procedime disiplinore ndaj avokatit Gentian Sejrani, në lidhje me ushtrimin e detyrave të tij profesionale”, thuhet në letër.
CCBE rindërton më pas edhe rrethanat që i janë raportuar për rastin.
“Sipas informacionit të marrë, avokati Gentian Sejrani përfaqësonte një klient të ndaluar në lidhje me protestat që u zhvilluan në Tiranë më 2 korrik 2026. Gjatë një konsultimi me klientin e tij, u ngritën pretendime për abuzim fizik dhe seksual gjatë ndalimit policor. Duke vepruar sipas udhëzimeve të klientit të tij, avokati Sejrani më pas i bëri publike këto pretendime dhe kërkoi hetim nga autoritetet kompetente”, shkruan presidenti i CCBE-së.
Letra ndalet posaçërisht te reagimi i ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari më 4 korrik.
Në reagimet e tij publike, Lamallari kishte kundërshtuar deklarimet e avokatit dhe e kishte akuzuar atë se kishte përgënjeshtruar veten. Ministri publikoi dy deklarime të Sejranit, duke shkruar: “Cilit avokat t’i besojmë?”, ndërsa e cilësoi qëndrimin e tij si “papërgjegjshmëri etiko-profesionale”.
Por reagimi i ministrit shkoi më tej se përplasja publike mbi vërtetësinë e pretendimeve. Lamallari deklaroi se, nëse hetimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do të arrinte në të njëjtat përfundime lidhur me pretendimet e ngritura, do të ishte “e drejta dhe detyra” e Policisë së Shtetit të referonte avokatin për ndjekje penale, duke përmendur pretendimin për “nxitje të urrejtjes”. Ai foli gjithashtu për shqyrtimin e sjelljes së avokatit nga pikëpamja etike dhe profesionale.
Është pikërisht ky paralajmërim për pasoja penale dhe disiplinore që CCBE i evidenton në letrën drejtuar kryeministrit.
“Raportohet se më 4 korrik 2026, ministri i Brendshëm i hodhi poshtë publikisht këto pretendime si ‘të pabazuara’ dhe paralajmëroi për pasoja të mundshme penale dhe disiplinore. Sipas informacionit të marrë, ministri deklaroi se, nëse hetimi policor do të arrinte në të njëjtin përfundim, do të ishte ‘e drejta dhe detyra’ e Policisë së Shtetit të niste procedim penal ndaj avokatit Sejrani për pretendimin e ‘nxitjes së urrejtjes’ dhe se sjellja e tij duhet të shqyrtohej për shkelje të mundshme etike dhe profesionale”, thuhet në dokument.
Presidenti i CCBE-së i kujton Ramës Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara mbi Rolin e Avokatëve. Në mënyrë të posaçme, letra përmend Parimin 14, që lidhet me detyrën e avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të klientëve të tyre, Parimet 16, 17 dhe 18 për garancitë e ushtrimit të profesionit, si dhe Parimin 23 mbi lirinë e shprehjes dhe organizimit.
Në të njëjtën letër përmendet edhe nënshkrimi nga Shqipëria, më 15 qershor 2026, i Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit. CCBE e mirëpret këtë hap dhe kërkon ratifikimin e shpejtë të Konventës.
Pas argumentimit juridik, letra mbyllet me një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve shqiptare.
“Në dritën e sa më sipër, CCBE u bën thirrje me respekt autoriteteve kompetente që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar që avokati Gentian Sejrani të jetë në gjendje të ushtrojë detyrat e tij profesionale pa frikësim ose ndërhyrje të papërshtatshme dhe të përmbahen nga çdo veprim penal, disiplinor ose administrativ që buron nga ushtrimi legjitim i këtyre detyrave”, thuhet në letër.
Mesazhi vijon edhe më tej, duke e lidhur rastin konkret me pavarësinë e profesionit të avokatit në tërësi.
“CCBE kujton se avokatët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre profesionale në mënyrë të pavarur dhe pa frikën e hakmarrjes, pengimit, frikësimit ose ngacmimit, me qëllim garantimin e pavarësisë dhe integritetit të administrimit të drejtësisë dhe respektimin e shtetit të së drejtës”, përfundon organizata.
Dokumenti është publikuar këtë të hënë nga vetë Gentian Sejrani në profilin e tij në Facebook. Krahas letrës, avokati ka shkruar shkurt: “Meqë Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqiptare ende nuk ka reaguar, reagoi me shpejt organizata evropiane që përfaqëson dhomat kombëtare dhe shoqatat e avokatëve në Evropë.”
Pas këtij reagimi të Sejranit mbetet vetёm heshtja e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me kryetarin e sapozgjedhur për një mandat të tetë, Maksim Haxhia.
Një heshtje që bie në sy, sidomos për një institucion përfaqësues tё avokatëve privatë që në raste të tjera nuk ka ngurruar të reagojë fort kur ka konsideruar se preken interesat e profesionit, madje edhe duke nxjerrë udhëzime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e proceseve gjyqësore me profil të lartë.
Për një çështje që ka sjellë reagimin e një organizate europiane që përfaqëson mbi një milion avokatë, mungesa e zërit të institucionit që duhet të përfaqësojë avokatinë shqiptare është vetë një fakt që kërkon shpjegim.
A janë drejtuesit e avokatisë ortakë të qeverisë kur kjo nuk ka dëshirë të kritikohet, apo janë pjesë e një organizate ndërkombëtare si CCBE, që i doli në mbrojtje, mbrojtësit ligjor të një protestuesi antiqeveritar?


© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



