Nuk ndodh vetëm në Shqipëri që të dhënat personale të njerëzve të dalin në “pazar”. Një sulm kibernetik në dhjetor ndaj kompanisë Eurail ka ekspozuar të dhënat sensitive të më shumë se 300,000 klientëve në të gjithë Evropën, të cilat tani, sipas raportimeve, po shiten në “dark web”.
Kompania me bazë në Holandë, e cila shet biletat Interrail për udhëtime hekurudhore në gjithë Evropën, konfirmoi se gjatë sulmit janë vjedhur të dhëna si numra pasaportash, emra, informacione kontakti, adresa banimi dhe data lindjeje. Një pjesë e këtyre të dhënave është shpërndarë edhe në platformën Telegram.
Eurail ofron bileta për udhëtime në 33 vende, nga Norvegjia veriore deri në Turqi, me çmime që variojnë nga 286 euro për të rinjtë nën 27 vjeç, deri në 381 euro për grupmoshën 28–59 vjeç dhe 343 euro për mbi 60 vjeç. Fëmijët nën 12 vjeç mund të udhëtojnë falas nëse shoqërohen nga një i rritur.
Autoritetet në disa vende kanë nisur të japin udhëzime parandaluese. Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Pasaportave i ka sugjeruar të paktën një personi të prekur që të anulojë pasaportën për të shmangur përdorimin e saj për mashtrime, duke i kërkuar gjithashtu të paguajë për një të re. Masa të ngjashme janë raportuar edhe në Danimarkë, ku kostot mund të jenë edhe më të larta.
Situata ka shkaktuar shqetësim dhe zemërim tek klientët, të cilët nuk janë të sigurt për nivelin real të rrezikut. “Është një makth i vërtetë,” tha një prej tyre, duke shtuar se rasti e ka trembur ndërsa afrohet sezoni i pushimeve verore. Të tjerë kanë kërkuar më shumë qartësi nga autoritetet dhe madje kompensim, nëse zëvendësimi i pasaportës rezulton i domosdoshëm.
Eurail u ka bërë thirrje përdoruesve të tregohen të kujdesshëm, të kontrollojnë komunikimet e dyshimta, të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të mbrojnë llogaritë financiare. Kompania tha se e merr seriozisht sigurinë e të dhënave dhe shprehu keqardhje për shqetësimin e shkaktuar.
Megjithatë, shumë klientë mbeten kritikë ndaj reagimit të saj. “Nuk e morën seriozisht sigurinë e të dhënave të mia – çfarë vlere ka tani keqardhja?” u shpreh një prej tyre, duke ngritur shqetësimin për keqpërdorimin e mundshëm të identitetit.
Ndërkohë, në forume online janë shtuar thirrjet për veprime ligjore kolektive, me disa përdorues që përmendin të drejtën për kompensim sipas rregullores evropiane për mbrojtjen e të dhënave (GDPR).
Eurail deklaroi se po vijon të njoftojë personat e prekur dhe theksoi se ata, të dhënat e të cilëve janë identifikuar në materialet e publikuara, janë kontaktuar tashmë. Kompania shtoi se mbetet e angazhuar për të minimizuar rreziqet për klientët ndërsa situata vazhdon të zhvillohet.
(Burimi: AA)






