Një startup i krijuar nga një ish-avokat ka siguruar 70 milionë dollarë financim nga fondet e kapitalit sipërmarrës, duke vënë bast mbi një ide që deri pak vite më parë dukej e paimagjinueshme: që inteligjenca artificiale të marrë një pjesë të madhe të punës që sot kryhet nga zyrat ligjore tradicionale.
Kompania quhet Wordsmith dhe është themeluar nga Ross McNairn, një jurist skocez që braktisi profesionin e avokatit pasi u bind se teknologjia mund të transformonte rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë departamentet juridike të kompanive.
Me raundin e fundit të financimit, të udhëhequr nga fondet e njohura Index Ventures dhe Highland Europe, Wordsmith ka mbledhur gjithsej 100 milionë dollarë në vetëm dy vite ekzistencë.
Ndryshe nga shumica e kompanive të inteligjencës artificiale që po shesin produkte për studio avokatie, Wordsmith ka zgjedhur një strategji krejt tjetër: të ndihmojë kompanitë që të kenë nevojë për më pak avokatë të jashtëm.
Platforma funksionon si një “departament juridik dixhital”. Ajo merr kërkesa nga email-et, Slack, Microsoft Teams, Salesforce dhe platforma të tjera të punës, përgatit draft-kontrata, u përgjigjet pyetjeve ligjore rutinë dhe ia kalon çështjen specialistit të duhur vetëm kur ndërhyrja njerëzore është e domosdoshme.
Sot, sipas kompanisë, sistemi përdoret nga më shumë se 500 organizata në mbarë botën, përfshirë Canva, Financial Times, BT, Safelite dhe Trip.com.
“Premtimi më i madh i inteligjencës artificiale në fushën juridike nuk është që avokatët të punojnë më shpejt. Premtimi i vërtetë është që kompanitë të kenë nevojë për më pak shërbime juridike të jashtme,” thotë themeluesi Ross McNairn.
Sipas tij, shumë startup-e të inteligjencës artificiale po përpiqen të kënaqin njëkohësisht dy palë me interesa të kundërta: studiot ligjore dhe klientët e tyre.
“Nuk mund t’u thuash zyrave ligjore se do t’i bësh më fitimprurëse dhe njëkohësisht kompanive se do t’i ndihmosh të përdorin më pak ato zyra. Këto dy objektiva bien ndesh me njëri-tjetrin,” shprehet ai.
Për këtë arsye, Wordsmith ka refuzuar edhe kontrata me vlera miliona dollarëshe nga studio ligjore, duke zgjedhur të fokusohet vetëm tek korporatat.
Historia e McNairn është vetë një reflektim i revolucionit që po sjell inteligjenca artificiale.
Pas largimit nga profesioni i juristit, ai kaloi më shumë se një dekadë në sektorin teknologjik, duke themeluar dhe shitur startup-e në industrinë e turizmit. Më vonë, gjatë një vizite në OpenAI, ku iu prezantuan modelet e para të inteligjencës artificiale gjenerative, ai kuptoi potencialin e tyre transformues.

Një nga projektet e para që ndërtoi me këtë teknologji ishte automatizimi i menaxhimit të ndryshimeve dhe anulimeve të udhëtimeve për kompaninë TravelPerk.
“Një proces që më parë kërkonte një ekip të tërë njerëzish, u zgjidh brenda një nate nga inteligjenca artificiale,” kujton ai.
Pas kësaj eksperience vendosi të krijojë Wordsmith.
Megjithatë, konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Dhjetëra kompani po synojnë sektorin juridik me produkte të ngjashme. Disa prej tyre, si Harvey, Legora apo GC AI, kanë mbledhur qindra miliona dollarë investime dhe po rriten me ritme të jashtëzakonshme.
Por kërcënimi më i madh mund të vijë nga vetë gjigantët e inteligjencës artificiale.
Anthropic, kompania që zhvillon modelin Claude, ka prezantuar tashmë dhjetëra agjentë inteligjentë që mund të lexojnë kontrata, të hartojnë politika të brendshme dhe të kryejnë detyra juridike pa pasur nevojë për programe të specializuara.
Kjo ka ngritur pyetjen që po shqetëson të gjithë industrinë: a do të kenë nevojë kompanitë për platforma juridike të dedikuara nëse tashmë kanë një asistent të fuqishëm AI për të gjithë organizatën?
McNairn mendon se po.
Sipas tij, modele si Claude janë shumë të mira për detyra individuale, por nuk mund të zëvendësojnë sistemet që organizojnë punën juridike të një kompanie, ruajnë dokumentacionin, menaxhojnë autorizimet dhe garantojnë gjurmueshmërinë e vendimeve.
“Claude është i shkëlqyer për individët që kryejnë detyra të veçanta. Wordsmith menaxhon të gjithë funksionin juridik,” shprehet ai.
Pavarësisht se kush do ta fitojë këtë garë, një gjë duket e sigurt: inteligjenca artificiale nuk po ndryshon vetëm mënyrën se si punojnë avokatët. Ajo po ndryshon vetë modelin ekonomik të profesionit juridik.
Dhe për herë të parë pas dekadash, sfida më e madhe për zyrat ligjore nuk po vjen nga një studio rivale, por nga një algoritëm.
Burimi: Business Insider






