Platforma e njohur e rezervimeve të akomodimeve Booking.com ka njoftuar për një shkelje sigurie, ku palë të paautorizuara kanë arritur të aksesojnë të dhëna të klientëve.
Kompania bëri të ditur se kishte zbuluar “aktivitet të dyshimtë”, ku persona të tretë kishin mundur të hynin në disa informacione rezervimi të përdoruesve.
“Sapo identifikuam këtë aktivitet, ndërmorëm masa për ta izoluar problemin,” tha kompania, duke shtuar se ka përditësuar kodet PIN për rezervimet dhe ka njoftuar klientët e prekur.
Booking.com, me seli në Amsterdam, ofron mbi 30 milionë opsione akomodimi në mbarë botën dhe lidh miliona udhëtarë me hotele, transport dhe eksperienca turistike.
Megjithatë, kompania nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të personave të prekur nga ky sulm. Një zëdhënës theksoi se të dhënat financiare nuk janë komprometuar.
Në një email drejtuar klientëve të prekur, kompania paralajmëroi se hakerët mund të kenë aksesuar informacione si: emrat, adresat e emailit, numrat e telefonit, adresat fizike, si dhe detajet e rezervimeve dhe çdo informacion tjetër që klientët mund të kenë ndarë me strukturat akomoduese.
Ky është vetëm rasti i fundit në një seri sulmesh kibernetike ndaj platformës. Kohët e fundit, Booking.com është përballur me një rritje të mashtrimeve online, ku përdoruesve u kërkohen të dhëna pagese për “verifikim” para udhëtimit, për të përfunduar më pas me tarifa të larta të paautorizuara.
Një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2018, kur kriminelë përdorën teknika phishing për të vjedhur kredencialet e punonjësve të hoteleve në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arritën të aksesojnë të dhënat e më shumë se 4,000 përdoruesve.
Në atë kohë, kompania u gjobit me 475,000 euro, pasi raportoi shkeljen e sigurisë me 22 ditë vonesë tek autoriteti holandez për mbrojtjen e të dhënave.
Industria e rezervimeve online në tërësi po përballet me presion për të luftuar më fort edhe fenomenin e listimeve të rreme, që vazhdon të rritet.
Booking.com është pjesë e grupit Booking Holdings, një kompani amerikane me vlerë rreth 137 miliardë dollarë, e cila zotëron gjithashtu platforma si OpenTable, Agoda dhe Kayak. Grupi ka selinë në Norwalk, Connecticut, në SHBA dhe ka mbi 24,000 punonjës në mbarë botën.
Rasti shërben si një paralajmërim për përdoruesit shqiptarë dhe jo vetëm: kujdes me të dhënat personale dhe çdo kërkesë të dyshimtë për pagesa apo verifikime gjatë rezervimeve online.
(Burimi: The Guardian)






