Në një sallë ku gjithçka dukej e kuruar për të funksionuar si një tjetër “film i bukur” institucional, me fjalime të përgatitura, duartrokitje të parashikueshme dhe një narrativë që përsëritet çdo vit, ndodhi diçka që politika shqiptare e shmang me kujdes: dikush foli pa frikë.
Eva Baçi, një juriste që punon dhe jeton nё Bolonjë, jo vetëm që theu etikën e heshtur të këtyre eventeve, por nxori në pah një të vërtetë që shumë e dinë dhe pak e thonë: se Samiti i Diasporës, në vend që të jetë një hapësirë reale për kontribut, është kthyer në një skenë ku diaspora dëgjon dhe politika flet.
Ajo nuk foli me gjuhë diplomatike. Nuk foli për të mos prishur “balancat”. Ajo foli si dikush që nuk ka çfarë të humbasë nga presioni i zakonshëm që rëndon mbi qytetarët brenda vendit. Dhe kjo ishte pikërisht ajo që e bëri ndërhyrjen e saj të padurueshme për një klasë politike të mësuar me kontrollin e narrativës.
“Ju jeni larg realitetit… nuk jeni afër me ne,” – ishte fjalia që rrëzoi gjithë dekorin e samitit. Një fjali e thjeshtë, por që përmbledh një hendek të madh: mes një politike që prodhon evente dhe një shoqërie që kërkon hapësirë tё shprehё pakёnaqёsitё.
Në Shqipëri, shumëkush e mendon këtë, por pak e artikulon publikisht. Sepse këtu fjala ka kosto. Këtu kritika shpesh përkthehet në pasoja – për vendin e punës, për karrierën, për familjen. Prandaj politika është mësuar të dëgjojë vetëm zëra të filtruar, të butë, të kontrolluar. Ndërsa diaspora, e liruar nga ky mekanizëm presioni, sjell një tjetër ton: më të drejtpërdrejtë, më të ashpër, më real.
Baçi nuk kërkoi favore. Nuk kërkoi privilegje. Ajo kërkoi diçka shumë më të thjeshtë dhe më të rrezikshme për sistemin: hapësirë.
“Unë nuk vij nga Italia për të qenë një numër… dua të flas, të jap kontribut.”
“Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur… ku ne vetëm dëgjojmë.”
“Hapni dyer, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert për njerëzit e përgatitur.”
Këto nuk ishin thjesht fjali të forta. Ishin një akuzë direkte ndaj një modeli që e trajton meritën si dekor dhe jo si vlerë funksionale. Një model që i do shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit për imazh, por jo për ndikim tё vёrtetё brenda vendit.
Përballë saj ishin figura si Taulant Balla dhe Niko Peleshi, përfaqësues të një politike që prej vitesh e ka kthyer komunikimin publik në një monolog. Dhe për një moment të shkurtër, por domethënës, ky monolog u ndërpre.
Ajo që ndodhi në atë sallë sot nuk ishte thjesht një “incident” në një panel. Ishte një çarje në skenar. Një moment kur realiteti hyri aty ku zakonisht ka vetëm regji.
Dhe ndoshta pikërisht kjo është ajo që e bën këtë moment të rëndësishëm: jo vetëm çfarë u tha, por fakti që u tha. Në sy. Pa filtra. Pa frikë.
Në Shqipёrinё e sotme ku shumëkush hesht për të mbijetuar, një zë që flet lirshëm nuk është thjesht kritikë. Është një kujtesë se jashtë këtij sistemi ekziston një tjetër standard. Dhe se përballë tij, narrativat bien shumë shpejt.






