Një arritje e madhe shkencore vjen nga Observatori Vera Rubin, i cili ka zbuluar mbi 11,000 asteroidё vetëm në javët e para të funksionimit të tij të plotë, duke hapur një kapitull të ri në studimin e Sistemit Diellor.
Observatori, i vendosur në Kili dhe i financuar nga institucionet kryesore shkencore të SHBA-sё, është një nga teleskopët më të avancuar në botë. Tashmë ai ka publikuar setin e parë të plotë të të dhënave, duke treguar potencialin e jashtëzakonshëm të teknologjisë së tij.
Nga zbulimet e bëra, 33 asteroidё janë klasifikuar si objekte pranë Tokës – pra trupa që lëvizin në orbitë afër planetit tonë. Megjithatë, sipas shkencëtarëve, asnjë prej tyre nuk paraqet rrezik për Tokën. Asteroidi më i madh i këtij grupi ka një diametër rreth 500 metra.

Përveç tyre, 380 objekte janë identifikuar përtej orbitës së Neptunit – të ashtuquajturat trupa trans-neptunianë, të përbërë kryesisht nga akulli dhe materiale të ftohta kozmike. Dy prej tyre, të emërtuar 2025 LS2 dhe 2025 MX348, kanë orbita jashtëzakonisht të gjera dhe të zgjatura. Në pikën më të largët nga Dielli, ato ndodhen rreth 1,000 herë më larg se Toka, duke i renditur mes 30 objekteve më të largëta të njohura deri më sot.
Sipas Mario Juric nga Universiteti i Uashingtonit, ky është vetëm fillimi: “Kjo është maja e ajsbergut dhe tregon se observatori është gati. Ajo që më parë kërkonte vite apo dekada për t’u zbuluar, tani do të bëhet brenda pak muajsh.”
Edhe Matthew Holman nga Harvard & Smithsonian theksoi kompleksitetin e këtij procesi: kërkimi i objekteve të tilla është si të gjesh “një gjilpërë në kashtë”, pasi duhet të analizohen miliona burime drite dhe miliarda kombinime të dhënash.
Suksesi i Observatorit Rubin nuk lidhet vetëm me pajisjet optike të avancuara, por edhe me sistemet e sofistikuara të softuerit, të cilat analizojnë në mënyrë të shpejtë dhe të saktë të dhënat e mbledhura.
Në vetëm një muaj e gjysmë, ky teleskop ka ndryshuar mënyrën se si shkencëtarët hartojnë dhe kuptojnë Sistemin Diellor, duke premtuar zbulime edhe më të mëdha në të ardhmen.
(Burimi: ANSA)





