Nga kontrasT.al
Realiteti institucional shqiptar arrin të prodhojë paradokse që nuk kanë nevojë për satirë – mjafton t’i lexosh.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), institucioni që sipas ligjit duhet të ruajë, administrojë dhe – nëse është e mundur – të rrisë vlerën e pasurive të konfiskuara, ka gjetur një mënyrë sa origjinale aq dhe kreative për ta bërë këtë: duke hapur ekspozita arti!
Në vend që të jetë thjesht një mekanizëm teknik i shtetit në luftën kundër krimit të organizuar – një hallkë që lidhet drejtpërdrejt me konfiskimin dhe goditjen e pasurive me origjinë të paligjshme – AAPSK-ja shfaqet pa drojë, si kuratore kulture.
Në Tiranë, një godinë e konfiskuar nga drejtësia, me burim aktivitet kriminal është shndërruar nga AAPSK-ja në shtëpi arti. Ajo ka marrë emrin piktoresk “PUBLIK Galeri”.
E inauguruar nga “kuratorët” e sigurisë publike, në PUBLIK Galeri u ekspozuan punimet dhe pikturat e vetë oficerëve të Policisë së Shtetit. Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të botës, policia ka kreativitet dhe imagjinatë jo vetëm për të ndjekur dhe prangosur krimin, por edhe për të prezantuar punime artistike në mënyrë diskursive dhe performative.
Ndërsa institucioni që administron miliona euro pasuri të sekuestruara krimit operon në kushte diletanteske infrastrukturore (AAPSK-ja rri me qira në një kthinë pallati te “Delijorgji”) – ai gjen godinë dhe kohë për promovimin e “vlerës publike të artit”.
Hapësira e konfiskuar nga GJKKO dhe SPAK kthehet nga shteti në galeri arti. Funksioni teknik shndërrohet në narrativë publike, ndërsa administratorja e pasurive të krimit, kthehet në “kuratore” e prangosësve të tij.
Në të njëjtën kohë, kur ekspozita me art policor hapi siparin e padëgjuar më parë në publik, një tjetër “call center” iu shtua inventarit me suksese të munguara të policisë shqiptare. “Piktorët” austriakë u desh të vinin vetë për të prangosur kriminelët, sepse ata shqiptarë po shpalosnin talentin në telajo.
Hapja e PUBLIK Galeri nga AAPSK, na tregoi edhe një herë për fasadën me shumë ngjyra të shtetit në Shqipëri. Aty ku kemi ligje dhe agjenci, por aspak përmbajtje dhe funksion.
Në “shtetin e pikturave”, ndërsa galeritë mbushen dhe rrjetet sociale gjallërohen, ajo që mbetet jashtë kornizës është vetë thelbi i punës.
Të punës që AAPSK-ja ka harruar se i përket. Të asaj pune që do ia ndërronte emërtesёn galerisë së konfiskuar, duke e quajtur nga PUBLIK Galeri në PËRGJEGJËSI PUBLIKE.
Megjithëse arti dhe promovimi i tij, marrin vlera të veçanta dobie brenda agjencive që zbatojnë ligjin, aktiviteti kulturor nuk mund të sfidojë atë policor, edhe kur ky i fundit “pikturon” bukur.





© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






