Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ajo daneze Mette Frederiksen kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për emigracionin dhe identitetin europian, duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të krishterë të Europës dhe respektimin e vlerave europiane nga personat që zgjedhin të jetojnë në kontinent.
Deklarata është domethënëse edhe për shkak të pozicioneve politike të dy lidereve: Meloni vjen nga e djathta nacional-konservatore italiane, ndërsa Frederiksen drejton socialdemokratët danezë. Pavarësisht dallimeve ideologjike dhe gjeografike, ato thonë se i bashkon një objektiv i përbashkët.
“E dimë se shumë njerëz habiten nga partneriteti ynë. Njëra drejton një vend të madh në jug. Tjetra një vend të vogël në veri. Por na bashkon dëshira për t’u kujdesur për Europën”, shkruajnë ato.
Pjesa më e fortë e deklaratës lidhet me identitetin kulturor të kontinentit.
“Ne të dyja njohim trashëgiminë kulturore të krishterë të Europës dhe dëshirojmë ta mbrojmë atë. Presim që njerëzit që vijnë në vendet tona dhe duan ta bëjnë Europën shtëpinë e tyre të respektojnë vlerat europiane dhe të mos na imponojnë një mënyrë jetese që ne nuk e duam.”
Sipas Melonit dhe Frederiksenit, kjo është mënyra e duhur për të mbrojtur Europën, vlerat e përbashkëta dhe mënyrën europiane të jetesës.
Dy kryeministret kanë bashkëpunuar prej kohësh për një politikë më të ashpër ndaj emigracionit. Në vitin 2025, Italia dhe Danimarka ndërmorën së bashku një nismë për të kërkuar ndryshim të qasjes europiane ndaj interpretimit të të drejtave të njeriut në çështjet e emigracionit dhe dëbimit të shtetasve të huaj të dënuar për krime.
Tashmë ato pretendojnë se kjo qasje ka dhënë rezultate.
“Së bashku kemi ndryshuar ekuilibrin kur bëhet fjalë për kriminelët e huaj. Kështu që tani më shumë njerëz do të dëbohen!”, thuhet në deklaratë.
Meloni dhe Frederiksen argumentojnë gjithashtu se pasojat e emigracionit të pakontrolluar janë përballuar në mënyrë disproporcionale nga qytetarët e zakonshëm.
“Për shumë vite, veçanërisht njerëzit e zakonshëm kanë paguar një çmim tepër të lartë për emigracionin e pakontrolluar”, theksojnë ato.
Afrimi mes dy lidereve është bërë gjithnjë e më i dukshëm. Vetëm javën e kaluar, ato mbajtën qëndrime të ngjashme edhe pas krizës së re migratore në Ceuta, duke ngritur madje çështjen e pezullimit të Spanjës nga zona Schengen.
Deklarata e re tregon kështu se emigracioni, integrimi dhe identiteti kulturor europian po krijojnë aleanca politike që kalojnë ndarjen tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.






