Qeveria spanjolle po përgatit transferimin urgjent në territorin kontinental të 500 vajzave emigrante të mitura, të cilat mbërritën në Ceuta gjatë fluksit masiv të emigrantëve më 30 dhe 31 korrik. Vendimi vjen ndërsa në nivel europian mbështetet kthimi në Marok i të miturve të pashoqëruar.
Sipas Ministrisë spanjolle për Rininë dhe Fëmijët, autoritetet po punojnë për të përshpejtuar zhvendosjen e vajzave nga enklava spanjolle në Afrikën e Veriut. Plani përfshin disa mundësi, nga shpërndarja e detyrueshme e të miturve mes komuniteteve autonome të Spanjës, deri te vendosja pranë familjeve ose në struktura të posaçme të administruara nga organizata për mbrojtjen e fëmijëve.
Çështja është bërë edhe më delikate pasi disa rajone spanjolle kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të miturit e pashoqëruar që hynë në Ceuta gjatë fluksit të fundit. Qeveria qendrore i ka kritikuar këto qëndrime si mungesë “solidariteti”.
Nga ana tjetër, Maroku i ka kërkuar Spanjës kthimin e shtetasve marokenë që vazhdojnë të qëndrojnë në Ceuta.
Ministrja spanjolle për Përfshirjen, Sigurimet Shoqërore dhe Migracionin, Elma Saiz, ka argumentuar se në qendër të çdo vendimi duhet të jetë “interesi më i mirë i fëmijës”. “Janë vajza që janë vetëm”, ka theksuar ajo.
Situata e tyre konsiderohet veçanërisht e ndjeshme edhe për shkak të rrezikut të dhunës seksuale. Sipas autoriteteve spanjolle, vajzat janë grumbulluar në ambiente të sigurta në Ceuta për t’i mbrojtur, pas raportimeve për një numër përdhunimesh gjatë ditëve të fundit, raste që tashmë po trajtohen nga drejtësia.
Qeveria spanjolle i ka akorduar Ceutës 25 milionë euro për përballimin e situatës.
Përmasat e krizës së të miturve mbeten të konsiderueshme. Deri më 18 gusht, Policia Kombëtare spanjolle kishte identifikuar dhe dorëzuar nën kujdesin e autoriteteve të Ceutës 2,168 të mitur.
Vendimi për 500 vajzat tregon ndërkohë përplasjen mes dy qasjeve që po shfaqen pas krizës së Ceutës: kthimi i emigrantëve drejt Marokut nga njëra anë dhe detyrimi për mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar nga ana tjetër.






