Oleksander Usyk mban rekordin e 25 ndeshjeve pa asnjë humbje, ku ka mundur jo vetëm gjithë kundërshtarët e peshave të rënda dhe gjysmë të rënda, por mbrëmë arriti të mposhtë edhe kampionin gjigand të kickboksit, holandezin Rico Verhoeven, në një duel dramatik që për pak sa nuk prodhoi një nga surprizat më të mëdha në historinë e boksit.
Kampioni ukrainas fitoi me “technical knockout” vetëm një sekondë para fundit të raundit të 11-të, në një mbrëmje spektakolare të zhvilluar pranë Piramidave të Gizës në Egjipt.
Ndeshja për titullin WBC konsiderohej fillimisht si një përballje pa shumë histori, pasi Verhoeven vinte nga kickboksi dhe kishte zhvilluar vetëm një duel profesionist boksi 12 vite më parë. Por holandezi tronditi botën e sportit që në gongun e parë.
Me stil agresiv, goditje të forta dhe presion të vazhdueshëm, Verhoeven arriti ta vendoste disa herë në vështirësi Usykun, i cili dukej i ngadaltë dhe jashtë ritmit për pjesën më të madhe të sfidës.
Madje, deri në momentet e fundit të raundit të 11-të, shumë analistë mendonin se kampioni ukrainas po humbiste në pikë.
Usyk reagoi vetëm në fund, kur një goditje e fuqishme me të djathtën rrëzoi Verhoevenin përmes litarëve. Holandezi u ngrit përsëri, por ukrainasi u hodh menjëherë në sulm me një seri goditjesh, derisa arbitri ndërhyri dhe ndërpreu ndeshjen vetëm një sekondë para mbylljes së raundit.
Vendimi shkaktoi polemika të mëdha.
“Mendoj se ishte një ndërprerje e parakohshme, por nuk ishte në dorën time”, deklaroi Verhoeven pas ndeshjes. “Doja të më lejonin të luftoja deri në fund. Besoj se ishim shumë pranë në pikë.”
Holandezi zbuloi gjithashtu se Usyk i kishte propozuar një revansh.
Pavarësisht humbjes, Verhoeven fitoi respektin e botës së boksit me paraqitjen e tij surprizuese ndaj një prej kampionëve më dominues të epokës moderne.
Pas triumfit, Usyk emocionoi publikun me mesazhin për Ukrainën.
“E di që tani shumë ukrainas ndodhen në strehimore nga bombardimet, edhe vajza ime ishte në një strehimore dhe më dërgoi një mesazh: ‘Babi, të dua, ti do të fitosh’”, tha kampioni.
Ai falënderoi kundërshtarin dhe ekipin e tij, duke e cilësuar sfidën si “një luftë shumë të fortë”.






