Protestat nё Shqipёri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Rrjeti francez France 24, duke iu referuar një reportazhi të agjencisë AFP, i ka kushtuar një analizë të zgjeruar kundërshtimeve në rritje ndaj kompleksit turistik të planifikuar në bregdetin shqiptar. Media franceze ndalet te shqetësimet e organizatave mjedisore, akuzat për shkelje të procedurave ligjore, konfliktet e pronësisë dhe hetimi i nisur nga SPAK. Më poshtë gjeni shkrimin e plotë.
Çfarë dimë për resortin luksoz të mbështetur nga Jared Kushner që po shkakton zemërim në Shqipëri
Një projekt gjigant zhvillimi në bregdetin shqiptar, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, po përballet me rezistencë në rritje nga protestuesit në Shqipëri, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin e tij mjedisor dhe dyshime mbi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura. Ja çfarë dihet deri tani.
Origjina e projektit
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, njoftuan në vitin 2024 planet për ndërtimin e hoteleve dhe vilave luksoze në Shqipëri.
Projekti parashikohej të zhvillohej në dy zona përgjatë bregdetit Adriatik: në deltën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe në ishullin e pabanuar të Sazanit, dikur një bazë ushtarake sekrete gjatë regjimit komunist.
Në fund të vitit 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e “investitorit strategjik” kompanisë Atlantic Incubation Partners, e cila besohet se është e lidhur me fondin Affinity Partners të Kushner.
Sipas një dokumenti të parë nga AFP, ky status i jep investitorit akses në procedura të përshpejtuara administrative dhe mbështetje nga ministritë përkatëse.
Ivanka Trump ka vizituar më pas rajonin e Vlorës, e shoqëruar nga arkitektë dhe investitorë, ndërsa ka zhvilluar edhe takime me Kryeministrin Edi Rama.
“Deri më sot nuk ekziston asnjë marrëveshje përfundimtare” lidhur me zhvillimin e ishullit të Sazanit, tha të enjten Zyra e Kryeministrit për AFP.
“Meqenëse Sazani është pronë publike, shteti shqiptar duhet të mbetet palë e interesuar dhe përfitues i drejtpërdrejtë nga çdo zhvillim i mundshëm në ishull.”
Kush po investon?
Investimi në ishullin e Sazanit vlerësohet në rreth 1.6 miliardë dollarë, ndërsa Kryeministri Rama ka folur së fundmi për një projekt me vlerë 4 miliardë euro në Zvërnec.
Affinity Partners i referoi pyetjet e AFP-së një agjencie marrëdhëniesh me publikun, e cila përcolli një deklaratë të Asher Abehsera, kryetar i kompanisë Sazan Real Estate Development, e prezantuar si kompania që menaxhon projektin së bashku me një grup investitorësh.
“Jemi të entuziazmuar nga mundësia për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet private më të mëdha në historinë e rajonit”, thuhej në deklaratë.
Megjithatë, AFP thotë se nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë ligjore të një kompanie me këtë emër.
E pyetur nga AFP për projektin në Zvërnec, qeveria shqiptare deklaroi të enjten se bëhet fjalë për “pronë private”.
Sipas saj, investitorët janë dy bashkëpronarët e kompanisë Power International Holding W.L.L nga Katari, një grup që zotëron biznese të ndryshme dhe që ka në portofolin e tij disa prej investimeve turistike më prestigjioze në botë.
Pse projekti kundërshtohet?
Organizatat mjedisore argumentojnë se projekti do të prekë dhe dëmtojë zona të mbrojtura, ndërsa kritikë të tjerë akuzojnë autoritetet për korrupsion.
Dhjetëra organizata joqeveritare kanë ngritur alarmin për ndikimin e mundshëm të projektit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Më shumë se 40 organizata i dërguan qeverisë shqiptare një letër në janar, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projektit.
Kritikët kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e tokave bregdetare dhe mbi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.
Ashtu si shumë prona të tjera në Shqipëri, edhe kjo zonë është e përfshirë në mosmarrëveshje pronësie që datojnë që nga rënia e komunizmit në vitet 1990.
Mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë rikthimin e tokave të trashëguara, të konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa disa prej tyre pretendojnë pronësi mbi tokat e përfshira në projekt.
Hetimet dhe protestat
Kundërshtimi ndaj projektit është intensifikuar ditët e fundit pasi në publik u publikuan pamje që tregonin buldozerë në zonën e plazhit.
Të shtunën, protestuesit u përplasën me roje private sigurie pasi u mblodhën për të kundërshtuar vendosjen e telave me gjemba që bllokonin hyrjen në plazh.
Që prej asaj kohe, mijëra protestues janë mbledhur për tri mbrëmje radhazi në Tiranë, duke kërkuar anulimin e projektit dhe kthimin e tokave tek ish-pronarët.
Protesta të tjera janë paralajmëruar edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hapur një hetim.
Sipas raportimeve mediatike, hetimi do të fokusohet në ndryshimet e statusit të mbrojtur të zonës Vjosë-Nartë.
Gjithashtu do të shqyrtohet mënyra se si zyrtarët kanë mundur të anashkalojnë procedurat e tenderimit publik për kontratat, si dhe origjina e fondeve të përdorura për blerjen e titujve të pronësisë.
Prokuroria konfirmoi për AFP se një hetim është hapur, por refuzoi të japë detaje të mëtejshme.






