Kirurgu i njohur shqiptar, Prof. Dr. Edvin Prifti, ka bërë të ditur se pas disa vitesh pune kërkimore ka marrë miratimin rregullator të Komunitetit Europian për “Spike Protect”, një produkt biologjik i ideuar prej tij, i cili, sipas autorit, synon të neutralizojë efektet e proteinës Spike të prodhuar nga virusi SARS-CoV-2, si edhe të proteinës Spike të gjeneruar nga vaksinat kundër COVID-19.
Lajmi u bë publik nga vetë Prof. Prifti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai shprehet se pas marrjes së miratimit, patenta e produktit i është dhënë industrisë pa asnjë përfitim financiar personal, me synimin që preparati të prodhohet dhe të jetë sa më i aksesueshëm për qytetarët.
Sipas tij, “Spike Protect” pritet të dalë në tregun europian brenda pak javësh dhe më pas të jetë i disponueshëm edhe në Shqipëri.
Në postimin e tij, Prof. Prifti shpreh gjithashtu shpresën se produkti do të ndihmojë në parandalimin e komplikacioneve që lidhen me COVID-19 dhe me sindromën Long Covid, si edhe të komplikacioneve që ai i lidh me vaksinat kundër COVID-19.
Ai falënderon kompanitë Zion Pharmaceutical dhe Martinez Nieto S.A. për bashkëpunimin në zhvillimin e produktit, duke theksuar se një nga kushtet e tij kryesore ka qenë që kostoja e preparatit të mbahet sa më e ulët, në mënyrë që të jetë i përballueshëm për sa më shumë njerëz.
Postimi i Prof. Priftit shoqërohet edhe me një letër zyrtare nga kompania spanjolle Martinez Nieto S.A., ku konfirmohet bashkëpunimi për zhvillimin dhe komercializimin e produktit “Spike Protect”, si edhe shpërndarja ekskluzive e tij nga kompania Zion Pharmaceuticals.
Pavarësisht sfidave me të cilat përballet sistemi shëndetësor shqiptar, suksese të tilla dëshmojnë se Shqipëria ka mjekë dhe studiues me potencial të spikatur, të aftë të kontribuojnë në kërkimin shkencor dhe inovacionin në nivel ndërkombëtar.
Arritje si kjo e Prof. Dr. Edvin Priftit janë një arsye më shumë për të besuar se potenciali i mjekësisë shqiptare meriton më shumë mbështetje, vlerësim dhe besim, brenda dhe jashtë vendit.
Më poshtë, postimi i plotë i Prof. Dr. Edvin Priftit në Facebook:







