Një zbulim i ri shkencor mund të ndryshojë mënyrën si diagnostikohet sëmundja e Parkinsonit. Studiuesit po punojnë drejt krijimit të një testi të thjeshtë që analizon mikrobiomën e zorrëve – pra bakteret që jetojnë në sistemin tretës – për të parashikuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes shumë vite përpara se të shfaqen simptomat.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Medicine, është realizuar nga një bashkëpunim ndërkombëtar mes University College London, IRCCS Mondino, Universiteti i Pavias dhe disa institucioneve të tjera kërkimore në Itali.
Shkencëtarët zbuluan se personat me Parkinson kanë një përbërje të veçantë të baktereve në zorrë. Interesant është fakti që një profil i ngjashëm është vërejtur edhe tek individë të shëndetshëm, por me rrezik të lartë për ta zhvilluar sëmundjen.
Studimi përfshiu 271 pacientë me Parkinson në Britani dhe Itali, 43 persona që mbartnin mutacionin gjenetik GBA1 (i cili rrit rrezikun e sëmundjes deri në 30 herë), si dhe 150 individë të shëndetshëm. Rezultatet treguan se mbi një e katërta e mikrobeve në zorrë – plot 176 specie – kishin përqendrime të ndryshme mes pacientëve dhe njerëzve të shëndetshëm.
Ndryshimet ishin edhe më të theksuara tek pacientët me forma të avancuara të sëmundjes. Ndërkohë, personat me rrezik të lartë, por pa simptoma, shfaqnin një profil “të ndërmjetëm” – mes atyre të shëndetshëm dhe atyre të diagnostikuar.
Sipas udhëheqësit të studimit, Anthony Schapira, ky është një hap i rëndësishëm: për herë të parë janë identifikuar baktere që lidhen me Parkinsonin edhe tek persona që ende nuk kanë shenja të sëmundjes.
Kjo jo vetëm që hap rrugën për diagnostikim të hershëm, por edhe për mundësi të reja parandalimi. Studiuesit besojnë se në të ardhmen mund të jetë e mundur të ndërhyhet në mikrobiomën e zorrëve përmes dietës ose trajtimeve, duke ulur rrezikun e zhvillimit të Parkinsonit.
Sëmundja e Parkinsonit është një nga çrregullimet neurodegjenerative më të përhapura dhe me rritjen më të shpejtë në botë, duke e bërë këtë zbulim veçanërisht të rëndësishëm për mjekësinë parandaluese.
(Burimi: ANSA)






