Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 17:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, në një moment kritik për institucionet e vendit.
Afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundon brenda ditës së sotme, ndërsa partitë parlamentare ende nuk kanë arritur një marrëveshje për një kandidat konsensual.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 25 mars 2026, në rast se vendi nuk zgjedh presidentin, nga data 28 prill nis një afat 45-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kjo do të thotë se, në mungesë të një presidenti të ri, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me 7 qershorin si afatin maksimal për mbajtjen e tyre.
Dekreti për shpalljen e zgjedhjeve, në një skenar të tillë, do të firmoset nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila aktualisht mban këtë funksion pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani më 4 prill 2026.
Seanca e sotme shihet si një moment kyç që do të përcaktojë nëse vendi do të arrijë të shmangë një krizë të re politike, apo do të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor.





